Gazetari britanik: Vuçiq pret shkatërrimin e BE-së, ja si e ëndërron ai krijimin e “Serbisë së Madhe”

Aktuale

Gazetari britanik: Vuçiq pret shkatërrimin e BE-së, ja si e ëndërron ai krijimin e “Serbisë së Madhe”

Më: 13 qershor 2019 Në ora: 17:28
Gazetari britanik, Tim Marshall

Gazetari britanik, Tim Marshall, i cili ka shkruar edhe një libër për luftën e Kosovës të titulluar “ Loja e hijeve: Tregimi i brendshëm i luftës së fundit në Evropë”, ka folur për përpjekjet e Serbisë dhe Kosovës për të vendosur paqe ndërmjet vete.

Megjithatë ai konstaton se një gjë të tillë nuk e dëshiron presidenti i Serbisë, Aleksnader Vuçiq, i cili ushqen ende shpresa se Bashkimi Evropian do të bie, do të shpërbëhet NATO-ja, dhe ai me ndihmën e Rusisë do të krijojë ‘Serbinë e Madhe’.

Këto konstatime Marshall i nxjerr në një shkrim autorial të publikuar City AM, ku ka folur edhe për idenë e korrigjimit të kufijve.

“Sot një ish-ultra nacionalist, Aleksadner Vuçiq, është president, i cili po u jep shpresë atyre që dëshirojnë të ‘ngrijnë’ edhe më tej problemin me Kosovës, se Evropa përfundimisht do të bie, NATO do të shpërbëhet dhe Rusia do të shkojë drejt tyre dhe do t’i ndihmojë për rindërtimin e ëndrrës së shkatërruar për “Serbinë e Madhe” “, shkruan Marshal.

Sipas tij në këtë lojë është i përfshirë edhe presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, i cili në janar të këtij viti qëndroi për vizitë në Serbi.

Teksa ka folur për idenë e korrigjimit të kufijve, Marshall thotë se ajo duket një ide tërheqëse por e rrezikshme, pasi që mund të nxitë lëvizje të kufijve në të gjithë rajonin.

Ai thotë se në rast të krijimit të një precedenti mes Kosovës dhe Serbisë, lëvizje të kufijve do të nxiten edhe nga shqiptarët në Maqedoni, e serbët që jetojnë në Bosnje e që synojnë bashkimin me Serbinë.

Siç shkruan Marshall, në pamje të parë ide të tilla duken ‘mistere’, por thotë se bazuar në historinë 120 vjeçare të Ballkanit, nuk duken të parealizueshme.

Në fund gazetari britanik thotë se një situatë e tillë ka nevojë për zgjidhje, duke ngritur shqetësime se gjërat nuk shkojnë mirë, sa herë që Evropa largon vëmendjen nga Ballkani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat