Reagon ambasadori amerikan për lirimin e Sabit Gecit nga burgu

Aktuale

Reagon ambasadori amerikan për lirimin e Sabit Gecit nga burgu

Më: 22 qershor 2019 Në ora: 20:13
Sabit Geci

Kritika të reja që lidhen me sundimin e ligjit në Kosovë, kanë ardhur nga ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Philip Kosnett.

Ai reagoi kundër një vendimi të Ministrisë së Drejtësisë në Kosovë për lirimin e një të dënuari me 15 vjet burgim për krime lufte në rastin “Kukësi”.

Bëhet fjalë për Sabit Gecin, i cili është liruar, derisa Kosnett u bëri thirrje institucioneve që të ndalin praktikën e pezullimit të dënimeve.

Ambasadori amerikan Philip Kosnett, ka kërkuar që të ndalet abuzimi i rregullt nga kriminelët e lidhur mirë të sistemit të pushimit mjekësor dhe dënimet e pezulluara, raporton Ktv.

Për këtë reagim të ambasadorit amerikan, ka reaguar ministri i drejtësisë, Abelard Tahiri, i cili ka thënë Ministria e Drejtësisë nuk ka asnjë kompetencë ligjore për të liruar nga vuajtja e dënimit, apo pezullimi i dënimit për asnjë person.

E, më vonë, ambasadori Kosnett është sqaruar për kritikat që ia bëri Ministrisë së Drejtësisë, duke thënë se në versionin origjinal ky tekst thoshte se Ministria e Drejtësisë kishte nënshkruar lirimin.

“Amendamentimi i Ligjit për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale bën që ky vendim të merret nga gjykatësit. E vlerësoj mundësinë për të përmirësuar çfarë kam shkruar”, ka përfunduar Kosnetti.

Ndërkaq, Gjykata e Apelit, në një përgjigje për Ktv-në, ka thënë se pasi që të burgosurit Sabit Geci, i është pezulluar ankesa për pezullim të dënimit, ajo i është miratuar kur i burgosuri ka bashkëngjitur raportin Profesional të Kolegjiumit të Mjekëve të QKUK’së.

Kjo është bërë, pasi i burgosuri ka dëshmuar se sëmundja prej së cilës vuan, nuk mund të trajtohet brenda institucioneve publike të vendit.

“Gjykata e Apelit e Kosovës gjatë muajit maj, fillimisht e ka refuzuar ankesën e të burgosurit për pezullim të dënimit pasi që kërkesa është bazuar vetëm në raportin e Kolegjiumit të Mjekëve të një spitali në Republikën e Turqisë. Më pas i burgosuri, kërkesës ia ka bashkëngjitur edhe Raportin e Profesional të Kolegjiumit të Mjekëve të QKUK-së, sipas të cilit, sëmundja më të cilën është diagnostifikuar se ai nuk mund të trajtohet në institucionet publike shëndetësore brenda Republikës së Kosovës. Nisur nga këto fakte dhe në zbatim të konventave ndërkombëtare, sipas të cilave “mostrajtimi adekuat i të burgosurit konsiderohet trajtim çnjerëzor”, konventa këto që Kosova është e obliguar t’i zbatoj. E po ashtu, duke marrë për bazë edhe praktikën e Gjykatës Evropiane për të drejtat e Njeriut në Strasburg, është vendosur pezullimi i përkohshëm i dënimit për gjashtë muaj, më qëllim që atij t’i ofrohet trajtim shëndetësor. Gjykata vendos në bazë të shkresave të lëndës dhe në këtë rast mendimi i eksperteve ka qenë determinues. Gjithashtu, në marrjen e këtij vendimi, gjykata ka pasur parasysh faktin se gjatë këtij viti, sipas shifrave zyrtare, në institucionet korrektuese kanë vdekur pesë të burgosur, shifër kjo shqetësuese”, ka thënë Arbër Jashari , nga Gjykata e Apelit. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat