Thaçi reagon ndaj konkluzioneve të Këshillit të Ministrave: BE po na trajton ndryshe nga shtetet tjera

Aktuale

Thaçi reagon ndaj konkluzioneve të Këshillit të Ministrave: BE po na trajton ndryshe nga shtetet tjera

Nga: G.B Më: 19 qershor 2019 Në ora: 13:40
Hashim Thaçi

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka reaguar pas Konkluzioneve të Këshillit të Ministrave për Çështje të Përgjithshme të Bashkimit Evropian, të cilat ai i ka quajtur zhgënjyese.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ai ka thënë se turbulencat e brendshme e kanë turbulluar vizionin e BE-së edhe ndaj Kosovës, përcjell Bota sot.

Ai ka thënë se ka pritur reflektim pozitiv sa i përket izolimit të Kosovës, por që sipas tij BE po e trajton Kosovën ndryshe nga vendet tjera dhe kjo nuk po kalon pa u vërejtur.

Postimi i tij i plotë:

Me shqetësim i kam lexuar konkluzionet zhgënjyese të Këshillit për Çështje të Përgjithshme të Bashkimit Evropian.

Shihet qartë që turbulencat e brendshme e kanë turbulluar vizionin e BE-së, e cila nuk po arrin të tejkalojë instinktin proteksionist dhe neglizhencës ndaj tërë rajonit, e posaçërisht Kosovës.

Ne nuk jemi fajtorë për problemet e brendshme të BE-së, dhe as që paraqesim asnjë rrezik për BE-në.

Prandaj, ne nuk do të mund të cilësohemi si fajtorë për zvogëlimin e rolit të BE-së në rajon dhe në Kosovë për shkak të dështimeve të vazhdueshme të saj.

shtete fqinje, si Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, kanë pritur lajme substanciale në rrugën e tyre për anëtarësim në BE, ne kemi pritur diçka krejt minimale.

Ne kemi pritur vetëm një reflektim pozitiv sa i përket fundit të izolimit të padrejtë të popullit të Kosovës.

Fatkeqësisht, BE-ja është duke e trajtuar Kosovën ndryshe krahasuar me vendet e tjera, dhe kjo padrejtësi nuk kalon pa u vërejtur. Por, nuk kalon pa u vërejtur as mungesa e një përkushtimi konstruktiv i institucioneve tona shtetërore për koordinimin e veprimeve strategjike në interes të vendit.

Unë ftoj liderët institucionalë dhe ata të partive politike parlamentare që të reflektojnë për situatën e rëndë në të cilën ndodhet vendi ynë në raport me realizimin e perspektivës tonë për anëtarësim në BE dhe NATO.

Izolimi dhe stagnimi duhet të marrin fund. Qytetarët e Republikës së Kosovës e meritojnë zhvillimin dhe integrimin e Kosovës në strukturat euroatlantike. HTH

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat