Hoti: Pa shoqërinë civile nuk mund të përmirësojmë procesin zgjedhor

Aktuale

Hoti: Pa shoqërinë civile nuk mund të përmirësojmë procesin zgjedhor

Më: 21 qershor 2019 Në ora: 10:44
Avdullah Hoti

Kryetari i Komisionit Ad-hoc për përmirësimin dhe forcimin e procesit zgjedhor, Avdullah Hoti, ka reaguar pas bojkotimit që organizatat e shoqërisë civile i kanë bërë Grupit Këshillëdhënës që e mbështet punën e këtij komisioni për shkak të pakënaqësisë me draftin e Projektligjit për Financimin e Partive Politike.

Hoti tha se ky komisioni parlamentar ka synim kryesor adresimin e rekomandimeve të vëzhguesve të zgjedhjeve nga BE-ja dhe pa pjesëmarrjen e shoqërisë civile nuk mund të bëhet përmirësim substancial i procesit zgjedhor në Kosovë.

“Projektligji për të cilin organizatat e shoqërisë civile me të drejtë po kundërshtojnë, tani për tani nuk bie në kompetencën e këtij Komisioni Parlamentar. Në cilësinë e kryetarit të këtij Komisioni Parlamentar, i ftojë këto organizata të vazhdojnë të japin kontributin në Grupin Këshillëdhënës që të adresojmë në mënyrë cilësore rekomandimet e vëzhguesve të BE-së, ashtu siç e kemi paraparë me planin e punës të Komisionit”, shkroi Hoti.

Ndërsa në cilësinë e shefit të Grupit Paralmentar të LDK-së garantoi se ky projtkligj nuk do të përkrahet nga partia e tij.

“Dëshiroj t`i njoftoj ato se asnjë projektligj, e aq më pak ky për Financimin e Partive Politike, i cili bie ndesh me frymën kushtetuese dhe parimet zgjedhore sipas standardeve të BE-së, nuk do të përkrahet nga Lidhja Demokratike e Kosovës”, vijoi ai.

Hoti tha se beson se në Kuvendin e Kosovës do të arrijmë të ndërtojmë konsensusin e nevojshëm për një ligj për financimin e partive politike që është në përputhje me standardet e BE-së dhe që siguron financim dhe raportim transparent të partive politike, që siguron llogaridhënie të partive politike ndaj qytetarëve dhe votuesve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat