Zyrtari i lartë i PDK-së thotë se po ndihet i kërcënuar nga Bytyqi me largim nga puna

Aktuale

Zyrtari i lartë i PDK-së thotë se po ndihet i kërcënuar nga Bytyqi me largim nga puna

Më: 7 qershor 2019 Në ora: 16:25
Bytyqi dhe Idrizi

Ushtruesi i detyrës së drejtorit për Integrime evropiane koordinim të politikave dhe çështje ligjore në MASHT, Ferit Idrizi dje ka raportuar në Polici, ministrin e Arsimit, Shyqiri Bytyqi për kërcënim fizik.

E me tu raportuar ky rast, Ministria e Arsimit, që udhëhiqet nga Shyqiri Bytyqi ka reaguar përmes një komunikate për media.
Në reagim thuhet se e gjithë ngjarja kishte eskaluar për shkak të sjelljeve të pahijshme të z. Idrizi, në takimin e mbajtur dje në zyrën e ministrit Bytyqi, ku prezentë kanë qenë edhe tre zyrtarë tjerë të MAShT.

Më tutje thuhet se pretendimet e Idrizit janë të pavërteta, duke shtuar se asnjëherë ministri Bytyqi nuk ka kërkuar që të nënshkruhet një dokument që bie ndesh me ligjin.

“MAShT sqaron opinionin publik se për shkak të sjelljeve të pahijshme të z. Idrizi, në takimin e mbajtur dje në zyrën e ministrit Bytyqi, ku prezentë kanë qenë edhe tre zyrtarë tjerë të MAShT, ministri ka qenë i detyruar për të kërkuar nga z. Idrizi që t’ia lirojë zyrën. Të gjitha pretendimet e z. Idrizi, që sot kanë qarkulluar në opinion janë shpifje, si dhe çdo deklaratë e tij se kinse ministri ka kërkuar nga z. Idrizi të nënshkruaj ndonjë dokument që bie ndesh me ligjin nuk është e vërtetë”, thuhet në reagimin e MASHT-it.

“Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, lidhur me shpifjet e u.d drejtorit të Departamentit të Integrimeve Evropiane, Koordinim të Politikave dhe Çështjeve Ligjore, z. Ferit Idrizi, menjëherë do të marrë masat e parapara konform legjislacionit në fuqi”, përfundon reagimi.

Por, Idrizi po ndihet i kërcënuar me largim nga puna.

Shkak për këtë thotë është një fjali në komunikatën e MAShT-it, ku thuhet se Ministria menjëherë do të merr masa disiplinore, për sic është thënë “shpifjet që i ka bërë Ferit Idrizi”.

Idrizi, në një bisedë, ka thënë se se kjo është tentim i pastër dhe kërcënim që ai të largohet nga puna.

“Kur e kam parë atë reagim të Ministrisë së Arsimit, kam parë që ai paska kërcënuar se do të merren masa ndaj meje. Në momentin kur kanë thënë që Komisioni Disiplinor do të merr masa për sic kanë thënë shpifjet e mia, atëherë kjo i bjen që ai po paralajmëron që do më largojë nga puna. Unë iu qëndroj mbrapa deklarimeve që i kam bërë dhe denoncimit që ia kam bërë ministrit Bytyqi në Policinë e Kosovës”, ka thënë Ferit Idrizi.

Ministri Bytyqi është nga radhët e Nisma-s Social Demokrate, që udhëhiqet nga Fatmir Limaj.

Kurse, Ferit Idrizi, është zyrtar i lartë i Partisë Demokratike të Kosovës, që udhëhiqet nga Kadri Veseli.

Idrizi në zgjedhjet e fundit të mbajtura në nëntor të vitit 2017, ka qenë kandidat i PDK-së për kryetar të Komunës së Vushtrrisë, të cilën pas disa mandatesh e kishte humbur partia e Veselit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat