Nëna e zhgënjyer zhvarros eshtrat e dëshmorit

Aktuale

Nëna e zhgënjyer zhvarros eshtrat e dëshmorit

Më: 15 qershor 2019 Në ora: 20:54
Për shumë vjet, Metihe Maliqi kishte pritur që varri i djalit të saj të rënë dëshmor, të rregullohej

E zhgënjyer, nëna e dëshmorit Adnan Maliqi, zhvarrosi eshtrat e të birit nga Varrezat e dëshmorëve në Prishtinë

Për shumë vjet, Metihe Maliqi kishte pritur që varri i djalit të saj të rënë dëshmor, të rregullohej.

Maliqi rrëfen se djali i saj 20-vjeçar ishte vrarë derisa po luftonte si pjesëtar i UÇK-së, në Zonën Operative të Llapit, më 1999, raporton KTV.

Pas luftës, trupi i Adnan Maliqit ishte varrosur në Varrezat e dëshmorëve në kryeqytet.

Mirëpo, pas 20 vjetësh, Metihja, e shtyrë nga mosmbajtja e premtimeve për rregullimin e varrezave, është detyruar që t’i nxjerrë eshtrat e të birit dhe t’i varrosë në Varrezat e dëshmorëve, në Penuhë të Podujevës.

61-vjeçarja thotë se një vit më parë, inspektorë të Komunë së Prishtinës kishin tentuar ta pengonin zhvendosjen e eshtrave të djalit të saj.

Eshtrat e ish-pjesëtarit të UÇK-së nga Orllani i Podujevës, tani pushojnë në mesin e bashkëluftëtarëve të Llapit, trevë në të cilën ishte lindur dhe rritur.

Nëna e dëshmorit Maliqi thotë se që nga koha e qeverisjes së Ismet Beqirit, ajo e Isa Mustafës e deri te kjo e Shpend Ahmeti, ka kërkuar vazhdimisht që varrezat e dëshmorëve të rregullohen, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

Gjendjen e këtyre varrezave në kryeqytet e vlerësojnë të mjerueshme në Shoqatën e Dëshmorëve në Prishtinë.

Aty thonë se në vend që Prishtina të jetë shembull i mirë për komunat tjera, po ndodh e kundërta.

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, nuk u është përgjigjur mesazheve telefonike të shtunën, në lidhje me gjendjen e varrezave dhe rastin e familjes Maliqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat