Nënshkruhet protokolli për marrëveshjen e ekstradimit Kosovë-SHBA

Aktuale

Nënshkruhet protokolli për marrëveshjen e ekstradimit Kosovë-SHBA

Më: 13 qershor 2019 Në ora: 15:30
Pamje nga takimi

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri dhe zëvendës ndihmësi i sekretarit të Shtetit, Matthew Palmer, kanë nënshkruar sot protokollin e instrumenteve të ratifikimit të marrëveshjes së ekstradimit në mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ministri Tahiri me këtë rast ka theksuar se ky nënshkrim shënon një rast historik për marrëdhëniet dypalëshe në mes dy vendeve në fushën e bashkëpunimit juridik.

“Traktati pasqyron realitetin e ri në Ballkan dhe kjo marrëveshje fuqizon edhe më tej sundimin e ligjit dhe subjektivitetin e Kosovës, duke e bërë një partner të besueshëm në luftën kundër krimit trans nacional”, tha ai.

Traktati, sipas ministrit Tahiri është simbol i bashkëpunimit të shkëlqyer në mes dy vendeve dhe pasqyron parimet për luftimin efikas të krimeve që janë karakteristike për shekullin 21.

Sipas ministrit Tahiri, nënshkrimi i sotëm i jep një kahje krejt të re bashkëpunimit mes dy vendeve, duke rritur bashkëpunimin në fushën e sundimit të ligjit,  si dhe duke u ofruar prokurorëve dhe autoriteteve tjera në të dy anët e Atlantikut mjete të reja për t’i sjellë kriminelët para drejtësisë.

Në një takim paraprak me Palmer, ministri Tahiri e njoftoi atë për reformat e ndërmarra në sistemin e drejtësisë, përfshirë politikat e reja penale, politikat e të drejtave pronësore si dhe masat e ndërmarra në kuadër të Agjendës “Drejtësia 2020” për përmirësimin e performancës së sistemit të drejtësisë në Kosovë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat