Analistët: Lajmet negative nga Brukseli, pasojë e politikanëve që po merren veç me veten

Aktuale

Analistët: Lajmet negative nga Brukseli, pasojë e politikanëve që po merren veç me veten

Më: 18 qershor 2019 Në ora: 16:10
Foto ilustrim

Këshilli i Ministrave të Bashkimit Evropianë, në draft-raportin e tyre ka kritikuar ashpër Qeverinë Haradinaj në disa pika.

Kritikat e Këshillit të Ministrave janë të ashpra për taksën ndaj produkteve me origjinë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, për punësimet e njerëzve me precedentë penalë (dhe të dënuarit për krime lufte), për mos themelimin e Asociacionit, për hapjen e Urës së Mitrovicës, dhe për mënyrën si po trajtohet Gjykata Speciale.  Sa për vizat, Këshilli i Ministrave jep sinjale negative. Thotë se ‘është duke e shqyrtuar këtë…’

Artan Murati nga KDI ka thënë se politikanët në Kosovë nuk e marrin seriozisht agjendën e BE-së dhe se deklaratat janë vetëm për konsum të brendshëm.

“Premtimet për liberalizim të vizave asnjëherë nuk janë adresuar nga Brukseli, por nga politika vendore. Ky qëndrim i Këshillit e dëshmon se politikanët në Kosovë nuk e marrin seriozisht BE-në dhe agjendën evropiane, dhe deklaratat e tyre janë të motivuara për përdorim të brendshëm”, ka thënë ai.

Ai po ashtu ka thënë se qëndrimet e Këshillit të Ministrave janë të njohura, për të gjitha proceset.

“Qëndrimet e Këshillit, ku përfaqësohen shtetet anëtare, janë të njohura, edhe për taksën, edhe për vizat, edhe për rrugëtimin e Kosovës drejt BE-së. Thjeshtë, nuk është bërë progres i nevojshëm, i kërkuar nga BE, për të procedura më tutje”, u shpreh Murati

Ndërsa, profesori universitar, Rrahman Paçarizi thotë se taksa nuk duhet të lidhet me vendimin e vizave dhe se Kosova nuk duhet ta pranoj një kusht të tillë

“Vendimi për vizat nuk është përmendur në kontekst të heqjes ose jo të taksës. Domethënë raporti nuk i lidh këto dy çështje por në raport ka kritika për veprime të tjera. Taksa nuk guxon të lidhet me vendimin për liberalizimin – Kosova nuk duhet ta pranojë një kusht të tillë”, tha ai.

Sipas Paçarizit taksa ka qenë një veprim i gabuar dhe i pamenduar që u ka kushtuar qytetarëve të Kosovës, duke i bartur pasojat e taksës përmes rritjes së çmimit të produkteve të konsumit të përditshëm.

Ai, gjithashtu ka komentuar një pikë të këtij draft – raportin në të cilin kritikohet mos implementimi i Asociacionit duke thënë se nuk duhet të zbatohet marrëveshja përderisa nuk është zbatuar asnjë marrëveshje e Brukselit.

“Kritikat janë goxha mirë të bazuara sidomos ato për zbatimin e ligjit, punësimet etj. Sa i përket asociacionit Kosova e ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese që duhet ta zbatojë me përpikëri. Në anën tjetër nuk ka nevojë të zbatohet marrëveshja për asociacionin përderisa asnjë marrëveshje tjetër e asaj pakoje të Brukselit nuk është zbatuar”, ka thënë Paçarzi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat