Ushtria e Kosovës parakalon për 20 vjetorin e çlirimit;Thaçi: FSK e gatshme të mbrojë paqen

Aktuale

Ushtria e Kosovës parakalon për 20 vjetorin e çlirimit;Thaçi: FSK e gatshme të mbrojë paqen

Më: 13 qershor 2019 Në ora: 12:42
Ushtria e Kosovës

Për shënimin e 20 vjetorit të çlirimit të Kosovës, njësitet e Ushtrisë së Kosovës kanë parakaluar në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë.

Ushtarëve me një fjalim u është drejtuar komandanti suprem Hashim Thaçi, i cili tha se sot Forca e Sigurisë së Kosovës është e gatshme për të mbrojtur paqen për çdo qytetar të vendit në cdo cep të territorit.

Thaçi tha se FSK është Forcë profesionale, e standardeve të NATO-së dhe Forcë multietnike. Para ushtarëve presidenti tha se po punojnë për një marrëveshje finale me shtetin serb.

Ndërsa, deklaroi se kanë ndërtuar marrëdhënie të mira me të gjithë fqinjët, duke përmendur Malin e Zi, Maqedoninë Veriore dhe Shqipërinë. Kreu i shtetit tha se i gëzohen anëtarësimit të Malit të Zi dhe Maqedonisë në NATO, ndërkohë që potencoi se edhe Kosova është duke punuar që sa më parë të jetë pjesë e NATO-së.

Thaçi: Po punojmë edhe për marrëveshje finale, gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese edhe me Serbinë

“Po punojmë edhe për marrëveshje finale, gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese edhe me Serbinë. Të nderuar ushtarë, qytetarë të Republikës së Kosovës, dëshirojmë të mbyllim kapitujt e konflikteve dhe të tragjedive të shekullit të kaluar, të hapim kapitullin e ri të jetës në liri, në barazi, në zhvillim dhe prosperitet. Kjo është aspirata jonë e përbashkët, kjo është detyra jonë e përbashkët, ky është zotimi ynë për qytetarët e Kosovës, e gëzofshim lirinë”, u shpreh Thaçi.

Thaçi duke iu drejtuar ushtarëve të Kosovës tha se nga aspirata dhe angazhimi i popullit për liri kanë lindur edhe ata. Ai tha se e kishin Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, të transformuar pastaj në Trupat Mbrojtëse të Kosovës, pastaj ai tha se kanë themeluar Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe para pak muajsh edhe ushtrinë e Kosovës.

Presidenti potencoi se po punojnë për anëtarësim në NATO dhe në Bashkim Evropian.

Thaçi: FSK e gatshme për të mbrojtur paqen për cdo qytetar të Kosovës

“Sot Forca e Sigurisë së Kosovës është e mishëruar me këtë dëshirë për liri, me gatishmërinë për të mbrojtur paqen për cdo qytetar të Kosovës në cdo kënd të Republikës së Kosovës, pra në cdo cep të territorit të Kosovës. FSK sot është Forcë profesionale, e standardëve të NATO-së, është Forcë multietnike që në mënyrën më të mirë pasqyron atë që kemi arritur, atë që kemi ndërtuar së bashku. Të nderuar ushtarë, këto ditë kujtojmë të kaluarën, por shikojmë edhe kah e ardhmja. Kemi arritur shumë në këto 20 vite, kemi pasur edhe sfida jo të lehta. Kemi ndërtuar institucionet e shtetit dhe kemi rindërtuar shoqërinë, kemi vënë bazat e zhvillimit ekonomik dhe të sundimit të ligjit. Me këto kemi konfirmuar aspiratën tonë të re, e kemi realizuar aspiratën për liri dhe aspiratën për shtet të pavarur dhe sovran, tani po punojmë për anëtarësim në NATO dhe Bashkim Evropian. Rruga jonë nuk do të jetë e lehtë dhe e shpejtë, por është e sigurt. Duhet të përfundojmë reformat në ekonomi, drejtësi dhe politikë, duhet të përmbyllim konsolidimin e brendshëm dhe ndërkombëtarë të shtetit duke fituar edhe anëtarësimin në organizatën e Kombeve të Bashkuara”, tha ai.

Presidenti Thaçi ka folur edhe për shënimin e 20 vjetorit të lirisë, ku ai tha se kujtojnë të gjithë dëshmorët e lirisë dhe ata që dhanë jetën për lirinë e vendit.

Thaçi: Këto ditë po shënojmë 20 vjetorin e lirisë së vendit dhe popullit tonë

“Këto ditë po shënojmë 20 vjetorin e lirisë së vendit dhe popullit tonë, sot kujtojmë të gjithë dëshmorët e lirisë, luftëtarët trima të UCK-së, kujtojmë me nderime dhe respekt komandantin legjendar Adem Jashari, kujtojmë me nderime dhe respekt sakrificën e cdo qytetari të Kosovës që në një formë apo formë tjetër kudo që jetonin ishin shndërruar në çlirimtar të Kosovës. 20 vite të përfundimit të gjenocidit dhe spastrimit etnik të shtetit të Serbisë, 20 vite të lirisë dhe paqes. Shënojmë kthimin e një milionë shqiptarëve të Kosovës në shtëpitë e tyre në Kosovë, vazhdimin e rindërtimit të jetëve dhe të shtëpive tona. Mbylljen e kapitullit të tragjedive e vuajtjeve dhe hapjen e kapitullit të shpresës dhe angazhimit për një jetë më të mirë”, tha ai.

Për shënimin e 20 vjetorit të çlirimit të vendit dje është mbajtur ceremonia qendrore, ku për shënimin e këtij përvjetori vendin e kanë vizituar ish presidenti amerikan Bill Clinton dhe ish-sekretarja Amerikane Madeleine Albright.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat