Është ministrja më e re në kabinetin qeveritar, jo për nga mosha, për nga koha e emërimit të saj në këtë post. Adrijana Hoxhiq, që nga mesi i muajit prill është emëruar ministre e Pushtetit Lokal, ndonëse nuk është pjesë e asnjë partie politike.
Ajo njihet për punën që ka bërë, si drejtuese e Zyrës Administrative (ZA) të Mitrovicës veriore. Është lideria e parë që ka punuar me një staf të përbërë prej të gjitha etniciteve që jetojnë në Mitrovicë, por i cili nuk ka pasur asnjëherë probleme të asnjë lloj natyre, mes vete.
Kështu, ajo thotë se ka thyer akullin, duke rikthyer shembullin e bashkëjetesës atje, ndërsa është përballur me akuza dhe presione të shumta nga të gjitha anët.
Zyra Administrative, e cila më pas është bërë pjesë e Komunës së Mitrovicës veriore, ku Hoxhiq ka qene zyrtare kryesore ekzekutive për afro gjashtë vjet, është sulmuar edhe me bomba dhe i janë djegur edhe veturat zyrtare.
Por, Hoxhiq dhe stafi, nuk janë zmbrapsur asnjëherë. Kanë punuar, duke u ofruar shërbimet të gjithë qytetarëve që kanë pasur nevojë për to, pavarësisht prejardhjes etnike që kanë pasur.
Para se të vinte si drejtuese e Zyrës Administrative, Hoxhiq përgjatë dy viteve ka qenë kryesuese e Ekipit Përgatitor, i cili është marrë me organizimin e zgjedhjeve të para, të lira në Mitrovicën e veriut, ku shumica e qytetarëve i takojnë nacionalitetit serb.
Hoxhiq, në intervistën e parë publike që ka dhënë nga pozita e ministres, ka folur për rrugën e karrierës së saj politike, për veprimin në një ambient që nuk ka qenë stabil që prej përfundimit të luftës. Pastaj për atë se sa është e vështirë kjo për një grua politikane, për rreziqet që ka pasur drejtimi i Zyrës Administrative në Mitrovicën Veriore, në kohën kur kjo komunë ishte e mbushur me struktura paralele. Hoxhiq ka folur edhe për kontributin që ajo ka dhënë për normalizimin e situatës atje, si dhe për atë se si ka arritur që pas zgjedhjeve në veri, të sigurojë bashkëpunim njëkohshëm, edhe me autoritetet kosovare, por edhe me zyrtarë të Listës Serbe që nuk ia njohin pavarësinë Kosovës.
Për të gjitha këto, dhe çështje të tjera, Hoxhiq ka folur në një intervistë të iniciuar nga Fondacioni Jahjaga, në kuadër të projektit “Roli i mediave në avancimin e pjesëmarrjes së grave në qeverisje”.
Rruga deri në Qeveri
Hoxhiq, është emëruar ministre pas shkarkimit nga ky post të paraardhësit të saj, Ivan Todosijeviq, për shkak të disa deklaratave publike, përmes të cilave ai quante shqiptarët si terroristë, ndërsa masakrën e Reçakut e vlerësonte si të trilluar.
Por, Hoxhiq thotë se nuk ka të bëjë fare më këto deklarata dhe as nuk dëshiron t’i komentojë ato. Sepse, ajo si ministre, do të jetë në shërbim të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, pa dallim etniciteti.
Ajo tashmë ka dhënë prova për këtë, duke punuar si shefe e ZA, kur edhe përkundër sfidave të shumta, sulmeve e akuzave, ia kishte dalë të kryejë misionin për organizimin e zgjedhjeve të para të lira atje.
Hoxhiq deklaron se nuk i takon asnjë partie politike, dhe nuk merr pjesë në vendimet politike. Ajo është këtu për të ekzekutuar vendimet politike që i merr Qeveria dhe kryeministri Haradinaj.
“Unë do të thosha se politika është marrë me mua, e jo unë me politikën”, thotë fillimisht, Hoxhiq.
Në të vërtetë, shton ajo, qytetarët e Kosovës e kanë pasur fatin që patjetër të merren me politikë, sepse politikat kanë ndikimin në standardet e jetesës së secilit prej tyre.
“Në të vërtetë, unë që në vitin 1999 kam filluar që të punojë me qytetarët, përmes organizatave joqeveritare ndërkombëtarë, në gjithë Kosovën. E ndoshta, ishte edhe shkollimi im, i cili ka të bëjë me mjekësinë, pra është etika mjekësore, që më bën mua aso lloj karakteri që të kem dëshirë për të biseduar me qytetarët, t’i dëgjoj hallet e tyre dhe problemet që ata kanë. E pastaj, brenda mundësive të mija, me dijen time të bëjë përpjekje për t’i tejkaluar sfidat që ata kanë, duke i ndihmuar kështu njëri-tjetrit, sepse në fund të fundit të gjithë jemi njerëz dhe i kemi nevojat tona të ndryshme”, thotë Hoxhiq.
Ajo ka treguar se në kohën kur ishte bërë planifikimi i Qeverisë së Kosovës për organizimin e zgjedhjeve të e para në veri të Mitrovicës, në vitin 2010, është formuar një ekip, i quajtur “Ekipi përgatitor”, i cili ka pasur për detyrë që t’i organizojë zgjedhjet lokale edhe në veri të Kosovës.
“Që atëherë unë e kam pasur mundësinë, si kryesuese e këtij Ekipi që të vë kontakte me përfaqësues të ndryshëm ndërkombëtarë, me ambasada të ndryshme, ku unë e zgjodha rrugën për të qenë shumë e sinqertë për sa i përket gjendjes në veri. Kam folur shumë hapur për gjendjen aktuale të sigurisë, për shqetësimin që e kanë qytetarët atje, dhe më së shumti kam folur për bashkëjetesën”, ka thënë ajo. Ndërsa, ka shtuar se në fakt bashkëjetesa atje asnjëherë nuk është ndërprerë.
Krijimi i një modeli të komunikimit me qytetarë
Hoxhiq thotë që nga dita e parë është udhëhequr nga sinqeriteti, edhe pse ka pasur situata kur njerëzit nuk e kanë pëlqyer atë që ajo ka pasur për të thënë, më vonë të njëjtit e kanë parë se e thënë vetëm të vërtetën.
“Prandaj ka ardhur edhe dita kur unë e kam krijuar një model të komunikimit direkt me qytetarë, për të cilin ka pasur shumë nevojë të krijohej”.
Ajo thotë se në çdo nivel të qeverisjes lokale, e edhe ato vendimmarrëse, ka gra. Nga shtatë Drejtori, tri drejtohen nga gratë, thotë Hoxhiq.
Ajo thotë se në fillim nuk e kishte besuar se do të jetë aq e vështirë të merresh me politikë, “por kur nuk e dini se në çarë trubulence po hyni, atëherë ju vazhdoni punën që e keni filluar ndonëse nuk e dini se sa e vështirë është kjo gjë”.
Por, ajo thotë se nuk është penduar asnjëherë për këtë, sado që kjo ka qenë një sfidë shumë e madhe.
“Sepse në fillim gjithkush ka dyshuar në mua, siç ka edhe sot dyshime se unë i takoj ndonjë partie politike. Edhe atëherë më kanë bërë akuza të ndryshme, kinse unë jam dora e zgjatur e kush e di cilit politikan, ndonëse kjo s’ka pasur të bëjë asgjë me të vërtetën”, thotë Hoxhiq.
Dhe sqaron se ajo vetëm ka vendosur ta ngre zërin dhe të flas në emër të qytetarëve të atjeshëm, sepse Mitrovica veriore është një qytet i vogël, i cili dikur e ka ndërtuar edhe Prishtinën e edhe Beogradin.
“Kështu që unë e kam thyer akullin në atë kohë.
“E kam thyer akullin në atë kohë. Sepse, edhe kur ka pasur tensione në gjithë qytetin, zyra ime asnjëherë nuk ka pasur ndonjë problem. E kam fjalën për stafin multietnik, dhe për të gjithë qytetarët që kanë ardhur për të marrë shërbime aty. Këta qytetarë ndonëse kanë qenë të etniciteteve të ndryshme, aty asnjëherë asnjë konflikt sado i vogël nuk ka ngjarë”, thotë Hoxhiq
Sigurisht, që të gjithë e dinë se stafi i Zyrës administrative shumë herë ka qenë në rrezik për jetë, kemi pasur shumë vetura të djegura dhe atak direkt në staf.
“Krejt kjo ka qenë, vërtetë shumë e vështirë. Por, megjithatë nuk kemi hequr dorë nga puna jonë, sepse që nga fillimi kemi qenë të sinqertë dhe mesahzi ynë ka qenë i qartë: ne jemi aty për të qenë shërbyes të qytetarëve dhe kjo është mënyra se si veprojmë edhe sot. Me kohë, njerëzit na kanë njohur. Dhe janë bindur se jemi të sinqertë. Dhe kështu ne kemi mbijetuar dhe kemi mbetur pjesë e komunës”, thotë Hoxhiq.
E pyetur se me farë risku ka qenë drejtimi i ZA-së në Mitrovicën e veriut, në kohën kur ajo pjesë e vendi ka qenë e mbushur me struktura paralele, ajo është përgjigjur se “krejt kërcënimet nuk kanë ardhur nga ato struktura, ndonëse realisht unë nuk mund ta quaj paralel asnjë institucion atje. “Por, më pas, me punën tonë e kemi vërtetuar se kjo nuk ka të bëjë asgjë me realitetin”.
E kur është pyetur se pas zgjedhjeve në veri, si ka arritur të sigurojë bashkëpunim njëkohësisht edhe autoritetet kosovare, por edhe me zyrtarë të Listës Serbe, të cilët nuk e njohin ende pavarësinë e Kosovës, Hoxhiq ka thënë se Zyrtarë të Listës Serbe janë pjesë e Qeverisë së Kosovës, ata kanë marrë pjesë në procese të organizuara nga Qeveria e Kosovës.
Hoxhiq thotë se asnjëherë nuk ka marrë pjesë në proceset e ndërtimit të politikave, por gjithherë ka qenë dhe ende është në shërbim të ekzekutimit të vendimeve politike që i merr kryeministri dhe partitë politike.
Ajo thotë se tani nuk e kishte asnjë problem të pranojë postin e ministres, por sfida e vetme për të mbetet udhëtimi nga Mitrovica në Prishtinë.
“Unë jam person që ka bashkëpunuar me të gjitha institucionet dhe nuk jam person që njerëzit nuk më njohin. Ata që kanë bashkëpunuar me mua, e dinë se unë jam e sinqertë dhe jam në gjendje gjithmonë të kritikoj dhe e di çka dua. Asnjëherë nuk dal vetëm të flas për një problematikë, por gjithmonë kam gati sugjerimet se si t’i tejkalojmë sfidat që i kemi”, thotë ajo.
Në fund, thotë se do të punojë shumë dhe do të jetë në shërbim të të gjitha komunave të Kosovës.
“Unë do të bashkëpunoj njësoj me të gjithë 38 kryetarët e komunave. Pra, nuk do të punoj me parti politike, por me kryetarët që i ka zgjedhur populli”, thotë ajo.
Hoxhiq ka diplomuar në dy fusha, ka përfunduar studimet Master në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës dhe Fakultetin Ekonomik dhe të Administrimit në Universitetin e Beogradit.
Ky shkrim u mundësua nga Programi Angazhimi për Barazi (E4E) i financuar nga Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) dhe zbatuar nga Qendra e Trajnimeve dhe Burimeve për Avokim (ATRC). Përmbajtja është përgjegjësi e Fondacionit Jahjaga dhe nuk pasqyron deomos pikëpamjet e ATRC, USAID ose të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara.