Sërish përplasje për PTK-në, Aliu pyet Gjonbalajn nëse e ka punësuar vajzën e tij në Telekom

Aktuale

Sërish përplasje për PTK-në, Aliu pyet Gjonbalajn nëse e ka punësuar vajzën e tij në Telekom

Më: 17 qershor 2019 Në ora: 09:57
Pamje nga mbledhja

(E plotësuar) - Anëtari i Komisionit hetimor parlamentar, Liburn Aliu e ka pyetur ish- kryesuesin e bordit të Telekomit të Kosovës se a e ka punësuar vajzën e tij në Telekom, sa ka qenë anëtar i bordit.

Rexhë Gjonbalaj nga ana tjetër e ka mohuar një gjë të tillë, duke thënë se vajza e tij është punësuar përmes një konkursi në postë. Ai madje tha se sa ka qenë pjesë e bordit të Telekomit, fëmijët e tij e kanë pasur të ndaluar të pretendojnë të hyjnë në Telekom.

***

Para Komisionit hetimor për gjendjen në PTK dhe Vala është duke raportuar ish- kryesuesit i Bordit të PTK-së, Rexhë Gjonbalaj. Ai tha se ish-kryeshefi ekzekutiv i PTK- së Adnan Merovci ka nënshkruar një para-kontratë me Dardafon dhe se ata si bord nuk e kanë ditur se çka do të thotë vmo.

Sipas tij si kryesues i bordit të PTK për herë të parë informatën për kontratën e Z- Mobile e ka marrë nga Sabedin Ramaxhiku, i cili ka interpretuar se Autoriteti rregullativ i ka dhënë licencën kësaj kontrate.

Image

"Jemi konsultuar me anëtarët e bordit. Askush nuk e ka ditur se çka është vmo, ka qenë pastaj faza e bordit dhe nuk jemi marrë me çështjen e projektit vmo, sepse nuk e dinin se çka ishte ky projekt. Kryeshefi ekzekutiv Adnan Merovci ka filluar çështjen vmo. Ai ka nënshkruar një para-kontratë me një partner amerikan. Më duket se ajo informatë ka qenë në media pa dijeninë e bordit. Të nesërmen kemi shkuar në kompani dhe kërkuam sqarim. Ai ka thënë se është para-kontratë, nuk ka ndonjë vlerë. Kemi thënë se bordi nuk ka ide. Për këtë ai ka kërkuar një grup ekspertësh, ku është bërë prezantimi për një periudhë të gjatë derisa janë shterë të gjitha pyetjet rreth çështjes vmo. Në parim kemi qenë i gjithë bordi, por pasi shpjegimet kanë qenë se duhet të aprovohet projekti, nuk ka pasur dilema dhe kushtet tjera teknike. Është çështje e menaxhmentit. Kemi qenë pro, sepse kemi qenë të bindur se ai projekt është në të mirë të telekomit", tha ai.

Kryetari i komisionit, Visar Ymeri, ka pyetur se si ka mundur ta vlerësojë se kjo kontratë ka qenë në interes të Telekomit.

Gjonbalaj tha se menaxhmenti iu ka thënë se telekomi ka kapacitete të lira dhe do të shfrytëzohen ato me zero investime. Ai shtoi se menaxhmenti i PTK-së nuk i ka marrë parasysh sugjerimet së tyre si bord për rishikim të kontratës pas tri vjetësh. Sipas tij, në asnjë mbledhje të bordit nuk kanë ardhur kërkesa që të ndërpritet kontrata me Z-Mobile.     

"Nuk ka asnjë kërkesë përveç një rasti nga kryeshefi ekzekutiv Shyqiri Haxha. Ka një kërkesë të vetme për ndërprerje të kontratës dhe bordi e ka marrë, dhe ajo kontratë nuk ka qenë aktive dhe bordi ka lejuar funksionimin e kontratës. Bordi i drejtorëve nuk merr vendim në bazë të një deklarimi dhe nuk mund ta gjeni askund që ka kërkesë për ndërprerjen e kontratës më vonë. Kam kërkuar të bëhet ndërprerja", tha ai.

Komisioni vendos që Shyqiri Haxha të ftohet përsëri në raportim

Në Komisionin Hetimor Paralamentar që po heton keqpërdorimet në PTK dhe Vala është vendosur sot që të ftohet përsëri në raportim ish-kryeshefi  i PTK-së, Shyqiri Haxha.

Kjo pas përplasjes që pati ky i fundit me deputetën e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra të cilën e akuzoi se i kishte kërkuar që ta punësonte një familjar të saj në këtë kompani.

Deliu-Kodra tha se ajo u akuzua pa të drejtë dhe kërkoi nga komisioni që të kërkojë përgjegjësi nga dëshmitarët që nënshkruajnë deklaratën nën betim.

“Jam akuzuar pa të drejtë në dhënien e deklaratës nën betim. Unë kërkoj nga komisioni që të kërkojnë përgjegjësi për deklaratat që jepen nën betim”, tha Deliu.

Ndërsa, deputeti Milaim Zeka tha se Haxha i ka kërkuar falje Blerta Deliut nëpërmes tij, pasi që ai e kishte ngatërruar Deliu-Kodrën më dikë tjetër.

“Unë e kam taku Shyqri Haxhën ai nëpërmjet meje i ka kërkuar falje zonjës Deliu pasi që ai e ka ngatërrua Blertën me dikon tjetër”, tha Zeka.

“Duhet edhe njëherë që në plotni ta intervistojmë z.Haxha e sidomos pas deklaratave që i ka dhënë ai në kohën e fundit”, tha Visar Ymeri.

Pas këtij diskutimi para komisionit ka dalë, ish-kryeshefi i bordit të PTK-së Rexhë Gjonbalaj.

Para deputetëve ai ka deklaruar se është në një proces gjyqësor për këtë cështje.

 “Më vjen mirë që mua më jepet mundësi të deklarohem rreth kësaj çështje. Por, nuk e di nëse bëj ndonjë shkelje në raportim derisa jam në proces gjyqësor. Unë kam disponim për t’u deklaruar, vetëm nuk dua të dëmtohem juridikisht. Dua të më siguroni se nuk do të kem pasoja”, ka thënë ai.

Deputeti Zemaj, në anën tjetër ka thënë se përderisa gjykimi është publik, nuk ka ndonjë problem dëshmia para komisionit.

Gjonbalaj ka thënë se kishte kryesuar bordin në mandat tre vjecar, derisa ishte zgjedhur edhe për një mandat tjetër.

 “Kam ushtruar dy mandate pasi ligji e lejon deri në tri mandate. Puna e bordit bazohet ne ligjin për ndërmarrje publike. Nga ky ligj buron statuti i ndërmarrjes publike. Bordi është organ kolektiv vendimmarrës, por jo organ ekzekutiv. Puna mes këtyre dyjave është e ndarë dhe nuk përzihet bordi në menaxhment. Kam dëgjuar këtu deklarime nga më te ndryshmet, por unë jam i barabartë me të gjithë anëtarët e tjerë. Pra, e kam të drejtën vetëm për një votë”, ka thënë Gjonbalaj, duke u përgjigjur në pyetjet e deputetëve nëse ka pasur kompetenca të përziera mes bordit dhe menaxhmentit.

Ai ka thënë se kur e ka marrë detyrën, kontrata me Dardafon i është prezantuar nga bordi se është kontratë urgjente.

***

Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me gjendjen në PTK dhe Vala interviston Rexhë Gjonbalaj, ish-kryetar i Bordit të Drejtorëve të PTK-së.

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat