Nis bixhozi i paligjshëm në Kosovë, policia konfiskon mijëra euro

Aktuale

Nis bixhozi i paligjshëm në Kosovë, policia konfiskon mijëra euro

Më: 10 qershor 2019 Në ora: 15:38
Foto ilustrim

Ndalimi me ligj i lojërave të fatit në Kosovë, ka shtyrë bixhozçi t’i kryejnë këto veprimtari ilegalisht. Tre raste në tre vende të Kosovës janë zbuluar për dy ditë. Janë konfiskuar gati 10 mijë euro, janë sekuestruar aparate dhe kompjuterë gjatë bastisjeve në këto lokale. Prokuroria po vazhdon hetimin dhe personat e dyshuar janë dërguar në mbajtje

Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozi i paligjshëm ka shpërthyer në Kosovë që nga ndalimi i lojërave të fatit në Kosovë, në mars të 2019.

Kërkesa për ndalimin e lojërave të fatit u bë pas disa incidenteve në disa kazino në Kosovë, ku pati edhe persona të vrarë.

Policia e Kosovës, për dy ditë, ka treguar se janë marrë me raste të organizimit të skemave piramidale dhe bixhozit, që tashmë është i paligjshëm në Kosovë.

Më 6 qershor, në Prizren, policia ka arrestuar një person, me inicialet P.B., të dyshuar për organizim dhe bixhoz. Gjithashtu, gjatë dy bastisjeve në dy lokacioni, janë gjetur dhe sekuestruar dhjetë aparate të lojërave të fatit.

Nuk u gjetën vetëm mjete në këto lokale, u gjetën edhe para të gatshme. Vetëm në Prizren janë kapur 3 mijë e 300 euro.

I dyshuari me iniciale P.B., pas intervistomi është dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit dhe rasti vazhdon të hetohet.

Krejt kjo u bë pas hetimit të njësisë policore për Krime Ekonomike dhe Korrupsion në bashkëpunim me zyrtarët e Doganës dhe Inspektorët.

Të nesërmen, më 7 qershor, në fshatin Sekiraqë në Podujevë, u arrestuan tre persona, dy meshkuj dhe një femër, të dyshuar për organizim të skemës piramidale dhe bixhozit të paligjshëm.

Dy personat e arrestuar, policia tha se ishin punëtorë të lokalit, ndërsa tjetri kishte qenë duke luajtur në një aparat të lojërave të fatit.

Gjatë kontrollit, u konstatua se biznesi dhe aparatet e lojërave të fatit kanë qenë të pa licencuara. Gjithsej, sipas policisë së Kosovës, u konfiskuan 11 aparate të lojërave të fatit dhe para 6 mijë e 654 euro.

Pas intervistimit, tre të dyshuarit me vendim të prokuroria janë dërguar në mbajtje dhe rasti po vazhdon të hetohet.

Në Mitrovicë, po të njëjtën ditë, njësiti policor kishte hasur në një lokal në të ishin duke u zhvilluar aktivitetet e lojërave të fatit dhe bixhozit.

Aty, janë konfiskuar nëntë shtëpiza kompjuteri, të cilat policia tha se kishin shërbyer për lojëra të bixhozit.

Lokali është mbyllë dhe prokuroria po heton rastin.

Një rast i njëjtë ka ndodhur edhe në Pejë dhe për këtë Prokuroria Themelore e Pejës ka njoftuar se është sekuestruar një kompjuter, disa tiketa dhe libra.

Më këtë rast është hapur hetim për vepër penale “Organizmi i skemave piramidale dhe bixhozit”.

Më 28 mars, Kuvendi i Kosovës e miratoi ndalimin e lojërave të fatit në Kosovë për 10 vjet.

Menjëherë pas ndalimit, kishte reaguar edhe shoqata e lojërave të fatit në Kosovë, ku kishin akuzuar deputetët se po e bëjnë këtë veprim për përfitime politike dhe se përveç dy rasteve të vrasjeve, nuk ka pasur asnjë rast tjetër të krimeve në bizneset e lojërave të fatit.

Aksioni i mbylljes së tyre nisi pothuajse menjëherë nga policia e Kosovës dhe ende po vazhdon.

Sipas të dhënave nga Dogana e Kosovës, akciza për aparatet e lojërave të fatit në Kosovë ka qenë e lartë dhe buxheti i shtetit brenda vitit ka inkasuar afër 20 milion euro nga kjo veprimtari./GE.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat