LDK e sigurt për zgjedhje të hershme, favorizon që ato të bëhen me marrëveshje

Aktuale

LDK e sigurt për zgjedhje të hershme, favorizon që ato të bëhen me marrëveshje

Më: 8 qershor 2019 Në ora: 12:48
Lutfi Haziri

Lidhja Demokratike e Kosovës është e përkushtuar që të ndërtojë një front opozitar të qëndrueshëm, që do të rezultojë me rrëzimin e koalicionit PAN.

Nënkryetari i kësaj partie, Lutfi Haziri, thotë se tashmë kanë riaktivizuar mekanizmat e brendshëm politik për mocionin e votëbesimit. Ndonëse, thotë se favorizojnë zgjedhjet e hershme, sipas marrëveshjes, hasja në vesh të shurdhër, sipas tij, i ka bërë që të inicojnë mocionin.

Duke folur për KosovaPress, Haziri vlerëson se në Kosovë po krijohet një momentum i ri, i cili do të shkaktojë zgjedhje të hershme.

Haziri: LDK ka riinicuar mekanizmat politik të brendshëm për mocionin e mosbesimit

“LDK ka riinicu, ka riaktivizu mekanizmat politik të brendshëm për mocionin e mosbesimit. Në këtë fazë jemi në konsultime me partitë tjera, me partitë e opozitës natyrisht. Tendenca është që të ndërtohet një front opozitar i qëndrueshëm, duke pasur parasysh rolin e LDK-së si parti më e madhe, Vetëvendosjes, PSD-së dhe partive tjera që janë të përfaqësuara në Kuvendin e Republikës”, thotë ai.

Ndonëse favorizon zgjedhjet e hershme sipas një marrëveshje mes të gjitha subjekteve politike, ai thotë se kjo ide ka hasur në vesh të shurdhër.

Haziri: LDK favorizon zgjedhjet e hershme sipas marrëveshjes mes të gjitha subjekteve politke

“Besoj shumë që po krijohet një momentum i ri në Kosovë, moemntumi i ri, i cili ka me shkaktu zgjedhje të hershme, përkundër që ne po favorizojmë edhe më tutje zgjedhjet e hershme sipas marrëveshjes. Sipas një marrëveshje politike, ku janë të pranishëm nga të gjitha partitë politike, një agjendë e cila mund të shteret shpejtë dhe vendi e din se kur mund të organizohen zgjedhjet. Por, kjo po has në vesh të shurdhët edhe më tutje, dhe natyrisht, kur nuk kemi mundësi me ndërtu konsensus dhe marrëveshje, atëherë vijnë në shprehje mekanizmat kushtetues dhe mocioni është njëri nga ta”, shprehet Haziri.

Teksa flet për mocionin, Haziri komenton edhe veprimet e PSD-së, për të cilën vlerëson se ka qenë gjithmonë mes pushtetit dhe opozitës, por  shprehet optimist se edhe këta të fundit do të bashkëpunojnë për rrëzimin e Qeverisë.

Haziri: PSD ka qenë gjithmonë mes pushtetit dhe opozitës, besoj se kjo do të ndryshojë

“Sjellja e PSD-së pas riorganizimit politik të tyre, ka qenë gjithmonë në mes të pushtetit dhe opozitës, një pozicion i ri politik, të cilin e kanë ushtruar gjatë kësaj kohe. Por, besoj shumë që ata janë të gatshëm të bëjnë një proces të ndryshimeve, dhe këtë javë pritet të ketë takim liderësh mes LDK-së dhe PSD-së, pas takimit që ka qenë mes LDK-së dhe Vetëvendosjes. Kështu që ne do të vazhdojmë me ndërtu takime dhe angazhime politike deri tek nënshkrimi i marrëveshjes”, shprehet Haziri.

Ai është i bindur se raporti i Qeverisë dhe qytetarëve po merr pikën e vlimit.

Haziri: Do të ndërtojmë angazhimin me qytetarët

“Kisha apelu, të gjithë ata që janë të interesuar për ndryshime, të mos vrapojnë pas protagonizmit politik, sepse mund ta dëmtojnë momentumin që po krijohet. Kjo nuk i takon as individit, as grupit e as vetëm një subjekti politik. Kjo qasje është e re, e LDK-së, kjo qasje e re e LDK-së nënkupton ndërtim në shkallën e frontit opozitar, në shkallën e dytë të frontit me qytetarët e Kosovës. Ne do të kalojmë përtej opozitës dhe do të ndërtojmë angazhimin me qytetarët. Sepse raporti i tensionuar i Qeverisë dhe i qytetarëve, po e merr pikën e vlimit dhe natyrisht që na takon që bashkërisht ta arrijmë këtë qëllim”, thotë ai.

Njëherësh, ai flet edhe për dialogun Kosovë – Serbi.

Prej Samitit të Sofjes, Haziri thotë se Kosova po e humbë momentumin për t’i zgjidhur problemet kapitale me Serbinë, dhe ato të ndërtimit të relacioneve të qëndrueshme afatgjate me partnerët strategjik si BE-në dhe NATO-n.

Haziri: Disonancë e madhe politike mes presidentit, kryeministrit dhe kryeparlamentarit

“Këto raporte janë të tensionuara, kemi disonancë të madhe politike mes presidencës, kryeministrit dhe kryetarit të Kuvendit, që përfaqësojnë PAN-in si grupim politik, dhe 20 paritë tjera që janë”, thekson ai.

Sa i përket Samitit të Parisit, nënkryetari i LDK-së thotë se për pozicionin e Kosovës, ky takim do jetë më i vështirë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat