Kelmendi: Erion Veliaj as kafe nuk deshi të më ofrojë, po mi mban peng dy milion euro

Aktuale

Kelmendi: Erion Veliaj as kafe nuk deshi të më ofrojë, po mi mban peng dy milion euro

Më: 22 qershor 2019 Në ora: 23:52
Ramiz Kelmendi

Deputeti i LDK-së, Ramiz Kelmendi, në emisionin “Personale”, ka thënë se pavarësisht se kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj duket si engjëll, brendia e tij është e anti-shqiptare.

Kelmendi, ka thënë se Veliaj është kundër çdo biznesi që shkon atje nga Kosova e që mundohet të sjellë treg të lirë.

Ai ka thënë se Shqipëria aspak nuk ofron klimë të mirë madje as njerëzore për bizneset nga Kosova.

“Në cilësinë e zëvendëskryeministrit të Kosovës, Veliaj as kafe nuk ka dashur të më ofrojë. Si është e mundur që një kryetari bashkie i shkon zëvendëskryeministri i një vendi që konsiderohet vëllazëror e ai nuk i ofron mikpritje. Kur ka ardhur në Kosovë Kryetari i Bashkisë së Sarandës çfarë pritje ne i kemi bërë”, tha ai.

Afaristi i njohur ka thënë se Veliaj po i mban atij 2 milion taksë dhe nuk po ia kthen.

“Çka i nevojiten Veliajt paratë e biznesit të fituar me djersë? T’i investojë në qytetin e tij? Kur shkonim në takim më thoshte “vëlla”. Unë nuk jam vëlla për të. Unë kam qenë zëvendëskryeministër e tash deputetë. Vëlla përdoret në raportet fetare. Unë nuk kam shkuar atje si përfaqësues fetar”.

Deputeti i LDK-së ka thënë se produktet e Kosovës për të depërtuar në Shqipëria iu nënshtrohen një sërë barrierash. Ai ka thënë se analizat e produkteve kosovare kushtojnë më shumë se sa produkti që do të shitej në Shqipëri.

“Duhet të ketë një marrëveshje mirëbesimi që nëse një produkt i kalon analizat në Kosovë, i njëjti të mos u nënshtrohet analizave edhe në Shqipëri dhe e kundërta”, tha ndër të tjera Ramiz Kelmendi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat