Kosova synon anëtarësimin në NATO

Aktuale

Kosova synon anëtarësimin në NATO

Më: 11 qershor 2019 Në ora: 13:06
Foto ilustrim

Anëtarësimi në Aleancën Veriore-Atlantike, NATO, sipas përfaqësueseve të institucioneve mbetet një nga synimet kryesore të Kosovës.

Derisa vendi po përgatitet për shënimin e 20 vjetorit të hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë, institucionet vendore po i shtojnë angazhimet që Forca e Sigurisë së Kosovës e cila është në fazën e transformimit në ushtri, të ngritet në kapacitete dhe standarde që do të jenë në përputhje dhe ndërveprim të plotë me NATO-n.

“Synimi ynë kryesor është që të jemi pjesë e të gjitha iniciativave rajonale, por në të njëjtën kohë synim i yni është që të jemi pjesë e strukturave Veri- atlantike”, ka deklaruar komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Rrahman Rama.

Këto komente, ai i bëri pas takimit me shefin e Shtabit të Forcave të Armatosur të Kroacisë, gjeneralit Mirko Shundov. Sipas gjeneralit Rama, Kosova është e gatshme të avancojë në fazat e ardhshme të përafrimit dhe anëtarësimit në NATO.

“Është e rëndësishme që t’i marrim të gjitha përvojat nga shteti kroat sidomos nga ushtria kroate të cilët tani janë pjesë e NATO-s. Kjo rrugë është e padiskutueshme dhe bashkërisht me partnerët tanë do të jemi pjesë e NATO-s”, tha Rama.

Ngjashëm me Bashkimin Evropian, edhe në NATO, jo të gjitha vendet anëtare e njohin Kosovën si shtet të pavarur e sovran. Andaj, krahas shtimit të kapaciteteve dhe arritjes së standardeve ushtarake të NATO-s, ky fakt i mosnjohjes së Kosovës nga disa vende anëtare, besohet se mund të jetë një nga pengesat e anëtarësimit në të ardhmen.

Por, Kroacia, është një nga vendet që e njeh Kosovën. Gjenerali Shundov tha se e mbështetë aspiratën e Kosovës për anëtarësim në NATO.

“Bashkëpunimi jonë në mbrojtje në kuptimin e shprehjes dhe ndarjes së ushtrisë kroate ka të bëjë edhe me organizatat dhe aspiratat euroatlantike, siç është anëtarësimi në NATO dhe Bashkimin Evropian si dhe në iniciativat rajonale dhe përforcimin e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës”, tha Shundov.

Forca e Sigurisë së Kosovës u themelua më 2009 në bazë të Planit të Ahtisaarit, dokument që çoi drejt pavarësimit të Kosovës. Tranzicioni i FSK-së nga një forcë për emergjenca civile në Ushtri, ishte një proces i gjatë që u finalizua në fund të vitit 2018, pas mbështetjes që Kosovës i erdhi nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Aktualisht, kjo Forcë është në fazën e transformimit në Ushtri, e cila parashihet të zgjasë nga 7 – 10 vjet.

Kjo Forcë, është ngritur nën mbikëqyrjen e NATO-s, por misioni dhe kapacitetet e saj, nuk përkuan me ambicien e institucioneve, që Kosova ta ketë Ushtrinë e saj.

FSK-ja, aktualisht numëron 2500 pjesëtarë të rregullt dhe 800 rezervistë. Ky numër pas ndërrimit të mandatit, do të dyfishohet. Me mandatin e ri parashihet që të ketë 5000 ushtarë aktivë dhe 3000 pjesëtarë rezervë.

Një nga komponentet e rendësishme të FSK-së është edhe ruajtja e shumëetnicitetit.Vitin e fundit, kjo Forcë ëshët ballafaquar me këtë sfidë, për shkak se Beogradi i kishte ftuar pjesëtarët serbë të FSK-së që ta braktisin atë, duke bërë me dije se Serbia nuk do të njeh as shtetin e Kosovës dhe as ushtrinë e saj./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat