Sejdiu: Dashtë Zoti dialogu të përfundojë me secilin në shtëpinë e megjën e tij

Aktuale

Sejdiu: Dashtë Zoti dialogu të përfundojë me secilin në shtëpinë e megjën e tij

Më: 7 qershor 2019 Në ora: 18:47
Në Kuvendin e Kosovës është mbajtur konferenca rajonale

Në Kuvendin e Kosovës është mbajtur konferenca rajonale e organizuar nga Federata e Paqes Universale dhe Federata e Gruas për Paqe Botërore.

“Domosdoshmëria e bashkëpunimit-sfidë dhe nevojë për integrim” është tema që po diskutohet në këtë konferencë, ku si shumë e rëndësishme u theksua bashkëpunimi dhe bashkëjetesa mes fqinjëve, sidomos popujve në rajon.

Në punimet e kësaj konference, Fatmir Sejdiu, i cili ishte president i Kosovës në periudhën 2007-2010, foli për rëndësinë e bashkëpunimit brenda vendit, dhe jashtë tij.a

Sejdiu: Dashtë Zoti dialogu të përfundojë, secili në shtëpinë e megjën e tij

“Sikurse ka nevojë të impulsohet më shumë ajo që e quajmë bashkëpunim i nevojshëm, edhe përbrenda edhe me vende të tjera që roli ynë të jetë një rol i rëndësishëm në proceset që janë të ndjeshme Dhe një nga ato procese është edhe koha e tanishme, është ai dialog i cili ka nisë, dashtë Zoti të përfundojë së mbari, dashtë Zoti secili në shtëpinë e vet, në ata gurë që i ka në kuptimin më pozitiv të mundshëm, të megjave të veta dhe dashtë Zoti të hapet një etapë e re e bashkëpunimit të ngjeshur midis popujve, edhe në këtë rast me Republikën e Serbisë”, tha Sejdiu.

Ai tha se një nga pikat themelore që Kosova ka pas në politikën e jashtme dhe të brendshme, është të gjendet një rehati shpirtërore reale për qytetarët e saj dhe të shembet ideja e dikurshme që pavarësia e Kosovës do të destabilizojë rajonin.

E Binak Ulaj, kryetar i Federatës së Paqes Universale të Kosovës, tha se Kosova ka bashkëpunim funksional me shtetet e rajonit, por jo edhe me Serbinë. Sipas tij, me institucionet e Serbisë është ende larg rrjedhave integruese meqë krerët politik në Beograd nuk kanë gatishmëri për këtë.

Ai tha se për Beogradin zyrtar, bashkëpunimi është vetëm përmbushje e detyrimeve ndaj mekanizmave ndërkombëtar, e jo vullnet i lirë i tyre.

Ulaj: Krerët e institucioneve në Beograd provojnë të pengojnë konsolidimin e mëtejmë të shtetit të Kosovës

“Në vend të kërkojnë falje për krimet e luftës në Bosnjë, Kroaci dhe Kosovë, ata shfrytëzojnë çdo mekanizëm për të penguar konsolidimin e mëtejmë të republikës së Kosovës dhe integrimin e saj në institucione dhe organizata ndërkombëtare. Kjo veprimtari e tyre ka bërë që mos të integrohen në nivel të dëshiruar as pjesëtaret e popullit serb në Kosovë, ndonëse organizmi kushtetues i Kosovës jo vetëm që u garanton të drejta të barabarta, por më tepër ata edhe i privilegjon në përfaqësim, punësim e të tjerë. Propaganda e Qeverisë së Beogradit ende i ushqen iluzionet për kthimin e Kosovës në Serbi, ose së paku një pjese të konsiderueshme të saj, tha Ulaj.

Sipas tij, krerët politik të Beogradit nuk kanë hequr dorë nga politika që bie ndesh me parimet e të drejtës ndërkombëtare, dhe me nevojat e bashkëpunimit rajonal dhe më gjerë.

Ulaj  përmendi edhe deklaratën e kryeministres serbe, Ana Brnabiq,  e cili ka thënë se “shqiptarët janë njerëz që zbritur nga mali”.

E sipas tij, deklarata të tilla dëshmojnë se krerët e institucioneve në Beograd në mendje dhe zemër i kanë ende projektet kundër-shqiptare të gjysmës së shekullit 19 e këndej.

Në këtë konferencë ka folur edhe Alfred Moisiu, i cili mbajti postin e presidentit të Shqipërisë në vitet 2002-2007.

Moisiu: Mikun mund ta zgjedhësh, por fqinjin ta jep Zoti

“Qëllimi ynë është për t’i afruar të gjithë në mënyrë që të bashkëjetojmë ashtu siç na ka dhënë Zoti një tokë. Dhe, ne shqiptarët përdorim një shprehje, shokun dhe mikun mund ta zgjedhësh, por fqinjin ta jep Zoti. Pra të bashkëjetojmë, të kombinojmë, të jetojmë, ky është qëllimi ynë për të cilin uroj të keni suksese në këtë konferencë dhe të arrini atë që duam”, tha ai.

Pasi të përfundojë punimet konferenca e cila po mbahet në Kuvendin e Kosovës, do të bëhen emërimet e ambasadorëve për paqe.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat