Sigurimi i PDK-së i pret me dhunë pjesëtarët e shoqërisë civile

Aktuale

Sigurimi i PDK-së i pret me dhunë pjesëtarët e shoqërisë civile

Më: 17 qershor 2019 Në ora: 10:50
Ata janë penguar nga sigurimi i kësaj partie që t’i vendosin pankartat te PDK-ja

(E plotësuar) - Përfaqësues të shoqërisë civile që sot kanë mbajtur “Marshin e Refuzimit” për të kundërshtuar projektligjin për financimin e partive politike, janë ndalur nga sigurimi te selia e Partisë Demokratike të Kosovës, të cilët janë larguar me dhunë nga aty.

Shoqëria civile nuk është lejuar të vendosë mbishkrimet me amendamente për të refuzuar këtë projektligj, e të cilat janë vendosur te partia e AAK-së, Nismës, Vetëvendosjes, PSD-së dhe LDK-së.

Përfaqësuesi i shoqërisë civile, Ismet Kryeziu, ka thënë se kanë pasur leje për të vendosur mbishkrimet te secila parti. Ndërsa, i ka bërë thirrje kryetarit të PDK-së Kadri Veseli që të marrë masa ndaj dhunës që është ushtruar ndaj përfaqësuesve të shoqërisë civile.

Ai gjithashtu ka kërkuar nga Veseli të tërheqë projektligjit për financimin e subjekteve politike.

Kryeziu: Kemi vizituar të gjitha subjektet politike, kjo na u pamundësua te PDK

“Ne sot kemi vizituar të gjitha subjektet politike, kjo na u pamundësua te PDK. I bëjmë thirrje z.Veseli që të sigurojë ligj që të sigurojë sigurinë tonë për të protestuar lirshëm. Ne jemi qytetarë të këtij vendi, ne kemi të drejtë të protestojmë, ne kemi kërkuar leje, ne kemi marrë leje për të protestuar. I bëjmë thirrje z. Veseli dhe subjektit të tij politik që të demonstrojë demokraci, i bëjmë thirrje që të garantojë siguri, i bëjmë thirrje që të tërheqë ligjin, i bëjmë thirrje që të mos na i prek qytetarët të cilët kanë dalë, sepse nuk duhet të jetë parti e dhunës, duhet të ndërtojë standarde për qeverisje të mirë. Është kryetar i Parlamentit, duhet të jetë shembull i subjektit të tij për qeverisje të mirë. Ne bëjmë edhe një herë thirrje duke mos rënë nën provokimin e truprojave të tij që Kuvendi ta tërheqë ligjin, i cili nuk garanton transparencë, i cili nuk garanton dhe nuk jep emra tà « donatorëve të tyre, kërkojmë që të mos kushtëzojnë grantet donacione me tender. Ne i kërkojmë edhe një herë që z.Veseli të marrë masa në partinë e tij për dhunën, të cilën e kanë ushtruar sot mbi aktivistët e shoqërisë civile”, tha ai.

Organizatat e shoqërisë civile kanë mbajtur “Marshin e Refuzimit” për të kundërshtuar Projektligjin për Financimin e Subjekteve Politike, i cili sipas tyre nuk është konform frymës kushtetuese dhe cenon standardet ndërkombëtare për financimin e partive politike, e në veçanti rekomandimet e Komisionit të Venedikut.

Sipas tyre, ligji pas kalimit në lexim të parë ka pësuar ndryshime dhe janë 27 amendamente që e dëmtojnë substancën e ligjit. Ata thonë se me këtë projektligj u mundësohet partive politike të bëjnë pazare me paranë publike, u mundëson partive politike që të bëhen korporata duke i fshehur emrat e donatorëve.

Marshi refuzues ka filluar nga sheshi "Skënderbeu", nga ku kanë vazhduar në selitë e gjashtë partive më të mëdha parlamentare.

Kryeziu në emër të organizatave, ka treguar arsyet se pse e kundërshtojnë miratimin e këtij projektligji.

Kryeziu: I bëjmë thirrje Qeverisë për të tërhequr projektligjin

"Ne jemi sot këtu për t'iu bërë thirrje subjekteve politike, për t'i bërë thirrje Qeverisë së Kosovës për ta tërhequr ligjin, për arsye se standardet të cilat ne duhet t'i vendosim jo vetëm partitë politike po edhe si qytetarë duhet të kundërshtojmë keqpërdorimin dhe pazaret me paratë publike nga ana e subjekteve politike. Me këtë projektligj partitë politike na trajtojnë si klientë dhe jo si votues. Me këtë projektligj partitë politike fshehin në emrat tonë dhe na shohin si euro, me këtë projektligj partitë politike na ngritin tarifat tona dhe ulin gjobat e veta. Me këtë projektligj partitë politike në 27 amendamente dëmtojnë frymën e ligjit, dëmtojnë edhe të arriturat ose kërkesat nga ERA. Ne sot jemi këtu për të bërë një marsh, i cili do të fillojë nga këtu për t'i vizituar të gjitha subjektet politike dhe për t'i shpërndarë 27 amendamente ose mesazhe që dëmtojnë projektligjin për financimin e partive polit ike", tha Kryeziu.

Ai tha se “Marshi i Refuzimit” është bërë t'iu bërë thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të refuzojnë këtë ligj, si dhe për t'i bërë thirrje Qeverisë që ta tërheqë ligjin.

Kryeziu ka treguar disa nga pikat që janë problematike, ndërsa potencoi se nëse projektligji kalon në lexim të dytë do të tentojnë që ta pengojnë përmes presidentit, ndërkohë që ka thënë se edhe përmes Avokatit të Popullit do ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese.

Kryeziu: Do ta dërgojmë në Kushtetuese

"Integriteti i cili cenojnë zyrën për raportimin dhe mbikëqyrjen e financave të partive politike, nga ato që ngritin tarifat dhe paratë kesh për financimin e subjekteve politike  nga 50 euro në 500 euro. Nga ato të cilat subjektet politike i ulin vetës gjobat për parregullsitë që mund t'i bëjnë, nga pazaret që bëjnë grupet parlamentare dhe cenojnë frymën kushtetuese, sepse ligji determinon dje përcakton jetën dhe veprimin dhe financimin e partive politike dhe jo të grupeve parlamentare... Nëse Qeveria e Kosovës nuk e tërheq, nëse deputetët nuk e refuzojnë në do të marrim të gjitha masat ligjore. Do të provojmë përmes presidentit për ta rikthyer këtë ligj në Kuvend, gjithsesi nuk e përjashtojmë që përmes Avokatit të Popullit ta kërkojmë në Gjykatën Kushtetuese rrëzimin e këtij projektligji", tha ai.

Përfaqësuesit e 100 organizatave joqeveritare së pari janë ndalur te selia e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ku kanë kërkuar nga kryetari i kësaj partie, njëherësh kryeministri i vendit Ramush Haradinaj që të tërhiqet ky projektligj. Po ashtu, në hyrje të kësaj partie janë vendosur amendamentet që sipas shoqërisë civile janë në kundërshtim me ligjin.

Më pastaj, ata janë ndalur te Nisma Socialdemokrate, ku kanë kërkuar nga kryetari i kësaj partie Fatmir Limaj dhe deputetët e Nismës që të mos votojnë për këtë projektligj. Të njëjtat kërkesa janë paraqitur edhe te selia e Partisë Socialdemokrate.

Mbështetje që ligjit të mos kalojë, përfaqësuesit e shoqërisë civile kanë marrë te Lëvizja Vetëvendosje. Në hyrje të kësaj selie ishte vendosur një pankartë ku thuhej "Pajtohemi, ligji nuk kalon!"

Deputeti i LVV-së Sami Kurteshi, tha se si grup parlamentar gjatë diskutimit i kanë kundërshtuar ndryshimet që janë bërë dhe do të vazhdojnë t'i kundërshtojnë. Ai ka paralajmëruar se nëse projektligji kalon, do ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese.

Kurteshi: Nëse kalon projektligji, do ta dërgojmë në Gjykatën Kushtetuese

"Në lexim të parë ka kaluar me vota minimale, mirëpo ata e kanë kaluar, sepse kanë kaluar edhe disa ligje të tjera. Ne nuk jemi pajtuar pikërisht me këto ndryshime, ka edhe ndryshime të tjera që janë bërë që nuk kanë bazë kushtetuese. Mirëpo, kjo loja me mjete financiare të partive politike është një përpjekje e radhës për të legjitimuar vjedhjen e partive politike të mjeteve financiare në forma të ndryshme. Mendoj se kjo është vetëm një pjesë e vogël e asaj që do të duhej të bëhej në kontrollin e financimit të partive politike, sepse gjatë fushatave në të vërtetë një pjesë e madhe e mjeteve që mendohet se jepen në natyrë ose në forma të tjera që nuk është në natyrë dhe ato duhet të llogariten...Në rast se ky ligj eventualisht, unë mendoj se nuk do të kalojë, por eventualisht kalon ne do ta dërgojmë në Gjykatën Kushtetuese", tha ai.

Pas Vetëvendosjes, organizatat e shoqërisë civile janë ndalur edhe te selia e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ku kanë kërkuar që projektligji të mos kalojë.

***

Përfaqësues të shoqërisë civile janë përplasur sot me sigurimin e selisë së Partisë Demokratike të Kosovës të cilët me dhunë kanë larguar ata nga oborri i objektit të kësaj partie.

Punëtorët e sigurimit të PDK-së nuk kanë lejuar shoqërinë civile të vendosin pankartat tek selia e tyre, të cilat ishin pjesë e një aktiviteti në kuadër të fushatës së 100 organizatave të shoqërisë civile për kundërshtimin e Projektligjit për Financimin e Subjekteve Politike.

Madje të njëjti kanë përdorur edhe dhunë për t’i larguar ata, për dallim nga partitë e tjera që sipas shoqërisë civile nuk kanë pasur ndonjë reagim të ngjashëm.

Image

Zyrtarët e Policisë së Kosovës kanë diskutuar me përfaqësuesit e shoqërisë civile duke iu thënë që nëse kanë ankesa për dhunën e ushtruar nga sigurimi, të paraqiten në stacionin policor për të dhënë deklaratat e tyre.

****

Përfaqësuesit e shoqërisë civile janë përplasur me truprojat e selisë së PDK-së gjatë marshit të sotëm.

Ata kanë tentuar që para selisë t’i vendosin pankartat e tyre por punonjësit ushtruan dhunë ndaj tyre.

Drejtori i Institutit Demokratik të Kosovës, Ismet Kryeziu, e ka quajtur turp për PDK-në këtë incident.

Ai kërkoi nga kryetari i këtij subjekti politik, Kadri Veseli, përgjegjësi për dhunën e sigurimit të kësaj partie ndaj pjesëmarrësve.

Përfaqësuesit e shoqërisë civile kanë shkuar në selinë e secilës parti në kuadër të “Marshi i refuzimit”.

Në Vetëvendosje ata janë pritur me duartrokitje, por në partitë e tjera nuk u lejuan të hyjnë.

“Marshi i refuzimit” ka filluar në sheshin “Skënderbeu” dhe i njëjti që nga ora 10:00 ka vazhduar në selitë e disa partive politike në Kosovë.

Ky aktivitet zhvillohet në kuadër të fushatës së 100 organizatave të shoqërisë civile, për kundërshtimin e miratimit të Projektligjit për Financimin e Subjekteve Politike.

Ata u larguan nga dyert e PDK-së dhe më pas në vendin e ngjarjes ka dalë edhe policia. Disa prej aktivistëve kanë shkuar në stacion për të dhënë deklaratat e tyre rreth këtij incidenti.

***

Organizatat e shoqërisë civile nuk janë lejuar që të vendosin pankarta tek selia e PDK-së në Prishtinë siç kanë vepruar tek partitë tjera.

Ata janë penguar nga sigurimi i kësaj partie që t’i vendosin pankartat e njëjta, të cilat i kanë vendosur tek selia e AAK-së, VV-së dhe PSD-së.

Përfaqësuesit e OJQ-ve janë larguar me dhunë nga sigurimi i PDK-së. Ismet Kryeziu në emër të organizatave tha se të gjitha partitë politike kanë qenë të njoftuara për aksionin e tyre, ndërsa i ka bërë thirrje kryetarit të PDK-së Kadri Veseli që të sigurojë të gjithë për të protestuar lirshëm.  

Image

***

Organizatat e shoqërisë civile janë duke marshuar për të kundërshtuar Projektligjin për Financimin e Subjekteve Politike, i cili sipas tyre nuk është konform frymës kushtetuese dhe cenon standardet ndërkombëtare për financimin e partive politike, e në veçanti rekomandimet e Komisionit të Venedikut.

Marshimi ka filluar nga sheshi ‘Skënderbeu’ dhe kanë vazhduar tek selia e partisë së AAK-së.

Më pastaj do të vazhdojnë në selitë e partive të tjera politike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat