Zbulohen fakte të reja për arrestimin e Hashim Thaçit dhe vrasjeve të cimerëve të tij

Aktuale

Zbulohen fakte të reja për arrestimin e Hashim Thaçit dhe vrasjeve të cimerëve të tij

Nga: H.O. Më: 7 qershor 2019 Në ora: 20:57
Hashim Thaçi/Ali Uka

Një polemikë e gjatë ndërmjet ish kryeministrit shqiptar, Sali Berisha dhe Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka nxitur shumë debate. Në këtë polemikë ishte përmendur edhe arrestimi i Presidentit Thaçi në vitin 1997 dhe vrasja e gazetarit Ali Uka.

Në këtë polemikë presidenti Hashim Thaçi fajësonte ish kryeministrin shqiptar Sali Berishën se e ka arrestuar gjatë luftës derisa po hynte nga Shqipëria në Kosovë, por Berisha ka dhënë versionin e tij rreth këtij arrestimi. Ish-kryeministri ka thënë se ai nuk e arrestuar Thaçin, por ai është arrestuar pasi u vra gazetari Ali Uka, të cilin sipas Berishës, Thaçi e kishte cimer.

“Hashim Thaçi u arrestu në Tiranë për Ali Ukën, cimerin e tij që u gjend i vrarë në banesë”, ka thënë Berisha.

Ish eprori i UÇK-së dhe pjesëtari i SHIK-ut, Naim Miftari në një përgjigje për “Bota sot” ka dhënë disa detaje lidhur me këtë rast. Ai thotë se ishte e vërtetë që Presidenti Thaçi është arrestuar për këtë rast, madje arrestimi i tij ishte I arsyeshëm.

“Polemikat e fundit  në mes dr Salih Berishës dhe Hashim Thaçit, janë vetëm polemika politike, por në këtë aspekt ish kryministri i Shqipërisë Sali Berisha ka shumë të drejtë kur thotë të vërtetën se Hashim Thaçi ishte arrestuar pikërisht më 1997, për vrasjen e gazetarit dhe zëdhënësit të parë të UÇK-së, Ali Ukës dhe tentimet e Hashim Thaçit kinse me arsyetu arrestimin e vet për armbajtje pa leje nga policia shqiptare vetëm e arsyeton arrestimin për vrasjen e Ali Ukës pasi për ta vrarë dikend duhet me paa ndonjë armë apo mjet. Arrestimi ishte i arsyshëm pas i ndjeri Ali Uka ishte cimer me Hashim Thaçin, por interesant është se pas një viti, ishte zhdukur, vrarë edhe një cimer tjetër i Hashim Thaçit e Adem Grabovcit. Ai ishte atdhetari oficeri ushtarak nga Istogu, Sadri Ramqaj i cili natën e fundit ishte me Hashim Thaçin dhe Adem Grabovcin ku nga aty i humbet çdo gjurmë”, thotë Miftari.

Ai thotë më tutje se më pas Presidenti Hashim Thaçi ishte liruar me intervenimin e Shërbimit Sekret Shqiptar, me ndikimin e Xhavit Halitit.

“Sa i përket arrestimit për Ali Uken, z.Thaçi ishte liruar nga burgu me intervenimin e  SHISH shërbimi sekret shqiptar me ndikimin e drejtpërdrejt të Xhavit Haliti edhe polici i burgut kur e liron i thotë Thaçit se paske lidhje të forta se ishe kalbur me vite  e ndoshta me dekada në burg. Dhe nuk është fare sekret se shtabi i Rognerit  të Thaçit, Halitit, Sylës, Veselit, Grabovcit, ka qenë i lidhur ngushtë me SHISH shqiptarë dhe aspak nuk është akuzë, por e vërtetë se edhe vrasje tjera në Shqipëri si dhe  vrasja e ministrit Ahmet Krasniqit kanë vulën e Hashim Thaçit, Halitit, Veselit, Sylës dhe vulën e SHISH shqiptar të "veteranit të Rognerit", Fatos Klosit”, thotë më tutje ai.

Miftari në këtë rast citon një shkrim të gazetës britaneze The Guardian, lidhur më këtë rast.

“Dokumentat sekrete të NATO-s, që citohen nga gazeta ”The Guardian” e konsiderojnë Hashim Thaçin si protagonist të botës së krimit në Kosovë dhe Xhavit Halitin si të lidhur me vrasjen e gazetarit të “Gazetës Shqiptare”, Ali Uka në 1997 në Tiranë. Dokumentet që janë zbardhur nga gazeta, kanë etiketën “USA KFOR” dhe përmbajnë detaje të rrjeteve të krimit të organizuar. Duke cituar shërbimin sekret amerikan dhe atë të NATO-s, Xhavit Haliti përshkruhet si i lidhur me këtë masakër të frikshme. Ali Ukaj, “zëdhënësi” i parë i UÇK-së. Ali Ukaj, 26 vjeç, gazetar i “Gazetës Shqiptare” u masakrua në vitin 1997 në shtëpinë ku jetonte në Tiranë, ndërsa vrasja e tij nuk u zbardh asnjëherë përfundimisht. Ai është konsideruar si “zëdhënësi i parë i UÇK-së”. Pasi ishte i pari gazetar që kishte publikuar emblemën e UÇK-së në faqet e të përditshmeve ku punonte. Ai kishte lidhje me protagonistët e lëvizjes dhe banonte në të njëjtën shtëpi me Hashim Thaçin, në atë kohë pjesë e UÇK-së dhe sot Ministër i Punëve të Jashtme të Kosovës”, citohet ky shkrim i The Guardian.

Miftari thotë më tutje se Presidenti Thaçi është dirigjuar nga shërbimi francez DGSE dhe i nduhmuar nga shërbimi secret serb, UDB.

“Dhe për fund duke u bazuar në të dhënat tjera tonat dhe në mendimin tim personal duke njohur mirë Hashim Thaçin se sa ka uri ky njeri për interes material, pasuri dhe për interes politik si njeri i uritur i dirigjuar nga shërbimi francez DGSE_ Fra dhe i ndihmuar nga shërbimi sekret UDB-serbe aty ku ka shkel këmba e Hashim Thaçit kan mbi dhe janë mbetë vetëm varret e atdhetarëve e luftëtarëve, patriotave shqiptar të Kosovës”, thekson ai.

Sipas Miftarit, “ky njeri, Hashim Thaçi është është fatkeqësia e Kosovës dhe e popullit tonë dhe fundi po e tregon qartë por edhe do ta demaskon akoma më shumë personalitetin e tij negativ shpirtëror dhe qasjen e tij pro-serb dhe tërë "lufta"e tij kinse për liri është një gënjeshtër e madhe, një skenar teatral e bërë përmes tradhtive, vrasjeve, etiketimeve, shantazheve, konspiracioneve  dhe e propogandes mediatike të ndihmuara hapur edhe nga shërbimet sekrete armiqësore që kanë armiqësi dhe pretendime territoriale e politike ndaj Kosovës si shtet dhe ndaj shqiptarëve në përgjithësi”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat