Vetëvendosje dhe PSD deklarohen për rrëzimin e Qeverisë

Aktuale

Vetëvendosje dhe PSD deklarohen për rrëzimin e Qeverisë

Më: 13 qershor 2019 Në ora: 18:50
Kuvendi i Kosovës

Dy partitë opozitare Vetëvendosje dhe Partia Socialdemokrate kanë dhënë nënshkrimet e tyre për mocionin për rrëzimin e Qeverisë, që të dyja partitë kanë shprehur gatishmërinë për bashkëpunim në mënyrë që sa më shpejt të rrëzohet Qeveria Haradinaj dhe të shkohet në zgjedhje të parakohshme.

Zyrtari për media i Vetëvendosjes, Arlind Manxhunka, pohoi se tashmë deputetët e VV-së  kanë dhënë nënshkrimet për mocionin e mosbesimit.

“Ne si Lëvizje i kemi dhënë nënshkrimet tona dhe tashmë po presim dërgimin e mocionit në Kuvend. Më nuk kemi kohë për të humbur dhe sa më parë duhet të bjerë kjo qeveri dhe vendi të shkojë në zgjedhje. Meqenëse kjo qeveri çdo ditë bënë skandale e harxhon miliona në projekte korruptive mendojmë që është e nevojshme që vjeshta të na gjejë me një qeveri tjetër”, është shprehur ai.

Tutje ai tha që duhet sa më shpejtë të procedohet mocioni dhe të mos dështojë duke pritur.

Të gatshëm për bashkëpunim drejt rrëzimit të Qeverisë u shprehën edhe nga Partia Socialdemokrate.

Zëdhënësja e PSD-së, Natyra Kuçi tha se 12 deputetët e kësaj partie i kanë dhënë nënshkrimet për rrëzimin e Qeverisë.

“Ne jemi deklaruar për çështjen e mocionit qysh nga kur ka filluar të flitet për të. I kemi dhënë 12 nënshkrimet tona për ta rrëzuar këtë qeveri. Të njëjtin qëndrim e kemi përsëritur edhe në takimin që e ka pasur kryetari Ahmeti me zotin Isa Mustafa. Kemi shprehur gatishmërinë për bashkëpunim në ndërtimin e një strategjie të përbashkët opozitare, dhe jemi të gatshëm që të angazhohemi në këtë drejtim”, tha ajo.

Mocionin e mosbesimit e kanë iniciuar tri partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës, Vetëvendosje dhe Partia Socialdemokrate.

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa javë më parë ka realizuar edhe takim të ndara me kryetarin e Vetëvendosjes, Albin Kurtin dhe kryetarin e PSD-së, Shpend Ahmetin, me ç’rast edhe janë dakoruduar që të ndërmarrin veprime të përbashkëta për rrëzimin e Qeverisë.

Tri partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Socialdemokrate, i kanë gjithsej 56 deputetë në Kuvendin e Kosovës dhe për suksesin e një mocioni të mosbesimit për Qeverinë, nevojiten edhe 5 vota.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat