Enver Hasani: U.d. i Kryeprokurorit të Prishtinës, pjesë e grupit të organizuar kriminal

Aktuale

Enver Hasani: U.d. i Kryeprokurorit të Prishtinës, pjesë e grupit të organizuar kriminal

Më: 9 qershor 2019 Në ora: 16:12
Ish-Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani

Njeriu që dikur e ka udhëhequr Gjykatën Kushtetuese po thotë se organi i akuzës është i kapur nga një grup i organizuar kriminal. Po thotë se edhe ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Prishtinës, Kujtim Munishi, është pjesë e këtij grupi që hapin e mbyllin raste në mënyrë kriminale. Ka thënë se kryesekser është Haxhi Dërguti. Ky i fundit dhe as Munishi s’kanë dashur t’i përgjigjen Hasanit.

Ish-Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, po vlerëson se me emërimin e Kujtim Munishit si u.d. i Kryeprokurorit të Prishtinës është kompletuar strukturimi i grupit të organizuar kriminal, i vendosur në tërë organin e akuzës.

Këto konstatime Hasani i ka dhënë tri ditë pasi u publikua lajmi se Prokurori i Krimeve të Rënda dhe ish-Këshilltari i Aleksander Lumezit u ngjit në krye të prokurorisë më të rëndësishme pas Speciales, atë të Prishtinës.

“Të gjithë ata që sot i prijnë organit të akuzës tash i kanë nën kontroll të gjitha hallkat. E luajnë rolin e gjykatës. Mbyllin raste penale. Pastaj merren me raste fiktive, raste sa për sy e faqe”, ka thënë Hasani.

Enver Hasani ka thënë se përpos Munishit, kryesekseri dhe udhëheqësi i këtij grupi kriminal është Haxhi Dërguti, Kryeprokuror i Apelit.

Haxhi Dërguti dhe Kujtim Munishi nuk kanë dashur t’i përgjigjen akuzave të Enver Hasanit.

Dërguti ka thënë se s’ka gisht në emërimin e Munishit si u.d. të Kryeprokurorit.

“S’dua t’i komentoj deklaratat e tij. S’merrem me të”, ka thënë Dërguti të dielën.

Përgjigje të njëjtë ka dhënë edhe njeriu më i rëndësishëm i prokurorisë në Prishtinë.

“Asnjëra prej akuzave të tij s’është dëshmuar. Secili e ka të drejtën e lirisë së shprehjes. Nuk dua t’i komentoj akuzat e tij”, ka thënë Kujtim Munishi, të dielën.

Enver Hasani thotë se kishte paralajmëruar para disa viteve se Munishi do të bëhet Shef i Prokurorisë së Prishtinës. E kishte lidhur me faktin se i njëjti kishte zhvilluar hetime parapenale ndaj kryeprokurorit për falsifikimin e dosjes së jurisprudencës.

Hasani ka thënë se faktori kryesor pse Munishi u bë Kryeprokuror është mbyllja e rastit të Kryeprokurorit të Shtetit.

“Emërimi i Kujtim Munishit si u.d. i Kryeprokrorit të Prishtinës është i pritur. Ai është pjesë e një grupi të strukturuar kriminal dhe po i kryen detyrat”, ka thënë Hasani të dielën për Express.

“Ai ka bërë vepër penale sepse e ka mbyllur një rast të pavërtetuar në procedurë gjyqësore. Domethënë, e ka mbyllur rastin në mënyrë kundërligjore”, ka shtuar ai.

Enver Hasani e kishte nisur një betejë me Aleksander Lumezin, duke thënë se dosja e tij e provimit të jurisprudencës ishte e falsifikuar. Lumezi e ka mohuar një gjë të tillë. Organet e hetuesisë e kanë mbyllur rastin, duke mos e dërguar fare në gjykatë.

Enver Hasani ka vazhduar të kërkojë drejtësi për këtë lëndë. Ka bërë kallëzim penal pse është mbyllur rasti i tij pa u kryer asnjë procedurë gjyqësore dhe pa iu bërë asnjë ekspertizë dokumentit me të cilin Lumezi deklaron se e ka dhënë këtë provim.

Sidoqoftë, Enver Hasani thotë se i tërë organi i akuzës është i kapur nga Haxhi Dërguti, i cili ka lidhje me Lumezin dhe të gjithë zyrtarët tjerë të Prokurorisë.

“Tash e kontrollojnë krejt sistemit. Në Apel e kanë kryesekserin, Haxhi Dërgutin. Tash e kanë komplet nën kontroll organin e akuzës. Organi i akuzës është pjesë e problemit. Është problemi vetë. Pa akuzë s’ka procedurë penale të ndjekjes së krimit. Ata e luajnë rolin e organit të akuzës dhe të gjykatës. Mbyllin rastet penale dhe hapin raste penale për t’i eliminuar njerëzit nga skena publike”, ka thënë ai.

Hasani thotë se për të shpëtuar ky vend, duhet që partitë që nuk i përkrahin krimin dhe korrupsionin ta kërkojnë largimin dhe shkarkimin e tyre.

Nëse s’ka reagim nga politika, Enver Hasani thotë se do të aktivizohen rregullat e kanunit dhe njerëzit do ta marrin drejtësinë në duart e tyre.

“Pasoja e parë e gjithë kësaj e aktivizon të drejtën zakonore, që është Kanuni. Kur nuk funksionon sistemi, njerëzit e marrin drejtësinë në duart e veta. Ky është efekti primar i këtij sistemi të organizuar kriminal që ua mohon drejtësinë njerëzve”, ka shtuar ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat