Pas anulimit të Samitit të Parisit, Thaçi sulmon ashpër Haradinajn

Aktuale

Pas anulimit të Samitit të Parisit, Thaçi sulmon ashpër Haradinajn

Nga: D.RR Më: 22 qershor 2019 Në ora: 14:44
Ramush Haradinaj dhe Hashim Thaçi

Presidenti i Kosovës, ka mbetur i zhgënjyer nga anulimi i Samitit të Parisit, i cili ishte planifikuar të mbahej më 1 korrik, shkruan "Bota sot".

Për këtë, Thaçi ka hedhur fajin mbi qeverinë Haradinaj, duke thënë se vendimet dhe veprimet e nxituara, të pakoordinuara dhe të gabuara strategjikisht të institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovës, kanë dëmtuar rëndë respektin dhe mbështetjen e partnerëve tanë perëndimorë për Kosovën.

Ai ka bërë thirrje nga ndërkombëtarët që dialogu të fillojë sërish.

Postimi i plotë:

Dje dhe sot nga partnerët evropianë u informova se pas përpjekjeve të shumta për sukses, Samiti i Parisit, si vazhdim i atij në Berlin, definitivisht nuk do të mbahet. Ishte planifikuar vazhdimi i dialogut Kosovë - Serbi, i udhëhequr nga BE-ja, me mbështetjen unike dhe të fortë francezo-gjermane.

Vendimet dhe veprimet e nxituara, të pakoordinuara dhe të gabuara strategjikisht të institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovës, kanë dëmtuar rëndë respektin dhe mbështetjen e partnerëve tanë perëndimorë për Kosovën. Si rrjedhojë, partnerët tanë ndërkombëtarë, fatkeqësisht sot e mbajnë Kosovën përgjegjëse për bllokimin e dialogut, për dështimin e takimit të paraparë në Paris dhe për prolongimin e vendimit për liberalizimin e vizave për qytetarët tanë.

Dështimi i procesit të filluar në Berlin dhe anulimi i Samitit të Parisit, duhet të jetë moment reflektimi për akterët vendorë dhe faktorët ndërkombëtarë udhëheqës dhe mbështetës të procesit të dialogut për normalizim dhe pajtim mes shteteve dhe popujve tanë. Ngërçi në dialog dhe anulimi i Samitit të Parisit për të dy vendet, Kosovën dhe Serbinë, shënon hap prapa për të ardhmen evropiane. Prandaj, i bëj thirrje BE-së dhe SHBA-së që të mos i ndalin përpjekjet e tyre për rifillimin e dialogut dhe arritjen e marrëveshjes paqësore. HTH

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat