Nishani: Kosova nuk do ta pranojë lojën e dyfishtë të Serbisë

Aktuale

Nishani: Kosova nuk do ta pranojë lojën e dyfishtë të Serbisë

Më: 16 qershor 2019 Në ora: 12:01
Ish-presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani

Ish-presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani ka kritikuar Serbinë se nuk ka respektuar marrëveshjen për mos pengimin e Kosovës, por përkundrazi ka investuar lobime të fuqishme për të destabilizuar procesin e integrimit të Kosovës në botën ndërkombëtare.

Nishani në një intervistë për KosovaPress, ka thënë se mesa ka parë nuk ka asnjë dilemë në rajon dhe as nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, që Kosova ka qenë gjithmonë një mbështetëse dhe e gatshme për dialogun me Serbinë, por është Serbia ajo që pengon proceset.

Nishani: Serbia ka investuar lobime të fuqishme kundër Kosovës

“Stabilizimi i problemeve të mëdha dhe tejkalimi i problemeve midis shqiptarëve dhe serbëve kalon përmes Prishtinës. Nga ana tjetër mund të themi me shumë siguri që për fatin e keq shumë marrëveshje të cilat janë arritur gjatë këtij procesi të dialogut nga ana e palës serbe nga 60 apo 70 përqind e tyre janë refuzuar të implementohen, janë bllokuar dhe njëra prej angazhimeve më kryesore që ka qenë që Serbia nuk do pengonte integrimin, çoftë në nismat rajonale, çoftë në institucionet ndërkombëtare të Kosovës, ka rezultuar një gënjeshtër e madhe prej tyre, përkundrazi kanë investuar lobime të fuqishme për të destabilizuar procesin e integrimit dhe të associmit të Kosovës dhe shtetit të Kosovës në botën ndërkombëtare”, tha Nishani.

Nishani theksoi se institucionet e Kosovës, janë të  interesuara për vijimin e dialogut por kanë të drejtën e tyre që të shikojnë implementimin e marrëveshjeve të arritura deri tash me Serbinë.

Nishani: Serbia duhet të heq dorë nga Kosova

“Institucionet e Kosovës vazhdojnë të mbetën të interesuara për vijimin e dialogut por që në radhë të parë ato kanë të gjithë të drejtën e tyre që të shikojnë implementimin e marrëveshjeve të arritura më parë në interesat kryesisht të integrimit të Kosovës në institucionet evropiane, ndërkombëtare, të heqin dorë nga margjinalizimi i përparimit të Kosovës në heqjen dorë nga krimi i organizuar dhe i synimeve izolacioniste ndaj Kosovës dhe zonave të caktuara të territorit të një shteti të lirë të njohur ndërkombëtarisht nga shumica dërrmuese  e shteteve të botës së lirë”, tha ai.

Nishani shpreh bindjen e thellë që Kosova së shpejti do i bashkohet NATO-s dhe askush në proceset e integrimit evropian nuk mund ta pengojë Kosovën, pasi sipas tij, pengimi i Kosovës do thotë minim i stabilitetit të rajonit.

Nishani: Pala serbe duhet t’i përmbush detyrimet

“Nuk mund të jetë gjithmonë vetëm Kosova dhe autoritetet e Kosovës ata të cilët jo në kuptimin për të bërë lëshime por vetëm për të përmbushur në mënyrë të një anshme angazhimet e tyre sepse sado që do përmbushen në mënyrë të një anshme angazhimet e Kosovës, nëse pala serbe nuk përmbush angazhimet e saj të gjitha këto përpjekje pozitive të Kosovës kthehen në të paqena. Prandaj, çështja e vendosjes së taksës, tarifave apo edhe vendimeve të ndryshme që mund të marrin dhe kanë marrë institucionet e Kosovës janë absolutisht në funksion të qartësimit të një procesi”, tha ai.

Sa i përket dialogut me Serbinë, Nishani thotë se ka ardhur koha që dialogu dhe procesi i stabilizimit shqiptaro-serb të jetë në një rrugëkalim të qartë me etapa, me objektiva të qarta.

Nishani: Serbia nuk duhet bërë lojën e dyfishtë në dialog

“Ka ardhur koha që dialogu dhe procesi i stabilizimit shqiptaro-serb të jetë në një road map në një rrugë kalim të qartë me etapa, me objektiva të qarta dhe të mos ecët më vetëm në një rrugë boshe dhe të mos rrotullohemi brenda një rrethi bosh pa produkte konkrete dhe pa angazhime konkrete. Dhe në këtë rast mendoj se është tërësisht përgjegjësi e palës serbe për të dakorduar siç e kam dëgjuar edhe kërkesën që vjen çoftë edhe nga Parlamenti i Kosovës, çoftë nga Qeveria, çoftë nga të gjitha institucionet e Kosovës që kërkohet të ketë një platformë të qartë me piketa të qarta, me objektiva të qarta, me angazhime të qarta dhe me një skedul të qartë të vijimit të këtij dialogu. Pra, ka ardhur koha për t’u bërë praktik, për t’u bërë të qartë dhe të vërtetë. Çdo tentativë tjetër për të luajtur lojë të dyfishtë, natyrisht që unë jam i bindur se nuk do të anashkaloj tek vullneti i Qeverisë s ë Kosovës, i qytetarëve të Kosovës të cilët në fund të fundit sot janë një vend i lirë, janë një vend i pavarur, kanë mbështetje të fortë ndërkombëtare”, tha ai.

Nishani ka folur edhe për gjendjen në Shqipëri, ku ka thënë se çdo neglizhencë e krizës së madhe, do të mund ta sjellë një situatë të përleshjes së qytetarëve me përfaqësuesit e institucioneve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat