Selimi: Për UÇK’në janë dy të vërteta

Aktuale

Selimi: Për UÇK’në janë dy të vërteta

Më: 12 qershor 2019 Në ora: 21:16
Rexhep Selimi

“Mbi luftën, UÇK-në dhe zhvillimet që pasuan” ka qenë tema e tribunës së organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje në 20 vjetorin e çlirimit të Kosovës, me ç’rast është thënë se për luftën e UÇK-së janë krijuar dy të vërteta, një e vërtetë ashtu siç ka qenë dhe një e vërtetë tjetër e sajuar nga një masë e konsiderueshme e njerëzve.

Deputeti i kësaj partie, Rexhep Selimi ka qenë ai që ka folur për rëndësinë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Selimi ka thënë se 20 vjet pas Kosova nuk është aty ku kanë dashur dëshmorët dhe luftëtarët e UÇK-së dhe aty ku do të duhej të ishte pas çlirimit. Selimi tha se ka dilema se kur është formuar UÇK-ja, e për këtë ai tha se për herë të parë emri UÇK është dëgjuar në vitin 1994. Ai po ashtu ka treguar tri fazat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Për herë të parë fjalën Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe akronimin UÇK, e kemi dëgjuar në vitin 1994, pra i bije që themelet e UÇK-së pas gjithë atyre përpjekjeve zyrtarisht zënë vendin në vitin 1994. Që nga ajo kohë, deri në 97 ka pasur një aktivitet, një shtrirje më shumë ndërtim i një hierarkie horizontale, sesa vertikale në gjithë Kosovën. Po ashtu, faza e dytë është faza 1997-1998, pra nga koha e daljes publike e UÇK-së deri në Epopenë e Jasharajve dhe faza e tretë është nga Epopeja e Jasharajve deri në përfundim të luftës, ku ka ndodhur një mobilizim i madh dhe përfshirja e gjithë Kosovës në luftë. Po ashtu, ndërtimi i UÇK-së në një organogram, një hierarki dhe një strukturë organizative kompaktibile me ushtritë e NATO-së. UÇK u trashëgua në aspektin ligjor  dhe moral në Trupat Mbrojtëse të Kosovës, kur ndodhi transformimi dhe demobilizimi, e po ashtu edhe ajo më e rëndësishmja ndodhi çarm atosja e UÇK-së në shtator të vitit 1999 dhe transformimi i saj në TMK dhe prej atëherë TMK e kanë ruajtur si trashëgimtare të UÇK-së strukturën e saj, kanë trashëguar historinë e saj deri në vitin 2009. Çka ndodhi në vitin 2009, u mendua që FSK të ishte ushtria e Kosovës dhe të ishte trashëgimtare e UÇK-së, u shua TMK-ja dhe u formua FSK-ja, që del që për fat të keq  FSK nuk do të jetë trashëgimtare e aspektit juridik e UÇK-së”, tha ai. 

Deputeti i VV-së ka folur edhe për numrin e veteranëve të luftës së UCK-së. Selimi tha se menjëherë pas luftës në vitin 1999 të evidentuar kanë qen më pak se 11-mijë veteran, por që ky numër ai tha se ka shkuar duke u rritur vit pas viti dhe ka arritur në 30-mijë veteran, që sipas tij është shumë. Ai tha se nuk është turp të thuhet se UÇK ka pasur jo më shumë se 20-mijë ushtar.

Ai tha se në mënyrë të shumëfishtë është shtuar edhe numri i invalidëve të luftës, ku ai tha se në vitin 1999 kanë qenë më pak se 2-mijë të evidentuar, ndërsa sot janë mbi 8-mijë.

Deputeti Selimi tha se përveç numrit të veteranëve dhe invalidëve të luftës, është shtuar edhe numri i dëshmorëve, ku ai tha se në vitin 1999 më pak se dy mijë dëshmorë kanë qenë të evidentuar, ndërsa sipas tij tani ky numër tejkalohet mbi 3-mijë.

“60-mijë, 30-mijë apo 20-mijë ka veteranë të UÇK-së. Pra, veteran të UÇK-së janë në mesin tonë këtu, ka edhe jashtë këtu, por veteranët e UÇK-së iu kanë nënshtruar shumë proceseve deri në persekutim, proceseve gjyqësore për vet faktin se ata kanë qenë veteran të UÇK-së. Kemi pasur procese gjyqësore edhe nga UNMIK-u edhe nga EULEX-i, edhe nga gjykatat vendore deri edhe në Hagë, e sikur njësoj edhe tash është formuar edhe gjykata speciale kundër UÇK-së. Në Parlamentin e Kosovës është miratuar një ligj që nuk e ka miratuar asnjë nga parlamentet e njësive federative të Jugosllavisë, pra kemi miratuar ligj ku kemi marrë përsipër spastrimin etnik kundër serbëve në anën jugore të lumit Ibër, nëse i referohemi raportit të Williamsonit, i cili ka kërkuar themelimin e Gjykatës Speciale. Pra, në gusht të vitit 2015 Parlamenti i Kosovës e ka formuar Gjykatën Speciale, jo vetëm për t’i dënuar veteranët dhe luftë tarët e saj, por mbi të gjitha për të dënuar edhe luftën çlirimtarë të Kosovës”, tha ai.

Selimi ka pasur vërejtje për ndarjen e urdhrit hero i Kosovës dhe për gradimet e dëshmorëve. Ai ka akuzuar presidentin e vendit, Hashim Thaçi, se po bënë dekorime pa kritere.

“Nuk është respektuar asnjë kriter se kush, në cilat rrethana, sa prej tyre duhet të shpallen heronj të Kosovës. Janë shpallur heronj të Kosovës varësisht nga ndërhyrjet. Ju flas hapur, ju e dini të gjithë, ndoshta jeni përballur me këto gjëra, nga ndërhyrjet edhe nga lidhjet. Jo pse nuk e meritojnë ata që janë shpallur heronj të Kosovës, jo pse nuk janë heronj, shumë prej tyre janë, janë përmasa edhe legjendare. Për shembull hero i Kosovës është shpallur komandanti legjendar Adem Jashari, ai njëri është më shumë se aq ndoshta, është hero i përmasave deri në legjendë, por hero është shpallur edhe dikush që ndoshta ai që e ka shpallur hero ka menduar që të mbulojë ndonjë krim të supozuar. Pra, edhe Adem Jashari është shpallur hero i Kosovës edhe dikush që është vrarë pas luftës dhe nuk është zbuluar vrasësi është shpallur hero. Pra, motivi sidomos ky i dyti është keqpërdorim deri në këtë shkallë për t ë mbuluar krimin. Prandaj, jo vetëm që nuk ka pasur kritere, por është keqpërdorur deri në këtë shkallë detyra ose kompetencat e presidentit nga një individ, i cili sot e mban një pozicion të tillë”, tha Selimi.

Në këtë tribunë diskutimi Selimi ka pranuar shumë pyetje, ku një të tillë e ka pasur edhe nga kryetari i Vetëvendosjes, Allbin Kurti.

“A mendon që 20 vjet janë mjaftueshme që të kalojmë në fazën e një komision zyrtar për historinë e UÇK-së, për historinë tonë të re, të cilën ndonëse e kemi jetuar të gjithë kemi nevojë t’ua mësojmë edhe atyre të cilët nuk e kanë jetuar dhe nuk e kanë përjetuar atë periudhë? Duke e ditur që historinë nuk mundemi t’ua lejojmë tregut të na e përcaktojë se cili version duhet të mësohet, nuk mund të lejojmë që libri më i shitur të na thuhet se është e vërteta, ka disa gjëra që shteti dhe ana zyrtare duhet t’i marrë në duart e veta. E dyta, a do të ishte një mënyrë që të dalim tek një histori më e thellë dhe më e gjerë, e UÇK-së ajo përtej biografive të dëshmorëve dhe heronjve tek historitë e betejave të UÇK-së dhe të historitë e brigadave, batalioneve, zonave operative? A do të mund të na e zgjeronte dijen për UÇK-në një kalim i tillë, se duket që jemi të kufizuar bukur shumë tek biogra fitë e dëshmorëve?”, tha ai.

Deputeti Rexhep Selimi, duke iu përgjigjur shefit të tij, tha se pa u ndërruar pushteti nuk do të ketë një gjë të tillë.

“Vjen koha që Kosova do ta ketë këtë komision zyrtar për shkruarjen e historisë së UÇK-së, komision për të vërtetën e historisë së popullit shqiptar. Veç të jesh i bindur që sa t’i kemi në pushtet këta shtrembëruesit, ne nuk mund të kemi një gjë të tillë, këta e kapin edhe komisionin qysh e kanë kapur shtetin, kanë kapur kujtesën, kanë kapur historinë, e kanë kapur vlerën. Albin pa u ndryshuar Qeveria, nuk ndryshohet as Kosova, prandaj përvjeli duart”, tha ai.

Sa i përket pyetjes së dytë, Selimi tha se duhet të ketë biografi të dëshmorëve, por që nuk është e mjaftueshme. Ai tha se duhet të tregohet historia e UÇK-së edhe përmes ngjarjeve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat