Ditën kur Kadri Veseli nis luftën çlirimtare kundër korrupsionit, qindra delegatë të PDK-së i votojnë Grabovcin e Beqajn

Aktuale

Ditën kur Kadri Veseli nis luftën çlirimtare kundër korrupsionit, qindra delegatë të PDK-së i votojnë Grabovcin e Beqajn

Më: 17 qershor 2019 Në ora: 22:50
Kadri Veseli

Një ditë pasi PDK zgjodhi në Këshillin Drejtues, e mes tyre edhe Adem Grabovcin, Besim Beqajn, Njazi Kryeziun dhe Zenun Pajazitin, që janë të dyshuar për aferën korruptive “Pronto”, kryetari i rizgjedhur i PDK’së, Kadri Veseli, i shpalli luftë korrupsionit, për ta çliruar Kosovën nga ai si prej Serbisë.

Duke mbajtur në gjirin e tij të akuzuar për korrupsion, e madje edhe duke iu dhënë pozita, si Beqajn që e ka bërë Ministër të Inovacionit, Veseli thotë se do ta luftojë korrupsionin.

Në këshill drejtues, PDK’ja ka zgjedhur, përveç Adem Grabovcit dhe Besim Beqajt, edhe këshilltarin e Veselit, Njazi Kryeziun dhe deputetin e PDK’së, Zenun Pajazitin. Të katërt janë në mesin e 11 të akuzuarve për aferën Pronto.

E, në konventën festive që PDK mbajti sot, Veseli po fliste se lider opozitar, duke thënë se në Kosovë po lulëzon korrupsioni e nepotizmi.

Ai tha se të rinjtë po detyrohen të largohen nga vendi. Madje, tregoi historinë e një të riu që shkoi në Gjermani, pasi kishte studiuar Financat por nuk arriti të gjejë, e të tjerët po punësoheshin përmes lidhjeve politike në institucione.

Kreu i  partisë që ka udhëhequr për 15 vjet që nga paslufta, sot tha se do ta clirojë Kosovën nga korrupsioni, ashtu siç ka luftuar kundër Serbisë.

“E kemi përfunduar luftën për pavarësi, por jo për shtetin e së drejtës. Sot jam këtu që të zotohem se ashtu siç kam luftuar për çlirimin e Kosovës, ashtu do të luftojmë që Kosovën ta çlirojmë nga korrupsioni dhe abuzimet”, ka thënë Veseli.

Mirëpo, praktika e PDK’së për të akomoduar të akuzuar për korrupsion është e kundërt me atë që deklaroi kreu i partisë.

Dje në Kuvendin e PDK’së janë rizgjedhur si anëtarë të Këshillit Drejtues, dy zyrtarë ndaj të cilëve është ngritur aktakuzë për aferën Pronto.

Ish-Shefi i Grupit Parlamentar të PDK’së, Adem Grabovci, ka marrë 323 vota, ndërsa ish-ministri i shumë qeverive, Besim Beqaj, që poashtu është i akuzuar pas përgjimeve në rastin Pronto ka marrë 247 vota.  

Në mesin e 11 të akuzuarve për aferën Pronto janë edhe këshilltari politik i Veselit, Njazi Kryeziu dhe deputeti Zenun Pajaziti. Edhe këta të dy janë zgjedhur në Këshill Drejtues. Kryeziu ka marrë 269 vota ndërsa Pajaziti ka marrë 322 vota. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat