E konfirmon edhe kabineti i Macronit: Nuk ka takim mes Kosovës dhe Serbisë në Paris

Aktuale

E konfirmon edhe kabineti i Macronit: Nuk ka takim mes Kosovës dhe Serbisë në Paris

Më: 21 qershor 2019 Në ora: 14:52
Thaçi, Merkel, Vuçiq

(E plotësuar) - Kabineti i presidentit të Francës, Emmanuel Macron, konfirmoi se takimi midis përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë, i planifikuar të mbahet në Paris më 1 korrik, nuk do të mbahet.

Takimi, nën organizimin e Macronit dhe kancelares gjermane, Angela Merkel, është paralajmëruar gjatë një takimi të formatit të ngjashëm në Berlin, në fund të prillit.

Të enjten, edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, paralajmëroi mundësinë që samiti në Paris të mos mbahet.

“Nëse përgatitjet shkojnë mirë, do të mbahet me siguri. Nëse jo, mund të shtyhet”, tha Haradinaj në një konferencë shtypi.

Të premten, edhe presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, paralajmëroi se takimi në Paris nuk do të zhvillohet.

***

Qeveria gjermane i ka konfirmuar Deutsche Welle-s, se është shtyrë pa afat takimi Kosovë-Serbi në Paris.

Në përgjigjen e shkurtër që i kthehu DW një zëdhënëse e qeverisë gjermane, thuhet ndër të tjera edhe se Gjermania dhe Franca do të jetë edhe më tej në kontakt të ngushtë me Kosovën dhe Serbinë.

Në lidhje me takimin e punës së zhvilluar më 19 qershor në Berlin me përfaqësues të Serbisë, Kosovës, Gjermanisë, Francës dhe BE-së, zëdhënësja nuk donte të jepte sqarime.

Më parë media  vendore kishte raportuar për një takim të zhvilluar në Berlin për të përgatitur terrenin për takimin e Parisit. Sipas tyre, shkaku i shtyrjes së takimit është mospranimi i Kosovës për pezullimin e taksave doganore ndaj Serbisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat