E pafalshme mungesa e krerëve të opozitës në ceremoninë e çlirimit të Kosovës

Aktuale

E pafalshme mungesa e krerëve të opozitës në ceremoninë e çlirimit të Kosovës

Nga: Z.B Më: 13 qershor 2019 Në ora: 22:14
Pamje nga ceremonia zyrtare për shënimin e 20 vjetorit të hyrjes së trupave të NATO-s

Dje u mbajt ceremonia zyrtare për shënimin e 20 vjetorit të hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë dhe çlirimin e vendit.

Në këtë manifestim kanë marrë pjesë shumë personalitete, në mesin e tyre ishin edhe ish-presidenti dhe miku i madh i Kosovës, Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton, ish-sekretarja Amerikane të Shtetit, Madeline Albright dhe ish-gjenerali i NATO-s, Wesley Clark, mirëpo diçka që ra në sy në këtë manifestim ishte mungesa e opozitës së Kosovës.

Gjatë ditës së sotme partitë opozitare kanë deklaruar se nuk kanë pasur ftesë për pjesëmarrje në ceremoninë e djeshme.

Kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, përmes një postimi në Facebook ka thënë se nuk ka marrë asnjë ftesë për pjesëmarrje në ceremoninë e djeshme të shënimit të 20-vjetorit të çlirimit të vendit.

“Nuk kam marrë pjesë, sepse nuk më ka ardhur ftesë për këtë ceremoni dhe për asnjë aktivitet tjetër”, ka shkruar Mustafa në Facebook.

Megjithatë, Mustafa ka shkruar se ndihet krenar për ceremoninë e mbajtur dje në sheshin Skënderbeu, dhe se ketë shesh e kanë ndërtuar me përkushtim në kohën kur LDK-ja e drejtonte kryeqytetin.

Gjithashtu, edhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka thënë se nuk ka pasur ftesë nga institucionet e Kosovës që të marrë pjesë në ngjarjet e organizuara për nder të 20 vjetorit të çlirimit të Kosovës.

“Nuk e di që kam pasur ftesë në kutinë e deputetëve por kemi pasur edhe shumë organizime si Lëvizje Vetëvendosje meqenëse është përputhur edhe me ditën e Lëvizjes. Grupi jonë parlamentar i ka ndarë deputetët nëpër aktivitete të ndryshme dhe ata kanë marrë pjesë”, tha Kurti.

Në lidhje me këtë deklaratë, analisti dhe juristi, Blerim Burjani, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se kjo festë është e të gjithëve, ngase, siç thotë ai, kjo është edhe për qytetarët por edhe për partitë politike.“S’ka kuptim po që se nuk kanë pasur ftesa ose nuk kanë ardhur partitë opozitare në këtë ceremoni festive, një çështje tjetër nuk ka pasur njerëz nga bota akademike ,shoqëria civile të pranishëm në ditën e manifestimit”, tha ai.

Sipas tij, organizimi ishte për një numër vogël të pranishmëve në shesh ku ishte dashur të ulen në karrige , po ka pasur edhe shume njerëz tjerë që kanë qëndruar në këmbë në publik.

Image
Blerim Burjani

“Pra, me pjesën tjetër dërmuese të qytetarëve , megjithatë kjo është apo ishte çështje e organizatorit, manifestimi është të jetë me pjesëmarrës të shumtë nga partitë , shoqëria civile , bota akademike duke i ftuar të gjithë në mënyrë dinjëitoze”, tha Burjani.

Tutje, Burjani shtoi se është përgjegjësi e organizatorit të këtij manifestimeve, siç potencoi ai, janë mjaft të rëndësishme për të gjithë qytetaret e Kosovës.

Burjani tha se vërehej edhe mungesa e deputetëve të Kuvendit të Kosovës, e sipas tij, kjo nuk e di për çka ka ndodhur dhe as nuk ka kush që të dijë se për çfarë arsyeje nuk ishin në manifestim deputetët e Kuvendit të Kosovës. Ai tha se kjo nuk ka kuptim.

“Të gjithë është dashur të jenë pjesëmarrës në manifestim në sheshin “Skenderbeu”, ku edhe është mbajtur fjalimi i presidentit Klinton”, përfundoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat