PSD kërkon krijimin e Gjykatës së Punës

Aktuale

PSD kërkon krijimin e Gjykatës së Punës

Më: 20 qershor 2019 Në ora: 11:40
Faton Topalli dhe Besa Baftiu

(E plotësuar) - Ndryshimi i Ligjit për Gjykata është nisma e re ligjore që Partia Socialdemokrate ka ndërmarrë, pas realizimit të nismës së tyre për rritjen e pagës minimale në Kosovë.

Këtë e ka bërë të ditur në një konferencë për media, deputeti i këtij subjekti, Faton Topalli, i cili ka thënë se PSD angazhohet që të krijohet Gjykata e Punës.

Ai tha se krejt kjo duhet të bëhet në mënyrë që punëtorët të fitojnë menjëherë të drejtat e tyre, e jo të pritet me vite të tëra që ata të fitojnë të drejtat e tyre. 

Topalli: Angazhohemi që të krijohet Gjykata e Punës

“Partia Socialdemokrate angazhohet që të krijohet gjykata e punës. Sistemi gjyqësor aktualisht vuan nga mos efiçienca, dhe jo profesionalizmi. Janë diku 245 mijë lëndë në gjykatat e Republikës të Kosovës të mbyllura në sirtar. Prej tyre, janë me mijëra raste që kanë të bëjnë në marrëdhënie me punën apo që shtyhen e zgjaten. Në fakt, sistemi jonë i drejtësisë u mohon atyre të drejtat. Pra, një e drejtë gjatë e mohuar, është një e drejtë e mohuar”, tha ai.

Me qëllim të informimit të punëtorëve për të drejtat e tyre dhe kthimin e besimit të tyre te sistemi i drejtësisë, Topalli tha se duhet të krijohen mekanizmat e nevojshëm.

Ai tregoi se si do të funksionojë Gjykata e Punës sipas Partisë Socialdemokrate. Siç tha ai, Gjykata e Punës do të jetë brenda kuadrit të secilës Gjykatë Themelore të Republikës të Kosovës , ndërsa në nivelin e apelit do të krijohen kolegjet e veçanta të gjyqtarëve.

Topalli: Gjykata e Punës ka për objekt trajtimi vetëm konfliktet e punës

“Gjykata e Punës, respektivisht Departamenti për marrëdhëniet e Punës, siç është paraparë nga Departamenti i Partisë Socialdemokrate ka për objekt trajtimi, vetëm konfliktet që rrjedhin nga konfliktet e punës, me qëllim të rritjes së efikasitetit të gjykatave dhe të realizimit të drejtave të punëtorëve, të cilët në sistemin aktual janë duke pritur me vite të tëra, pa i realizuar asnjëherë. Ky Departament kërkon gjyqtarë të profesionalizuar vetëm për këtë fushë, siç kërkon gjykimi i marrëdhënies të punës një kuptim tjetër për drejtësinë”, u shpreh ai.

E deputetja Besa Baftiu bëri të ditur, se PSD ka adresuar një numër kërkesash me qëllim të përmirësimit të fushës së punës dhe mirëqenies sociale. Ajo u shpreh se synojnë të krijojnë një ligj të punës që do të pamundësojë manipulimet ndaj punëtorëve, teksa paraqiti amendamentet për Ligjin e Punës.

Baftiu: Kemi një numër amendamentesh për Partinë Socialdemokrate

“Kemi kërkuar që për shkëputje të marrëdhënies së punës, mes punëdhënësit dhe punëmarrësit, pala që shkëput kontratën, të japë arsyetimet me shkrim, duke i dhënë punëmarrësit t’i shfrytëzojë mundësitë ligjore në rast se i është bërë e padrejtë. Kemi kërkuar që ligji të specifikojë se punëdhënësi nuk mundet të ndërpresë në asnjë rast punësimin e gruas shtatzënë ose gruas gji-dhënëse. Kemi kërkuar zgjatjen e afateve të njoftimit për largimin nga puna si dhe në mungesë të ligjit për sigurimin e papunësisë, e kemi parë me rëndësi zgjatjen e afateve të kompensimeve pas largimit nga puna”, u shpreh Baftiu.

Ajo tha se përmes amendamenteve tjera mbrojnë punëmarrësin nga vendimet arbitrare për largim nga puna, për shkak të angazhimeve të tyre sindikale.

Drejtpërdrejt nga konferenca e PSD-së

Partia Socialdemokrate po mban konferencë për media.

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat