Apostolova: Na ndihmoni t’i bëjmë presion qeverisë që ta ndal monopolin për homologim

Aktuale

Apostolova: Na ndihmoni t’i bëjmë presion qeverisë që ta ndal monopolin për homologim

Më: 19 qershor 2019 Në ora: 19:47
Nataliya Apostolova

Pas një shkrese me shqetësime drejtuar Kuvendit të Kosovës nga ana e Bashkimit Evropian, sot pasdite në Komisionin për Zhvillim Ekonomik, përreth tri orë është diskutuar lidhur me monopolin në fushën e homologimit të veturave, si dhe për barrierat jo tarifore për importin e veturave të reja që kanë origjinën nga BE-ja.

Për këtë ishte e ftuar shefja e zyrës së BE-së, ambasadorja Nataliya Apostolova, e cila tha se në Kosovë homologimi i veturave është një brengë e ngritur nga ana e BE-së, ngaqë në këtë fushë është krijuar një monopol në Kosovë.

Apostolova theksoi qytetarët po paguajnë çmime më të larta, po detyrohen të vijnë vetëm në Prishtinë, te një kompani, të paguajnë 125 euro për homologim. Sipas saj, kjo është një barrierë dhe BE-ja ka një brengë për këtë, sepse është kundër rregullave të BE-së dhe MSA-së.

Ajo kërkoi nga ministri Pal Leja dhe kryeministri Ramush Haradinaj që ta shfuqizojnë deri në korrik Udhëzimin administraitiv i hartuar nga Ministria e Infrastrukturës për homologimin e automjeteve, në të kundërtën monopoli për homologim do të vazhdojë edhe 10 vjet të tjera.

Apostolova: 10 vjet do të ketë monopol të njëjtë

“Kam ardhur të bisedoj me ju, sepse ju keni fuqinë, ju e përfaqësoni popullin e Kosovës, ju jeni ata që e mbikëqyreni punën e kësaj Qeverie, ngriteni zërin, na përkrahni neve. Sepse nëse nuk bëni zgjidhje dhe ikë muaji korrik 2019, do të keni edhe 10 vjet monopol të njëjtë. Besoj se njerëzit e Kosovës nuk e meritojnë këtë. Mos e përdorni këtë sa për të bërë një lojë se kush është fajtori, dhe kush e ka barë këtë para dhjetë vjetësh. Momenti ka ardhur që ju të gjithë së bashku, siç jeni ulur këtu para meje, t’i bashkoni forcat që të na ndihmoi neve t’i bëjmë presion qeverisë që të marrë përgjegjësi për këtë çështje. Jam e bindur se është e mundur për ta bërë përmes procedurave ligjore, apo me thirrje direkte të ministrisë përkatëse”, tha Apostolova.

Deputeti  i Vetëvendosjes, Galuk Konjufca theksoi se askush nuk është në dyshim për atë çfarë ka ndodhur me çështjen e homologimit të automjeteve.

Konjufca theksoi se në përputhje me ligjet, ka bazament për të luftuar monopolet, mirëpo po të kishte vullnet politik kjo ishte parandaluar. Sipas tij, ky reagim është i vonshëm, sepse ka dëme dhjetëra milionë euro.

Konjufca: Ka pasur përfitime të paligjshme, është dhjetëra miliona euro

“Tashmë mendoj se është vonë për këtë proces, kur dua të them, vonë nuk po them që procesi është i pa kthyeshëm, por mendoj se ka përgjegjësi për tej asaj që ne duhet ma marrin një vendim të drejt. Këtu ka përgjegjësi penale, dhe dikush duhet me u dënuar. Ka pasur përfitime të paligjshme, është dhjetëra miliona euro, për mos me thënë qindra miliona euro. Kështu që nuk do të thotë që ne do shkëpusim këtë praktikë të paligjshme, por duhet t’i shkohet kësaj deri në llogaridhënie. Prej këtyre monopoleve kanë përfituar disa njerëz. Të gjithë jemi në pajtim se ky Udhëzim duhet me u pezulluar dhe për të gjithë këto shqetësime të cilat ne i listuam, i nderuari ministër Pal Lekaj, ju ftojmë me u paraqitur para Komisionit për t’i diskutuar këto problematika. Jo informacion, informacion është hajgare”, tha Konjufca.

Anëtarja e Komisionit nga LDK, Hykmete Bajrami tha se janë ankuar me vite të tëra për këto parregullsi në homologimin e automjeteve, ngaqë është antiligjore dhe antikushtetuese.

Deputetja Bajrami dhe kolegu i saj Krasniqi kanë akuzuar njëri tjetrin se nuk kanë ngritur këtë çështje sa ka qenë LDK dhe PDK në pushtet.

Bajrmai: Pozitë e opozitë duhet me u bërë bashkë me rrëzuar monopolin

“Maqedonia i ka pesë kompani që e kryejnë homolgoimin, Mali i Zi shtatë kompani, Britania e Madhe i ka 40, Finlanda e ka një agjencinë shtetëror që kreyn homologimin dhe me një çmim shumë më të ulët se sa është çmimi në Kosovë. Pra, po shihet kush po donë me i dërgua gjërat përpara. Ne jemi opozitë ne me pasur fuqi deri nesër e rrëzojmë qeverinë, por kur është çështja për integrim evropian dhe për të mirën e qytetarëve, është mirë edhe ju nga pozita të në bashkoheni, jo me ju rrëzuar juve, por me rrëzuar monopolin”, theksoi Bajrami. 

Ndaj deklaratave të deputetes Bajramit, ka reaguar kolegu i saj Memli Krasniqi nga PDK-ja, që sipas tij, si ministre e Tregtisë dhe Industrisë nuk e ka ngritur as një herë çështjen e monopolit.

Krasniqi: Deputete Bajrami kurrë asnjë fjalë s’e ke thënë si ministre

“Politikim që thash më herët, është pikërisht fjalimi i juaj. Nuk është fer, Hykmete, unë dhe ti jemi ulë bashkë në qeverinë e kaluar, kurrë asnjë fjalë s’e ke thënë si ministre për këtë çështje, kurrë s’e ke thënë as ti as unë. Nuk po dua me përmend ministrin (Lutfi Zharku) që ka qenë i ministrisë përkatëse, dhe ti ke qenë ministër e Tregtisë, çka ke bërë me ndal monopolin në homologim? Kur është bërë kjo marrëveshje për homologim, kanë qenë qeveritë PDK-LDK, por s’ke qenë as ti as unë ministër”, tha Krasniqi.

Ndërsa, kryetarja e Komisionit, Sala Berisha Shala tha se pajtohet me shqetësimet e BE-së për monopolin në homologimin e automjeteve dhe si deputetët mund ta zgjidhin këtë çështje.

Shala: Ne si deputet mundë të ndërhymë në ndryshimin e ligjeve

“Ne si deputet kemi mundësi me bërë punë të mira, që shkojnë në të mirën e zhvillimit ekonomik dhe në të mirën e qytetarëve të Kosovës. Nuk kisha dëshiruar që as ky takim, e as të tjerat, të shndërrohen në debat politik me akuza dhe kundër akuza, sepse ne mund të bëjmë. Nuk është vetëm ky udhëzim administrativ, siç po thuhet që është në kundërshtim me ligjin, ne kemi edhe ligje të tjera që janë nxjerrë udhëzime administrative, që janë në kundërshtim me ligjin”, deklaroi Berisha Shala.

Edhe deputeti Muharrem Nitaj theksoi se shqetësimet nga ana e  BE-së ka kohë që janë edhe shqetësime të deputetëve, por tani sfida është sesi të zgjidhet ky problem.

Nitaj kërkoj përkrahjen e BE për zgjidhjen e problemit për homologimin e automjeteve.

Nitaj: Monopoli është edhe shqetësim i yni

“Ka kohë që janë edhe shqetësime tona. Nuk është se kemi gabime në qasje. Problem, është se si ta zgjidhim problemin dhe si ta shtyjmë këtë çështje”, tha Nitaj.

Anëtari i Komisionit, deputet nga LDK, Lutfi Zharku the se ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj ka mundësuar me anë të një Udhëzimi administrativ që të vazhdojë monopolin për homologim.

Në fund Komisioni vendosi që për monopolin e krijuar dhe mundësitë e shfuqizimit të udhëzimit administartiv të ligjit përkatës, t’i dërgojnë një letër zyrtare ministrit Pal Lekaj, dhe ta ftojë ministrin në raportim gjatë javës së ardhshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat