Kërkohet angazhim më i madh institucional për mbështetjen e të rinjve

Aktuale

Kërkohet angazhim më i madh institucional për mbështetjen e të rinjve

Më: 14 qershor 2019 Në ora: 16:48
Foto ilustrim

Të rinjtë e Kosovës kanë kapacitete dhe përkushtim për të çuar përpara çështje të rëndësishme që janë në interes të vendit. Atyre u nevojitet mbështetje institucionale për kauzat e tyre, dhe krijimi i mundësive për një perspektivë më të mirë në vend.

Kështu u tha me rastin e shënimit të 10 vjetorit të Kuvendit të të Rinjve të Kosovës, me ç’rast u vlerësua se të rinjtë e vendit janë të gatshëm të punojnë vullnetarisht për mirëqenien e shoqërisë.

Në një organizim të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, për shënimin e këtij jubileu, ministri Kujtim Gashi, tha se Kuvendi i të Rinjve të Kosovës është aleat i ministrisë të cilën ai e drejton.

Gashi tha se ka një numër të madh të projekteve për të cilat bashkëpunojnë me Kuvendin e të Rinjve. Duke folur për rëndësinë e ligjit të ri për të rinjtë, ai tha se janë të interesuar që praktikën e të rinjve ta bëjnë që të njihet si përvoje pune.

Sipas tij, është shumë me rëndësi që organizatat rinore të kenë qëndrueshmëri.

Gashi: Kuvendi i të rinjve, aleat dhe partner i shkëlqyer i MKRS-së

“Për mua dhe për institucionet e Kosovës është shumë me rëndësi që të kemi mekanizma të tillë, të kontribuojmë në fuqizimin e të rinjve në vendimmarrje dhe në të gjithë sektorët ku ata janë pjesë. Dhe, ajo që është me rëndësi sot, Kuvendi i të rinjve, është një aleat, një partner i fuqishëm i MKRS-së, edhe në hartimin e dokumenteve, strategjive dhe në të njëjtën kohë të realizimit të projekteve”, tha Gashi.

Kryetari i Kuvendit të të Rinjve të Kosovës, Kastriot Luma, tha se ky 10 vjetor i gjen me 20 degë të themeluara, dhe me disa projekte në implementim.

Ai tha se krijimi i një qytetarie aktive do të bënte që të rinjtë të kenë një rol shumë të rëndësishme.

Ai kërkoi mbështetjen e institucioneve të Kosovës për të rinjtë e vendit. Teksa e quajti të mirëseardhur iniciativën e ministrit Kujtim Gashi për plotesim-ndryshimin e ligjit për të rinjtë.

Luma: Më shumë se kurrë, Kosova ka nevojë për të rinjtë

“Ky është momenti kur vendi ynë Kosova, ka më së shumti nevojë për ne. Në një moment si ky, çdo barrë bie mbi ne, mbi rininë e këtij vendi, mbi 50 përqind të popullsisë. Nëse me të vërtetë duam të kontribuojmë, atëherë kemi disa mënyra. Një ndër këto mënyra është  dhe të cilën dimë ta bëjmë më së miri kjo gjeneratë, është angazhimi ynë përmes vullnetarizmit”, tha ai.

Deputeti i VV-së, Ismajl Kurteshi, tha se rinia duhet të angazhohet me përkushtim dhe punë, që si kategoria me e margjinalizuar të zënë vendin që u takon.

Ai tha se ndryshe, as përparimi shoqëror nuk do të jetë aty ku duhet të jetë.

Kurteshi porositi të rinjtë që të kërkojnë perspektiven brenda vendit, e të mos ikin në vende tjera. Sipas tij, për këtë nevojitet angazhim i përbashkët në mënyrë që të krijohen kushte për një jetë më të mirë për te rinjtë e vendit.

Kurteshi: Nuk ka gjë më të mirë sesa të rinjtë të kërkojnë perspektivë në Kosovë

“Kërkesë konkrete për të rinjtë është investimi në arsim, ngritja e cilësisë në arsim, që juve ju përgatit për tregun e punës dhe që iu siguron vende të punës. Ju si të rinj, mendoj që do të duhej që perspektivën tuaj ta kërkoni këtu në Kosovë. Sado që duken të mira dhe joshëse daljet jashtë vendit, të ardhurat, kushtet e punës e të tjera, nuk ka gjë më të mirë sesa ju të kërkoni perspektivën tuaj këtu në Kosovë, sepse askund nuk mund të jeni më të respektuar dhe më të përkrahur sesa këtu. Duhet një angazhim i joni i përbashkët, që juve t’iu krijohet mundësia që këtu të gjeni perspektivën”, tha Kurteshi.

Ndërsa deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, u shpreh se aktivizimi i të rinjve kosovarë nuk ka munguar asnjëherë.

Zemaj: Më shumë punë bënë Kuvendi i të Rinjve sesa Kuvendi dhe Qeveria bashkërisht

“Mendoj se më shumë paraqitni ju aktivitete sesa Kuvendi dhe qeveria abshkërisht. Kështu që u jam mirënjohës udhëheqësve tuaj, me gjithë juve bashkërisht, institucioneve, ministrit që e kemi këtu , kryetari e komisionit për Arsim dhe deputetëve të Kuvendit të Kosovës, të cilët sadopak gjejnë kohë dhe mundësitë që të ju dëgjojmë juve në hallet dhe kërkesat që i paraqitni para institucioneve të Kosovës”, tha Zemaj.

Ky aktivitet në kuadër të shënimit të 10 vjetorit të Kuvendit të të Rinjve të Kosovës u mbajt në ambientet e Kuvendit të Kosovës. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat