Brusa: 68 për qind është shkalla e zbatimit të MSA-së në vitin e kaluar

Aktuale

Brusa: 68 për qind është shkalla e zbatimit të MSA-së në vitin e kaluar

Më: 11 qershor 2019 Në ora: 16:50
Konferenca përmbyllëse të projektit të binjakëzimit, "Mbështetja e Institucioneve të Kosovës në zbatimin e MSA-së"

Kosova ka bërë progres dhe avancim të madh në integrimin drejt Bashkimit Evropian.

Kështu u tha sot në konferencën përmbyllëse të projektit të binjakëzimit, "Mbështetja e Institucioneve të Kosovës në zbatimin e MSA-së", i cili ka për qëllim të mbështetet administrata e Kosovës për të menaxhuar në mënyrë efektive në procesin e MSA-së, duke përmirësuar politikat në integrimin evropian.

Ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, tha se ky projekt është në përputhje të plotë me projeksionet qeveritare për reformimin e administratës publike.

Hoxha: Janë një sërë projektesh të BE-së që janë duke kontribuar

“Përgjatë këtyre dy ditëve të asistencës ka dhënë kontribut të çmuar në forcimin e kapaciteteve të administratës publike në adresimin e kërkesave që dalin nga procesi i stabilizim-asociimit për Kosovën. Ky projekt i Bashkimit Evropian për të cilin jeni ftuar sot është në përputhje të plotë me projeksionet qeveritare për reformimin e administratës publike, me theks të veçantë në ngritjen e kapaciteteve institucionale me përafrimin e legjislacionit vendor. Janë një sërë projektesh të BE-së që janë duke kontribuar në këtë drejtim”, tha ajo.

Hoxha tha se që nga fillimi i projektit në vitin 2017, projekti i binjakëzimit përmes ekspertizës nga shtetet anëtare si Gjermania, Polonia dhe Kroacia, këto të fundit  kanë mbështetur institucionet e Kosovës në forcimin e kapaciteteve në disa fusha kyçe.

Ndërsa, Luigi Brusa nga Zyra e BE-së në Kosovë, tha se Kosova në vitin e kaluar ka zbatuar 68 për qind të planit të MSA-së.

Brusa: 68 për qind është shkalla e zbatimit të MSA-së në vitin e kaluar

“Ka zotime në të dyja anët në këtë kontratë, reformat të cilat duhet të arrihen në anën e Kosovës janë ambicioze, por janë të arritshme. Zyra e BE-së në Kosovë mbetet e angazhuar që të mbështet Kosovën në mënyrë konkrete në ndihmën e implementimit të MSA-së, ka qenë një kontratë e binjakëzimit që po e përmbledhim sot me gjithë partnerët kosovar. Kur ka filluar projekti në 2017 ka qenë një vit pas nënshkrimit pas hyrjes në fuqi të MSA-së. Kurse tani jemi në vitin e tretë të zbatimit të saj. Çfarë e karakterizon marrëveshjen e MSA-së është një marrëveshje gjithëpërfshirëse, përmban gjithçka nga zbatimi i ligjit, prokurimin publik dhe tregti... Duhet të përmendet që shkalla e implementimit për masat afatshkurta, të cilat janë caktuese në planin e zbatimit për MSA-në vitin e kaluar, në vitin 2018 ka qenë diku 68 për qind, që është një përmirësim shumë i madh, krahasuar me vitet e kaluara”, tha ai.

Brusa, mes tjerash, tha se Kosova ka bërë progres edhe drejt anëtarësimit në BE.

Brusa: Ka progresion të madh drejt anëtarësimit në BE

“Ka një progres apo një përparim të madh drejt anëtarësimit dhe drejt integrimit në sistemin e BE-së dhe në veçanti në këto pjesë të komunitetit të AKI-së që po i përmirësojnë jetët tona”, tha ai.

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë Christian Heldt tha se MSA është rrugëtimi i Kosovës drejt integrimit evropian.

Heldt: MSA është rrugëtimi i Kosovës drejt integrimit evropian

“MSA ashtu siç është nënvizuar është rrugëtimi i Kosovës drejt integrimit evropian dhe për këtë arsyeje jemi ne këtu sot BE me strukturat e Brukselit, po ashtu edhe me shtetet anëtare, unë mendoj që me të vërtetë është jo vetëm diçka praktike, por edhe bashkëpunim domethënës, jo vetëm praktikë që kemi pasur me partnerët tanë kroatë dhe polakë në këtë projekt. Nuk ka qenë e lehtë që të marrim MSA-në”, tha ai.

Heldt, mes tjerash, tha se dëshirojnë që të ofrojnë mbështetje për Qeverinë e Kosovës, e po ashtu edhe për popullin e këtij vendi që të lëvizet përpara në këtë agjendë, për t’u bërë pjesë BE-së.

Këshilltarja e kryeministrit të Kroacisë, Dubravka Vlasiq-Plese tha se Kroacia është e gatshme që të ndihmojë Kosovën për zbatimin e MSA-së.

Vlasiq-Plese: Kroacia e gatshme të ndajë përvojat me Kosovën

“Kroacia mbështet procesin e integrimit dhe kushtet e kriteret dhe gjithçka që bazohet në meritë. Kroacia zotohet që të ndihmojë vendet e Evropës Juglindore për të mbështetur duke ndarë njohuritë, përmes procesit tonë të integruar, jemi të vendosur që të promovojmë vlerat evropiane dhe të forcojmë marrëdhëniet e mira me vendet në rajon. Ne duam t’ju ndihmojmë në zbatimin e reformave dhe rrugës përpara të cilën e keni”, tha ajo.

Në fund është nënshkruar edhe memorandum mirëkuptimi për bashkëpunim dhe fuqizim të mëtejmë të kapaciteteve trajnuese të IKAP-it.

Ndryshe, projekti i binjakëzimit ka zgjatur dy vjet dhe aty ishin të angazhuar 53 ekspertë nga SHBA. Projekti ka për qëllim të mbështetet administrata e Kosovës për të menaxhuar në mënyrë efektive në procesin e MSA-së, duke përmirësuar politikat në integrimin evropian.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat