Idrizi: Ministrit s’i pëlqeu që ia ndryshova vendimin, i thash se s’dua të shkoj në burg për askënd

Aktuale

Idrizi: Ministrit s’i pëlqeu që ia ndryshova vendimin, i thash se s’dua të shkoj në burg për askënd

Më: 20 qershor 2019 Në ora: 01:02
Ferid Idrizi

Ferid Idrizi, i suspenduar nga posti i u.d. të drejtorit të Departamentit të Integrimeve Evropiane në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, ka sqaruar në detaje konfliktin që ka pasur me të parin e politikës së arsimit në vend, Shyqiri Bytyqi.

Ai ka thënë se pas 27 viteve përvojë pune në arsim dhe menaxhim, i ka ardhur puna që të pezullohet nga Ministri i Arsimit.

“Sepse unë nuk e kam nënshkruar një dokument i cili kam konsideruar që është i paligjshëm dhe edhe sot mendoj se është i paligjshëm sepse është përgatitur nga Kabineti i Ministrit e jo nga Zyra Ligjore. Është fjala për një raport në mes të Këshillit Shtetëror të Cilësisë me Komisionin e Ankesave. Si duket, vendimet e KSHC-së nuk i kanë pëlqyer dikujt”, ka thënë ai.

Ai ka treguar se një zyrtar i Ministrisë ia dërgoi atij vendimin për nënshkrim pak para se të përfundonte orari i punës, në një të hënë.

“Kur e pash se shkruante Udhëzim për interpretim të nenit, e pash që diçka nuk është në rregull dhe unë kërkojë që kjo punë të harmonizohet me Zyrën Ligjore. Më fton shefi i Kabinetit të Ministrit, Baton Dushi dhe me një ton të ngritur më thotë ministri po të pret në zyrë. Kthehem në gjysmë të rrugës dhe kur vi, ministri nisi të më qortonte. Unë i thash se kryhet të mërkurën, sepse të martën ishte ditë pushimi”, ka thënë Idrizi.

Të mërkurën, ai dhe ministri Bytyqi janë takuar në një takim të thirrur për reformën në agjendën evropiane.

“Ai më tha se le të jetë hera e fundit kur ministri kërkon diçka ai se kryen. I thash se nuk dua të shkojë në burg për askënd”, ka thënë Idrizi.

Ai ka thënë se momenti më kritik ishte kur i ka thënë se ka pësuar ndryshime.

“Më tha dil jashtë. I them se na ke ftuar për reformën e agjendës evropiane, nuk dal për jashtë. Ai e kishte një shishe afër dhe më tha dil jashtë”, ka thënë Idrizi.

“Pas një dy ore jam munduar ta marrë veten, dhe e kam ftuar Sekretarin dhe e kam lutur që si epror si mik, ndërmjetëso, nuk po them të më kërkoj falje, por jam prekur shumë”, ka shtuar më tej.

Idrizi ka treguar se ndërkohë e ka denoncuar dhe se pret në drejtësi.

“E vlerësova si kërcënim dhe prokurori e ka marrë çështjen dhe po e trajton si kërcënim. Nuk e di a e kanë thirr, por unë besoj në drejtësi. Pasi e kam denoncuar menjëherë jam suspenduar. Nuk ka asnjë dëshmi që unë jam sjell keq me ministrin”, ka thënë ai.

Ai ka ripërsëritur pretendimin se ajo që ka tentuar të bëjë ministri është e jashtëligjshme.

“Opinioni nuk guxon me ardh prej Kabinetit të ministrit, sepse është e jashtëligjshme, plus nuk është në harmoni me ligjin”, ka thënë ai.

Idrizi më tej ka thënë se do të bëjë padi ndaj ministrit dhe shefit të kabinetit. Ka treguar se ishte punësuar në kohën e ish-ministrit Ramë Buja.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat