Komandant Remi e mban sekret sa mijëra euro ia “fshinë” Telekomit të Kosovës

Aktuale

Komandant Remi e mban sekret sa mijëra euro ia “fshinë” Telekomit të Kosovës

Më: 7 qershor 2019 Në ora: 14:16
Rrustem Mustafa

Rrustem Mustafa i njohur si Remi, ka deklaruar pasurinë në Agjencinë Kundër Korrupsion dhe këtë e ka bërë në cilësinë e këshilltarit politik të presidentit Thaçi.

Përveç pasurisë së tij që mbërrin milionin, ai në deklarimin e tij ka paraqitur edhe një shtëpi të cilën ia ka lëshuar me qira Telekomit.

Ky deklarim që hyn tek “Të dhënat e tjera” përmban: “Objekti-shtëpia e banimit e deklaruar, është e lëshuar me qira sipërfaqja prej 1000 m², PTK-ës me kontratë”, thuhet në deklarim mirëpo nuk tregohet se sa përfiton Remi prej Telekomit të Kosovës.

Ndërkohë, Mustafa në regjistrin për deklarimin e pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsionit ka deklaruar se ka një shtëpi e cila vlen 500 mijë euro, e që ka përfunduar së ndërtuari në vitin 2006. Përveç shtëpisë ai ka edhe një truall të cilin thotë ta ketë blerë, e që kushton tetë mijë euro.

Si pasuri të luajtshme, këshilltari i Presidentit ka deklaruar një veturë që thotë se kushton 20 mijë euro, e të cilën e ka blerë para 3 vitesh.

Familja Mustafa po del të kenë shuma të mëdha të parave “cash”. Vetëm Mustafa ka rreth 11 mijë euro para të gatshme në banka. Gruaja e Mustafës ka 16 mijë euro, derisa fëmijët e tij kanë 63 mijë euro para “cash” nëpër institucionet financiare në vend.

Të hyrat vjetore të tij sillen rreth 18 mijë euro, të cilat nga Presidenca, dhe 445 është shuma e parave që bashkëshortja e Mustafës merr çdo muaj nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

Ndryshe, emërimi i Mustafës si këshilltar i Presidentit Thaçi është bërë i ditur vetëm përmes këtij deklarimi. Remi është emëruar në këtë pozitë një muaj pasi ishte intervistuar nga Gjykata Speciale në Hagë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat