Selimi: Tema e kufijve nuk është hequr nga tavolina e bisedimeve

Aktuale

Selimi: Tema e kufijve nuk është hequr nga tavolina e bisedimeve

Më: 8 qershor 2019 Në ora: 00:05
Rexhep Selimi

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, ka thënë se takimi mes kryeministrit Ramush Haradinaj dhe kancelarës Angela Merkel nuk është i papritur.

Ai ka thënë se roli i Gjermanisë po vazhdon të jetë i përhershëm pavarësisht problemeve politike në Kosovë.

Ai në emisionin “Interaktiv” të KTV-së, ka thënë se nuk është e sigurt që tema e kufijve është hequr nga tavolina e bisedimeve Kosovë-Serbi, pasi që sipas tij, ende po vazhdojnë takimet mes Thaçit dhe Vuciqit.

“Derisa presidenti i Serbisë dhe i Kosovës nuk heqin dorë nga ky plan, ne nuk mund të jemi kaq komod. Në mënyra deklarative ka pasur manipulime nga ana e Thaçit deri tash, por nuk duhet të lejojmë këtë plan të realizohet”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se roli i Thaçit në dialog pati rënë dhe atë e ngriti Qeveria Haradinaj.

“Ndoshta në aspektin deklarativ mund të shohim një luftë mes njëri tjetrit, por Haradinaj e Thaçi janë komplementarë sa i përket bisedimeve, sepse të dy po vazhdojnë të jenë këmbëngulës për bisedime”, ka shtuar ai.

Selimi ka thënë se ideja e Haradinajt për konferencë ndërkombëtarë është e gabueshme, pasi që sipas tij, konferencat ndërkombëtare bëhen në rrethana tjera.

Ai ka thënë se Kosova nuk është në situatë për konferenca ndërkombëtare, dhe në një situatë të tillë, nuk do të ishte e mençur të kërkohet.

Ndërkaq lidhur me Samitin e Parisit, ai ka thënë se nuk e sheh shumë të ndryshëm nga ai i Berlinit.

Ai ka thënë se Kosova duhet të ketë nivel të ndërtimit të brendshëm dhe paraqitje tjetër para ndërkombëtarëve.

“Ajo çka po bënë Prishtina nuk është që duhet të jemi të kënaqur, edhe ndërkombëtarët janë të pakënaqur e tashmë nuk po hezitojnë të referohen me emra konkret”, ka shtuar ai.

Ai tutje ka shtuar se Gjermania është në favor të liberalizimit të vizave.

“Nuk është lajm mbështetja dhe përkrahja e Gjermanisë për Kosovën, sepse kjo dihet, duhet të marrim mbështetjen nga të tjerët”, ka shtuar ai.

E për mocionin për rrëzimin e Qeverisë, ai ka thënë se Qeveria Haradinaj që nga fillimi e ka humbur mazhorancën.

“Qeveria ka humbur mazhorancën dhe nuk ka arritur të votojë vetë as ligjet më të thjeshta. Qeveria tash është duke u munduar të votojë ligjet e janarit, paramendo ligjet që janë në këto muajt e fundit. Parlamenti nuk është duke e kryer funksionin e vet, prandaj duhet të shkohet në zgjedhje”, ka shtuar ai.

Ai ka thënë se edhe opozita nuk i ka numrat, e sipas tij, kjo është një arsye më shumë pse duhet të shkohet në zgjedhje.

“Ne jemi të gatshëm të shkojmë në zgjedhje, jemi të gatshëm të kemi mocionin, por ne duhet të kemi shenja që ka ndryshuar raporti politik brenda mazhorancës”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje është kundër që Lista Serbe të jetë përcaktuese e krijimit të shumicës parlamentare, e gjithashtu nuk duan që të jetë përcaktuese për rrëzimin e Qeverisë.

“Nga ky pozicion, ne nuk bashkëpunojmë me Listën Serbe për ta rrëzuar Qeverinë, por ne nuk mund t’i ndalojmë se si të votojnë. Ne jemi në bashkëpunim opozitar me LDK-në për funksionim dhe për të shkuar drejt mocionit për arsye se të dy partitë kanë qëndrime të njëjta për nevojën për të shkuar drejt zgjedhjeve të reja”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se me PSD-në kanë rezerva për shkak të kaluarës dhe veprimeve të tyre.

Selimi ka thënë se bisedimet me deputetët e mazhorancës për rrëzimin e Qeverisë nuk mund të i bëjnë publike, ani pse thotë se, ata pajtohen se zgjidhja më e mirë janë zgjedhjet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat