Krasniqi: Regresi në Kosovë ka histori më shumë sesa një mandat

Aktuale

Krasniqi: Regresi në Kosovë ka histori më shumë sesa një mandat

Më: 19 qershor 2019 Në ora: 15:11
Jakup Krasniqi

Ish-kreyparlamentari Jakup Krasniqi, thotë se problemet në Kosovë nuk i ka krijuar BE-ja, por politika e njerëzve siç thotë ai shpirtngushtë, pa vizion e pa dije për të drejtuar kombin e shtetin.

Krasniqi ka reaguar edhe ndaj deklaratave se qeveria aktuale po shënon regres, duke thënë se regresi në vend ka histori më të gjatë sesa një mandat.

Ai është shprehur skeptik për progres në Kosovë, duke thënë se një gjë e tillë nuk po shihet në horizontet tona politike.

Reagimi i plotë i Krasniqit

Kur njeriu i dëgjon e lexon lajme në mediet tona, lajmet e prodhuara nga politikanët, si "BE-ja po e trajton ndryshe Kosovën" apo "kjo qeveri po shënon vetëm regres" edhe po deshe të heshtësh nuk mundesh.

Pse nuk mundesh?

Nuk mund të heshtës se problemet në Kosovë nuk na i ka krijuar BE-ja, por na i ka krijuar politika e njerëzve shpirtngushtë që nuk kanë vizion e dije për të drejtuar kombin e shtetin në drejtimin e duhur.

Sigurisht edhe kjo qeverisje nuk është e duhura, por as ato parapraket nuk kanë qeverisur gjë më mirë. Qeveritë e kaluara na kanë sjellë në ketë gjendje, kjo e sotmja e ka vazhduar të njëjtin mentalitet të të qeverisurit dhe po vazhdon ta korrë atë që ia kishte mbjellë pararendësja.

Çështja është se problemet e grumbulluara nder vite nuk zgjidhen me kritika ndaj të tjerëve. Problemet tona politike zgjidhen me një vizion të qartë të cilin nuk e kemi as të kornizuar. Gjithashtu "regresi në qeverisje" nuk zgjidhet me konferenca shtypi, por me program të mirë qeverisës, sigurisht jo me programet e qeverive të shkuara, mbase as me ketë të qeverisë së sotshme.

Eh! sikur ta kishim një program qeverisës se paku të skicuar mirë e më përmbajtje shpresëdhënëse për qytetarët shpresëthyer! A diçka e tillë nuk po shihet në horizontet tona politike.

Të shpresojmë se politika e jonë do kthjellet një ditë!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat