Bashkimi Evropian anulon projektin 12 milionë eurosh në Kosovë

Aktuale

Bashkimi Evropian anulon projektin 12 milionë eurosh në Kosovë

Më: 7 qershor 2019 Në ora: 10:02
Ilustrim

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë njoftoi se i është dashur të anulojë një projekt prej 12 milionë eurosh për ndërtimin e deponisë së mbeturinave të rrezikshme në Kosovë.

Ky projekt përfshinte ndërtimin e objekteve për deponimin e mbeturinave të rrezikshme bazuar në vendimin e Qeverisë së Kosovës në vitin 2010. Si rrjedhojë, projekti u përfshi në Instrumentin e BE-së për Ndihmën e Para-Anëtarësimit (IPA) për 2015.

Për ndërtimin, Qeveria fillimisht identifikoi një parcelë toke brenda kompleksit të vjetër ushtarak në Harilaq në Fushë Kosovë, e cila, pas studimeve paraprake, nuk doli të jetë e përshtatshme për shkak të mjeteve të pashpërthyera dhe bunkerëve të vjetër, duke e bërë të pamundur ndërtimin.

Pas disa kërkesave nga ana e BE-së në Kosovë, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor identifikoi një lokacion alternativ brenda komunës së Fushë Kosovës. 

Megjithatë, Kuvendi i Komunës e refuzoi ngritjen e objektit në territorin e saj, duke mos i lënë kështu BE-së opsion tjetër, veçse të anulojë projektin.

“Pa parcelë toke të identifikuar, nuk është më e mundur të bëhet Vlerësimi i Ndikimit në Mjedis, projektimi i hollësishëm dhe të përgatitet dosja e tenderit dhe procedura përkatëse përzgjedhëse për kryesin e punëve brenda afatit të kontratës që është 15 dhjetor 2019. Në këtë pikë, thjesht nuk ka kohë për identifikim të një parcele të re dhe për kryerjen e serishme të të gjitha aktiviteteve përgatitore si gjeologjike, gjeoteknike, projektimi paraprak, konsultimet publike etj.”, thuhet në deklaratën e BE-së.

Bashkimi Evropian shpreh keqardhje për anulimin e këtij projekti, pas sipas tyre, i njëjti do t’i sillte përfitime të mëdha gjithë popullsisë, duke siguruar deponi të përshtatshme për mbeturinat e rrezikshme. Aktualisht, nuk ka një përkujdesje për këto mbeturina dhe si të tilla paraqesin kërcënim për shëndetin e njerëzve në mbarë Kosovën.

“BE-ja kontribuon me pothuajse 100 milionë euro ndihmë financiare për Kosovën në vit. BE-ja mbetet e angazhuar të punojë ngushtë me Kosovën, përfshirë edhe me autoritetet lokale, për të investuar në një mbrojtje më të mirë mjedisore”, përfundon deklarata.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat