Deputetët kërkojnë seancë për Kosovën Lindore

Aktuale

Deputetët kërkojnë seancë për Kosovën Lindore

Më: 17 qershor 2019 Në ora: 15:03
Komisioni për Arsim ka shqyrtuar kërkesat e Këshillit Kombëtar Shqiptar

Komisioni për Arsim ka shqyrtuar kërkesat e Këshillit Kombëtar Shqiptar gjatë vizitës që ky komision dhe ai për Administratë Publike kanë bërë së fundi në Luginën e Preshevës.

Kryesuesi i Komisionit, Ismajl Kurteshi, propozoi që t’i dërgojnë letra ministrit të Kulturës, ambasadorit të Shqipërisë dhe kryeministrit të Kosovës lidhur me zgjidhjen e problemeve të parashtruara nga Këshilli.

“Kam menduar të i shkruaj kryeministrit dhe secilit ministër që ta ndihmojmë Luginën e cila për ata që kanë qenë atje. Gjendja në Luginë bazuar me krahasimet tash është më e keqe se para katër vjetësh prandaj mbështetja nga Qeveria është e rëndësishme. Ka mundësi t’iu ndihmohet shqiptarëve të Luginës të cilët janë komuniteti më i diskriminuar në Evropë”.

Anëtarët e komisionit kërkuan që mbi këtë çështje të mbahet seancë e veçantë ose të thirren ministrat përgjegjës në Komision.

Teuta Haxhiu deputete e AAK-së tha se thirrja e ministrave dhe mbajtja e një debati parlamentar është hap i domosdoshëm që Kosova duhet ta bëjë për ta ndihmuar Luginën e Preshevës.

“Kemi pa një realitet që atje çka ka ndodhë. Jemi dakorduar si deputetë që t’i thërrasim ministrat e linjave, qoftë të Arsimit apo të Kulturës, për të parë se ku është problemi i moszbatimit të një marrëveshje të Ministrisë së Kulturës.

“Unë mendoj se nuk kemi nevojë me shkrua letra por me i thirr në përgjegjësi”.

Arbërie Nagavci e VV-së përkrahi mendimin duke thënë se duhet thirrur kryesinë që të gjendet një zgjidhje.

“Duhet me shpejtësi dy komisionet që kemi qenë në vizitë të thërrasim kryesinë që të gjejmë zgjidhje. Sa më parë të thirret edhe ministri i arsimit për diplomat dhe tekstet shkollore. Duhet me adresua çështjen e licencimit të studentëve të mjekësisë”.

Albulena Balaj-Halimaj nga Nisma tha se rënia e banorëve në tri komunat tregon mos mbështetjen e Kosovës për çka e quajti të domosdoshme mbajtjen e një seance.

“Rënia drastike e banorëve e tregon moskujdesin dhe mosmbështetjen tonë. Është e domosdoshme me mbajt një seancë dhe me dalë me një rezolutë ose rekomandime”.

Valentina Bunjaku, tha se është e rrugës të thirret një seancë dhe të thirren ministrat për të diskutuar lidhur me këtë çështje.

“Ja duhet me u thirr një seancë ose me i thirr veç e veç ministrat dhe me diskutua me i dërgua përpara këto çështje e jo të bëjmë populizëm”.

Kurteshi tha se për këtë çështje do të mblidhen me Komisionin për Administratë dhe do të vendosin për veprimet e radhës. Komisioni për Arsim gjithashtu diskutoi lidhur me tekstet e reja shkollore dhe riorganizimin e shkollave, për çka u dakorduan që të thirret ministri i Arsimit për raportim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat