Islami: Serbia dëshiron ta destabilizojë gjendjen e sigurisë në Kosovë, operacioni në veri karakter jopolitik

Aktuale

Islami: Serbia dëshiron ta destabilizojë gjendjen e sigurisë në Kosovë, operacioni në veri karakter jopolitik

Më: 7 qershor 2019 Në ora: 12:48
Avni Islami

Njohësi i çështje të sigurisë, Avni Islami, ka thënë se gjendja e sigurisë në përgjithësi në Kosovë është e qetë dhe pa një tendencë të përkeqësimit.

Ai e ka komentuar edhe operacionin e organeve të sigurisë dhe drejtësisë kundër krimit të organizuar dhe kontrabandës që është zhvilluar ditë më parë në disa komuna të Kosovës.

“Operacioni kishte karakter jopolitik. Ky operacion që kishte për qëllimin luftimin e krimit të organizuar dhe kontrabandës është kryer me profesionalizëm të lartë, ishte i organizuar mjaft mirë dhe suksesi nuk ka munguar”.

“Ky operacion solli rezultatet e veta dhe aq më tepër që kishte fokus të veçantë në Mitrovicën e Veriut ku ajo pjesë konsiderohet edhe më tutje si oazë e stacionimit të kriminelëve”.

“Ai vend ku lulëzojnë çdo ditë krimi i organizuar dhe kontrabanda përkrahet nga Qeveria e Serbisë ku asaj sa herë i duhet të ndërmarrë diçka në dëm të Kosovës dhe të përfitojë politikisht në planin ndërkombëtar e përdorë atë komunitet atje për qëllimet e veta”.

Por, a mund të ketë destabilizim të gjendjes së sigurisë në Kosovë para arritjes së një marrëveshje të mundshme përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë?

“Absolutisht Serbia ka tendenca që ta destabilizojë gjendjen në përgjithësi në Kosovë. Komunitetin e vet në veri dhe vende të tjera e përdor si ‘Kali i Trojës’”.

“Institucionet e sigurisë së Kosovës me vullnet dhe punë profesionale të shkëlqyer kanë zbrapsur të gjitha tendencat e shtetit serb”.

“Gjendja e sigurisë edhe më tutje nuk do të ketë dimension që mund të shkojë nga përkeqësimi pavarësisht që Serbia është e interesuar”.

“Serbia po përpiqet që të ndikojë, qoftë në arenën ndërkombëtare, që gjatë bisedimeve të përfitojë sa më tepër në raport me Kosovën dhe të nxjerrë diçka më shumë sepse edhe vet presidenti Aleksandar Vuçiq po thotë ‘që ne po humbim gjithçka me Kosovën derisa Kosova po fiton gjithçka’”.

“Përpjekja është që të përfitojë sa më tepër në interes të vet”.

Islami ka komentuar edhe arrestimin e një shtetasi rus.

“Qytetari rus kishte organizuar një bllokadë duke prerë drunjtë si dhe duke keqpërdorur veturën e Kombeve të Bashkuara në veri”.

“Është interesant që secili agjent informativ që punon për shërbime të ndryshme zakonisht janë të mbështjellë me petkun e ndonjë organizate, si gazetë ose në emër të ndonjë OJQ-je”.

“Pas nxjerrjes së informacioneve se zyrtari rus ishte oficer karriere i Rusisë dhe misioni i tij duket se është kryekëput në agjenturat e Serbisë”.

“Kosova nuk ka marrëdhënie të veçanta me shtetin e Rusisë që s’e njeh Kosovën si shtet. Shteti i Rusisë del në përkrahje të Serbisë”.

“Pat apo nuk pat të drejtë, Rusia i del në përkrahje të iniciativave të Serbisë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat