Ekstremizmi i dhunshëm ende nuk është shuar në Kosovë

Aktuale

Ekstremizmi i dhunshëm ende nuk është shuar në Kosovë

Më: 22 qershor 2019 Në ora: 22:48
Ilustrim

Në Kosovë përfaqësues fetarë thonë se rreziku nga ekstremizmi i dhunshëm në vend nuk është shuar, me gjithë rënien e grupit militant Shteti Islamik që kishte tërhequr disa qindra luftëtarë nga Kosova.

Ata thonë se përhapja e ideologjisë ndodh në rrugë të tjera, përfshirë literaturën që përmban thirrje për një qasje të skajshme të besimit.

Përveç kësaj sipas tyre sfidë e rëndësishme mbetet edhe ri-integrimi në shoqëri i të kthyerve nga zonat e konfliktit.

Imami, Idriz Bilalli, për Zërin e Amerikës tha se edhe pse ISIS është drejtë fundit, ideologjia e tyre është e pranishme.

“Ne që jemi të ballafaquar direkt në terren në xhamitë tona e shohim realitetin, dhe unë vlerësoj se kjo tendencë nuk është shuar. Kjo betejë vazhdon për me metoda tjera” tha Bilalli.

Ndërsa edhe Bekim Jashari nga Këshilli i Bashkësisë Islame të Kosovës, tha se ekstremizmi tani po shpërndahet përmes literaturës, ku ekzistojnë njerëz që sjellin e pasojnë tituj në emër të islamit.

“Po përballemi me ekstremizmin i cili gjendet në librat e autorëve, të cilët në emër të islamit sjellin e plasojnë titujt që në kokat e të rinjve e të rejave tona mund të sjellin elemente të ekstremizmit” tha Jashari.

Ai shtoi gjithashtu se “ekstremizmi nuk merr fund me ISIS-in, Al-Qaedën ose Al-nusrën”

Pas rënies së ISIS-it, në Kosovë ishin kthyer 110 persona.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat