Haxha dhe Deliu paralajmërojnë padi për njëri-tjetrin

Aktuale

Haxha dhe Deliu paralajmërojnë padi për njëri-tjetrin

Më: 10 qershor 2019 Në ora: 10:14

(E plotësuar) - Edhe pas një ore pauze, në komisionin hetimor të PTK-së, pati përplasje mes deputetes së PDK-së Blerta Deliu-Kodra e ish-kryeshefit ekzekutiv të PTK-së, Shyqeri Haxha.

Derisa ky i fundit akuzonte atë se i kishte kërkuar t’i punësonte persona, gjatë kohës sa ishte kryeshef në Telekom, Deliu-Kodra deklaroi se asnjëherë nuk ishte takuar me të dhe se një gjë e tillë është e pavërtetë.

Deliu-Kodra: Ne nuk jemi takuar asnjëherë, në atë kohë kam qenë gazetare

“Unë jam lënduar se është absolutisht e pavërtetë. Unë nuk dua të lejoj që në këtë komision të vijnë dëshmitarë me hedh një informatë të pavërtetë... është e pavërtetë është absolutisht e pavërtetë dhe këtë po e them me bindje të plotë, është absolutisht e pavërtetë. Le të qohet Z. Haxha dhe gjithsecili le të më gjen vetëm një person në Post Telekomin e Kosovës që e kam punësuar, unë do të jap përgjegjësi para këtij komisioni dhe para deputetëve. Nuk lejoj që emri im me u përly, ashtu si e keni përlyer ju sot...Nuk jemi takuar asnjëherë, sepse po më vjen turp që ky takim i dëshmive sot është shndërruar në një betejë mes meje e teje për një të pavërtetë që ju e keni thënë. Nuk të kam kërkuar asnjëherë punësim të askujt, ne nuk jemi njohur më herë z.Haxha. Unë në kohën për të cilën po flisni, kam qenë gazetare e Televizionit Publik, nuk kam qenë e ngarkuar politikisht ”, tha ajo.

Për këtë Deliu-Kodra tha se do të iniciojë edhe padi ndaj Haxhës. Pavarësisht kësaj,  Haxha u shpreh këmbëngulës se po e thotë të vërtetën, duke treguar edhe vendin se ku ishin takuar, e ajo i kishte kërkuar t’i punësonte dikë.

Haxha: Më keni thënë në një manifestim të PTK-së

“Kjo është thënë në një takim që ka qenë një manifestim në PTK kur ka qenë në Sheshin 21...

(Deliu-Kodra) Asnjëherë nuk kam qenë pjesë e manifestimeve të PTK-së dhe nëse po mendoni që me një etiketim ju mund të hidhni poshtë gjithë ato që ka ndodhur...Kjo është e turpshme Z.Haxha... unë nuk kam kërkuar asnjëherë. Nuk është e vërtetë që jemi takuar ne të dy ndonjëherë.... 

(Haxha) Pasha Zotin është e vërtetë, po qysh nuk është e vërtetë, po kujt i tregon ti. Ke qenë në manifestim dhe mu ke afruar sikur tjerët, po shuj lëre atë punë...

(Blerta Deliu):Unë do të inicioj padi.. (Haxha): Edhe unë do të inicioj padi për 400 mijë euro ”.  

Kjo përplasje shkoi edhe më tej. Deliu-Kodra tha se ka fakte e dëshmi që Haxha kishte abuzuar me pozitën e tij, duke punësuar familjarë e të afërm të tij.

Deliu-Kodra: Mos më detyro të përmendi emra

“Mos më detyro me i përmend me emër dhe mbiemër, me miq e miqasi, e me nipa e mbesa që i ke shti me rend në Telekomin e Kosovës, e që ke abuzuar me pozitën tënde. Po ju premtoj, kam dëshmi dhe informata të sakta për krejt punësimet individuale, familjare, personale prej miqve, nipave dajave, mbesave që Haxha u ka bërë familjarëve të vet. Nuk kam pranuar asnjëherë të lëshohem në deklarime të tilla, por për hir të korrektësisë, unë do t’i qëndroj prapa, dhe ky komision do ta kryej punën e vet fije e për pe”, tha Deliu-Kodra.

Me insistimin e kryesuesit të këtij komisionit, Visar Ymeri ky debat mes tyre është ndërprerë. Gjatë debatit për kontratën qindra milionëshe me Zmobile, anëtarja e komisionit Blerta Deliu-Kodra ka pyetur Haxhën në qoftë se ka ndonjë vendim të bordit që nuk e ka nënshkruar, për çka ky i fundit tha se në raste të donacioneve dhe sponzorimeve, ai nuk ka dhënë nënshkrim. Por, që sipas Deliu-Kodrës kjo nuk është e vërtetë.

 Deliu-Kodra: Ju i keni dhënë donacion 60-70 mijë euro familjarëve

“Por, po ju keni dhënë 60-70 mijë euro te familjarët e juaj donacione edhe mos më shtini sot me i përmend... Çfarë mund të thoni për sistemin e faturimit me kompaninë ndërkombëtare Amdoc, e cila siç thuhet ia humbi PTK-së 10  milionë euro. A jeni paralajmëruar ju nga Qeveria për mos nënshkrim të kësaj kontrate, ka qenë një kompani do të thotë që priste me dal në privatizim dhe ju keni nënshkruar një kontratë e cila ia ka humbur Telekomit 10 milionë euro”, ka thënë ajo.

Por, këto pyetje Haxha ka aluduar se ia ka shkruar dikush tjetër  Deliu-Kodrës.

Haxha: Pyeti ata që t’i kanë shkruar këto pyetje

“Vendimi për me ndërpre edhe mos me ardh, ka ardh pasi që është nënshkruar kontrata, nuk kanë dashur e kanë lejuar me ndodhë ai dëm... ata që ta kanë shkruar aty shko pyeti të tregojnë... (Deliu-Kodra): Asnjëherë ju nuk guxoni me mu drejtu kështu”, ishte debati mes këtyre dyve.

Haxha gjatë raportimit në këtë komision ka fajësuar edhe dikë tjetër për dëmin që iu shkaktua kompanisë.  Ai duke folur për kontratën qindra milionëshe me Z Mobile, ka thënë se në këtë proces faj ka edhe Autoriteti Rregullator i Telekomunikacionit (ART), për të cilin mendon se ka pasur mandat të ndalojë licencën. Derisa, deputeti  Liburn Aliu u interesua të dijë nëse kjo kontratë është nënshkruar në kushte kërcënimi, mashtrimi dhe  motiveve korruptive, Haxha tha se tha se nuk mund të pohojë  një gjë të tillë. Pas shumë orëve komisioni nuk arriti të përfundojë intervistimin e Haxhës, për çka u mor vendim që të vazhdojë nesër

Vazhdon përplasja/ Haxha betohet në Zot se Deliu i kërkoi punësimin e një familjari

Është duke vazhduar intervistimi i ish kryeshefit ekzekutiv të PTK-së Shyqeri Haxha nga komisioni hetimor parlamentar.

Sërish janë përplasur deputetja e PDK-së Blerta Kodra Deliu me ish kryeshefin e PTK-së Shyqeri Haxha, pasi ky i fundit e ka akuzuar Deliu-Kodrën se i ka kërkuar atij që t’ia punësojë një familjar në PTK.

Deliu- Kodra ka mohuar edhe njëherë se ka ndodhur një gjë e tillë.

"Unë edhe një herë po kërkoj sqarim. Se ju z.Haxha keni thënë një pa të vërtetë të madhe edhe me sqaruar se a jemi taku ndonjëherë përveç në kohën sa kam qenë si gazetare”, tha Deliu.  

Ndërsa Shyqeri Haxha është betuar në Zot se Deliu-Kodra i ka kërkuar që t’ia punësojë një familjar dhe se një kërkesë e tillë ka ndodhur gjatë një manifestimi të PTK-së.

"Mos e merrni shumë personale. Unë çdo gjë që e them këtu është e vërtetë. Jo vetëm rasti që përmenda ka raste edhe tjera që kanë ardhë edhe kanë kërkuar. Unë nuk kam ardh me e goditë sot askënd. Kjo është thënë në një manifestim të PTK-së . Shuj leje atë punë. Pasha Zotin je ardh je afru edhe ke kërkuar ",i tha ai.

Deliu-Kodra nga ana tjetër ka thënë se do ta padisë për shpifje Haxhën.

"Me bindje të plotë e them se nuk jemi takuar asnjëherë. Ju sot keni shpif. Unë e marr personale, se nuk ua të bëhem objekt i medieve, është në pyetje kredibiliteti im dhe familjes time. Dua që këta përfaqësues kur vijnë të raportojnë të jenë të sinqertë. Unë nuk kam kërkuar asnjëherë të punësohet, dhe nuk jam njohur me Z. Haxhën. Unë jam lënduar se është plotësisht e pavërtetë. Po më vjen turp që sot u shndërrua në betejë mes meje dhe teje. Unë do të iniciojë padi. Unë nuk kam qenë asnjëherë në manifestime të PTK-së”, tha Deliu-Kodra.

Blerta Deliu: Shefi i Telekomit ia dha 400 mijë euro Halil Budakovës për një projekt filmik

Deputetja e PDK’së, Blerta Deliu Kodra, ka deklaruar në Komisionin Hetimor ndaj Telekomit se ish-shefi i kompanisë publike, Shyqeri Haxha i ka dhënë 400 mijë euro për një projekt filmik për realizimin e një filmi për Azem Bejtën.

Deliu ka thënë se derisa Haxha kishte qenë shef i Telekomit i ka dhënë 400 mijë euro për realizimin e një projekti filmik për Azem Bejtën, aty luanin Halil Budakova dhe gruaja e tij.

“Është një projekt filmik të cilin ju e keni sponsorizu sa keni qenë ju drejtor i Telekomit, një projekt për Azem Bejtën një figurë shumë të respektuar, ky projekt ka qenë shumë i komentuar, kisha dashur një koment nga ana e juaj pasi aty ka luajtur dy personazhe si Halil Budakova dhe gruaja e tij në rolet kryesore, për këtë projekt janë dhënë 400 mijë euro nga ana e juaj për këtë projekt, sa ju keni qenë shef i Telekomit”, tha Deliu.

Ndërsa Haxha ka thënë se ai nuk i ka dhënë, por Bordi i Telekomit ka votuar për ndarjen e këtyre parave.

Image

“Ky projekt dhe çdo reklamim apo sponsorizim që ka ndodhur për Telekomin ku shuma kalon mbi 5 mijë euro është aprovuar nga Bordi i Telekomit dhe jo nga unë”, tha Haxha.

Haxha ka thënë se sa ishte pjesë e Telekomit është munduar që mos t’i shkaktoj humbjë kësaj kompanië, ani pse ai ka qenë personi që ka nënshkruar kontratën me Z-Mobile.

Haxha flet me emra: Deputetja Blerta Deliu m’u ka lut për të punësuar njerëz në PTK

Image

Ish kryeshefi i PTK-së Shyqeri Haxha ka raportuar sot para komisionit hetimor të PTK-së.

 Ai para deputetëve tha se në kohën kur kishte ardhur në krye të PTK-së kontrata me Z-Mobile ka qenë punë e kryer.

 "Çdo gjë ka nisur 3 vjet para se të vijë unë. Kur kam ardhur unë çdo gjë ka qenë e përfunduar, me procedurë të tenderimit, e të gjitha. Është hera e parë në Kosovë që kontrata negociohet bashkë me bordin dhe menaxhmentin. Në këtë rast çdo gjë ka qenë e përfunduar. Kur kam ardhur në Kosovë nuk e kam njohur asnjë njëri, të parët që i kam takuar kanë qenë anëtarët e bordit. Kam ardhur me një mentalitet ku respektohet ligji", tha Haxha.

Ai tregoi edhe se është kërcënuar me vdekje në plot raste.

"Tri herë jam kërcënuar me vdekje, kur kam kërkuar largimin e antenave serbe jam kërcënuar me vdekje. I kam shkarkuar drejtorët, nuk kam bërë kompromis. Me të gjithë politikanët që jam takuar iu kam thënë që nuk lejoj të dëmtohet kompania. Kjo kontratë ka qenë e nënshkruar, nëse e shikoni vendimin e bordit thotë kështu, bordi me shumicë votash ka miratuar. Nuk thotë me nënshkrua, por me implementua. Nuk ka mundur njëri i gjallë për ta ndalur atë kontratë", tha ai.

Haxha tha se kontrata me Z-Mobile është përdorur  si biletë për të hyrë në PTK dhe për ta bluar PTK.

"Kjo është përdorur si biletë për të hyrë në PTK dhe për ta bluar PTK. Aty ka grupe kriminale dhe e bluajnë.  Janë grupe kriminale, ata e bluajnë se nuk ia faturon një faturë hiç. Sistemi i Telekomit është shumë kompleks. Kjo kontratë kish me qenë shumë profitabile", tha ai.

"Rreth 20 takime kam kërkuar që të ndalet kjo kontratë, bordi më ka thënë se nuk mundesh me e ndal. Kam qenë vetëm dhe është dashur të ballafaqohem me ta, unë nuk kam mundur të tërhiqem", tha ai.

 Sa i përket punësimeve në PTK Haxha ka thënë se ka punësuar vetëm tre persona.

"Janë tri persona që i kam punësuar, e kam punësuar dikë që, e kam punësuar një nënë të Gjakovës Ferdonije Qerkezin, ajo e ka sjell një grua në PTK në vitin 2010 dhe ka thënë, e kam punësuar një grua të Drenicës që iu kishin vra 4 vëllëzërit", tha ai.

 Ai ka akuzuar deputeten e PDK Blerta Deliu se i kishte kërkuar që ta punësoj dikë.

"Blerta Deliu ju më keni thënë që ta punësoj dikë në punë", tha ai.

 Për këtë ka reaguar deputetja Deliu. "Kurrë në jetë nuk kam kërkuar punësim për dikë", tha ajo.

Haxha ka treguar se edhe ish kryetari i Komunës së Vushtrrisë Bajram Mulaku i kishte dërguar persona për t’i punësuar duke e shantazhuar se nëse nuk ndodh kjo do të thonë se vëllai i Shyqeri Haxhës Bahri Haxha nuk ka qenë dëshmor i kombit.

“Dy persona m’i ka dërguar Bajram Mulaku nga Vushtrria. Më kanë thënë që nëse nuk punësohen,   do të themi se Bahri Haxha nuk ka qenë dëshmor. Qata nuk janë punësuar", tha ai.

Haxha para Komisionit: Kontrata me Z-Mobile u përdor si biletë për ta “bluar” PTK-në

Para Komisionit Hetimor për PTK-në po dëshmon ish-kryeshefi i PTK-së, Shyqiri Haxha.

Ai ka thënë se në kohën kur ka ardhur në krye të këtij institucioni, çështja me Z-Mobile veçse ka qenë “punë e kryer”.

“Çdo gjë ka qenë e përfunduar. Kur kam ardhur në Kosovë nuk e kam njohur askënd, njerëzit e parë qe i kam takuar janë anëtarët e Bordit. Unë nuk e kam njohur mentalitetin këtu. Kam kërkuar t’i di përgjegjësitë e mia”, ka thënë Haxha.

Që në ditën e parë ka thënë se ka kërkuar nga menaxherët që t’ia përpilojnë një dokument konfidencial dhe ta njoftojnë se çfarë ka në këtë kompani.

“E kam marrë atë dokument, por asnjë njeri nuk më ka thënë se ka ndonjë problem”, ka thënë ai.

Haxha ka thënë se nuk ka bërë kompromis me askënd.

“As nuk kam marrë pjesë në tendere, as nuk kam kërkuar para e as nuk kam jep para...Bordi më ka thënë se institucioni është para kolapsit, pasi nuk është nënshkruar asgjë. Iu kam thënë se do ta nënshkruaj çdo dokumentacion që është në rregull. Sa i përket kontratës me Z-Mobile, kam kërkuar që ta takoj përfaqësuesin amerikan para nënshkrimit. Krejt këto që po i them, i kam thënë edhe në intervistë kur jam pyetur nga EULEX-i, gjë që edhe jam shpallur i pafajshëm”, ka shtuar Haxha.

Ai ka thënë se do t’ia ofrojë komisionit një dokumentacion, i cili ka thënë se deri më tani nuk e ka bërë publike.

Ndër të tjera, Haxha ka thënë se tri herë është kërcënuar me vrasje. Sa i përket bordit, ka thënë se ka pasur më vonë presione prej tij.

“Nuk ka mundur njëri i gjallë ta ndalë kontratën me Z-Mobile. Kjo nuk ka ndodhur veç rastësisht. Kryetari i bordit ka qenë Rexhë Gjonbalaj. Kjo kontratë është përdorur si biletë për të hyrë ne PTK, për të bluar. Aty ka grupe kriminale që veprojnë”, ka thënë Haxha.

Haxha ka thënë se në PTK ka kontrata që janë krejtësisht në rregull, por se “grupet kriminale, hajnia i shkatërrojnë”.

Haxha ka thënë se vlera e kompanisë është dëmtuar nga politikanët.

“Kam pasur presione nga ministrat e linjës, ish-ministri i Financave Ahmet Shala dhe atëherë e tash ministër në Qeverinë e Kosovës, Besim Beqaj. Çdo gjë është e lidhur me politikën këtu”, ka thënë ai.

Haxha: Më kërcënonin me vrasje pasi shkarkova 50 persona për krim të organizuar

Shyqeri Haxha, ish-kryeshef në Telekom po raporton para Komisionit Hetimor Parlamentar për gjendjen në PTK dhe Vala. Para deputetëve, Haxha ka thënë se është kërcënuar disa herë me jetë derisa ka larguar nga puna 50 persona për krim të organizuar.

Haxha tha para komisionit se nuk ka marrë asnjë tender, derisa ka pas kërcënime me vdekje.

“Nuk kam bërë kompromis me askënd për asgjë, nuk kam marr tenderë, nuk kam kërkuar para, as nuk kam dhënë para. 3 herë jam kërcënua me vdekje me vrasje kam lajmërua policinë askush nuk është marr me të kur kam heq antenën serbe, kur largova 50 persona për krim te organizuar në PTK”, thotë ai, duke shtuar se ka shkarkuar disa drejtorë të atëhershëm.

“Kam shkarkuar drejtor, nuk kam bërë kompromis me askënd, me çdo lider që jam taku kam thënë nuk lejoj njeri të gjallë ta dëmtoj këtë kompani”, shtoi ai.

Para deputetëve Haxha tha se ka kërkuar të ndërpitet kontrata, por bordi nuk më ka lejuar.

“Kam kërkuar me ndërpre kontratën më kanë thënë bordi se nuk kam të drejtë se nuk e kam bërë unë, unë kam qenë i vetëm veç me Zotin dhe jam ballafaquar me të edhe me dashtë me u tërheq nuk kam mund. Z mobile i ka ikur pagesave, nuk e ka zbatuar kontratën. Sikur faktet që i kam unë po te ishin përdorur në Arbitrazh do të humbte Zmobile dhe do ta kompensonte PTK-në për humbjet e bëra. Pagesat nuk i ka bërë me kohë, i kam detyrua me shkrua një aneks kontratë dhe për çdo tender duhet të marr aprovimin e PTK”, shtoi ai.

I pyetur nga deputetët Haxha ka bërë të ditur se ka pasur presione nga ministrat e atëhershëm.

***

Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me gjendjen në PTK dhe Vala interviston Shyqeri Haxhën, ish-kryeshef i Telekomit të Kosovës

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat