Diskutohet për rolin e institucioneve për dhunën në familje, mungojnë ministrat - Bota Sot
Diskutohet për rolin e institucioneve për dhunën në familje, mungojnë ministrat

Aktuale

Diskutohet për rolin e institucioneve për dhunën në familje, mungojnë ministrat

Më: 20 qershor 2019 Në ora: 11:02
Pamje nga konferencë

Me qëllim të shpalosjes së përkushtimit institucional rreth trajtimit të rasteve të dhunës në familje, me temën “Trajtimi institucional i rasteve të dhunës në familje”" organizata INJECT sot ka organizuar një konferencë.

E pavarësisht konfirmimit të pjesëmarrjes së ministrit të Drejtësisë, Abelard Tahiri dhe atij të Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa, ata nuk qenë të pranishëm në këtë konferencë, për çka Luljeta Aliu, drejtoresha e organizatës INJECT, tha se mungesa e ministrave, tregon përkushtimin e tyre.

"Nuk kam koment, kjo tregon përkushtimin e tyre. Kam shpresuar që kanë me qenë ministrat, edhe do të detyrohen të qëndrojnë,  me i pa shkeljet e drejtave të grave që po bëhen. Sot do të flasim për viktimizimin e grave në institucione. Nëse institucionet që e kanë për detyrë mbrojtjen e tyre dështojnë, dështon edhe legjitimimi i tyre për të jetuar. Ato të cilat përjetojnë dhunë në familje, e kanë shumë të vështirë me i zbardh këto shkelje. Nuk janë tregime, këto janë fakte. Ato janë duke e bërë një betejë me institucionet dhe shtetin", tha ajo.

Sipas saj, edhe në institucionet ku raportohet dhuna si në prokurori e polici, po bëhen shkelje.

Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, është shprehur se dhuna në familje është problem i trefishtë, në shoqërinë kosovare. Jashari shtoi se si pasojë e dhunës në familje dhe mos veprimit të shtetit, ka pasur raste që kanë përfunduar në fatalitet.

 "Në këtë qasje të trefishtë shteti ka përgjegjësi. Në vitin e kaluar Prishtina kishte 832 raste të raportuara, Prizreni 178, 140 Gjilani dhe  Peja 150 raste.  Supozojmë që është një fenomen që afekton shoqërinë tonë. Por cila është përgjigje që e marrin këto. Ka pasur raste që kanë përfunduar edhe me fatalitet, e ku ishte shteti”, tha Jashari.

Fatos Rushiti, këshilltar politik në Ministrinë e Punëve të Brendshme, tha se në  MPB janë të përkushtuar që t’i përgjigjen jo vetëm dhunës në familje por edhe fenomeneve të tjera.

Sipas tij, nuk mjafton që vetëm MPB të merret me këtë fenomen, por se është i nevojshëm edhe përkushtimi i ministrive të tjera.

“Me sa kemi hasur ne policia është element ekzekutues, duhet edhe ministritë tjera të jenë në lëvizje, sepse policia nuk mund të luaj të gjitha rolet. MPB është e gatshme ti përgjigjet problematike të tilla në çdo kohë që nevojitet”, tha Rushiti. 

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...