BE-ja deklarohet për takimin e fshehtë në Berlin - Bota Sot
BE-ja deklarohet për takimin e fshehtë në Berlin

Aktuale

BE-ja deklarohet për takimin e fshehtë në Berlin

Më: 23 qershor 2019 Në ora: 12:10
Takimi i fshehtë Arifi - Gjuriq

Një takim i fshehtë u mbajt të mërkurën e kësaj jave në Berlin mes delegacionit të Kosovës e atij serb.

Dlegacioni nga Kosova ishte prezentuar nga ambasadori i Kosovës në Emiratet e Bashkuara Arabe, Avni Arifi, shefi i stafit të kryeministrit Haradinaj e Michael O’Riley, ish avokat i Haradinajt.

E për këtë takim, për herë të parë kanë folur edhe nga Bashkimi Evropian.

Maja Kocijançiq, zëdhënëse e përfaqësueses së lartë të BE-së, Federica Mogherini nuk ka dhënë detaje lidhur me darkën e fshehtë në Berlin, por ka shtuar se BE-ja i mirëpret përpjekjet e Francës dhe Gjermanisë për rifillimin e dialogut mes Kosovës e Serbisë.

“Ne i mbështesim dhe mirëpresim përpjekjet e Francës dhe Gjermanisë për promovimin e rifillimit të plotë të bisedimeve të lehtësuara nga BE-ja. Pyetjet rreth takimit duhet t’u dërgohen atyre”, ka thënë Kocijançiq.

Takimi sekret i Berlinit ka pasur si qëllim fillimin e realizimit të skenarit të Gjermanisë për të imponuar si marrëveshje përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë modelin Gjermano- Gjerman, i cili nuk i siguron njohjen formale Kosovës nga Serbia përkundër kompromisit të dhimbshëm të Kosovës.

Burimet e lajmit konfirmojnë se përkundër progresit të arritur në këtë takim, ende nuk ka ndonjë rezultat konkret dhe se pala serbe përsëri ka kërkuar heqjen e tarifave.

Burimet konfirmojnë se të deleguarit e kryeministrit Haradinaj nuk kanë pasur fuqi dhe mandat të vendosin për heqjen e taksës dhe kjo ka shkaktuar reagim të ashpër nga Gjermania dhe Franca. Si rezultat i dështimit të Kosovës për heqjen e taksës, takimi i paralajmëruar për tu mbajtur në Paris, tashmë është anulur.

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj kishte thënë se për këtë takim i kishte informuar edhe partnerët e koalicionit e edhe akterët tjerë, përfshirë Ekipin Negociator. Sidoqoftë, një deklaratë e tillë e Haradinajt ndryshonte me atë të bashkëkryesuesit të Ekipit Dialogues, Shpend Ahmeti, i cili sqaronte se nuk ka pasur asnjë informacion për një takim të tillë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat