Milaim Zeka paralajmëron lëvizje të jashtëzakonshme në politikë

Aktuale

Milaim Zeka paralajmëron lëvizje të jashtëzakonshme në politikë

Më: 23 qershor 2019 Në ora: 12:33
Milaim Zeka

Më 29 qershor do të bëjë inaugurimin e partisë së tij.  Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Milaim Zeka ka shpalosur detaje të reja për Partinë Euroatlantike të Kosovës.

Ai ka paralajmëruar lëvizje të jashtëzakonshme në skenën politike teksa u ka bërë ftesë publike Arban Abrashit, Kujtim Shalës, Korab Sejdiut e Zafir Berishës.

Duke treguar për idenë e krijimit të partisë, pse nuk është futur në politikë me partinë e tij, koalicionet e mundshme, ai ka folur edhe për gjendjen aktuale në politikë.

Zeka ka thënë pas matjeve e bisedave me kolegë e qytetarë ka sjellë përfundimin se Kosova duhet të ketë një forcë të re politike.

“Në skenën politike jam gjatë, sepse të qenurit gazetar do të thotë të jesh në politikë. Ideja më ka ardhë moti, qysh prej konferencëns së Rambujesë, por atëherë kanë qenë rrethana tjera. Duke i pa proceset politike në Shqipëri, Bullgari, Rumani pas rënies së komunizmit, duke pas parasysh që gjithmonë lëvizjet e mëdha politike shkaktojnë vërshime dhe përmes tyre hynë lloj-lloj bërlloku në politikë, kriminel, gjithmonë duhet me u qetësu lumi, dhe me e pa me çka është mbuluar uji. Matjet që i kam bo, bisedat me kolegët, lëvizjet jashtë e brenda Kosovës kanë sjellë në përfundim se Kosova në mënyrë absolute ka nevojë për një forcë të re politike, që është forcë demokratike dhe lufton për ta bërë Kosovën shtet ligjor. Pasi, Kosova tani nuk është shtet ligjor por kriminal”, ka thënë ai.

Ndërsa i pyetur pse nuk ka hyrë me këtë parti në politikë, Zeka ka thënë se thënë se nuk ka qenë momenti i duhur.

“Nuk jam fut në politikë me një parti sepse rëndësi të madhe ka momenti. Nuk ka qenë momenti më përpara me bo parti sepse qytetarët e Kosovës kanë qenë të hipnotizuar dhe kanë votuar për njerëzit e njëjtë dhe ka mbetë në memorie që duhet me u votu veç një lider. Tani kemi ndërrim të gjeneratave edhe vajzat e mija mund të më votojnë vetëm herën e parë, por nëse nuk i realizoj premtimet nuk më votojnë. Prandaj unë ju bëj thirrje elektoratit që të më votojnë një herë dhe të provojnë”, ka thënë ai.

Ai gjithashtu ka përmendur disa nga ndryshimet që do të bëhen nëse vjen në pushtet.

“Në këtë vend nuk do të shihni makina me 3Z. Kryeministri dhe ministra duke ardhë në vendin e punës me vetura zyrtare dhe truproja. 88 zëvendësministra e ministra që e hanë buxhetin e shtetit, por do të shihni vetëm kryeprokurorin e shtetit me truproja. Në këtë vend prokurorit duhet t’i frikësohen politikanët. Në Kosovë duhet të bëhet një ndryshim radikal, duhet të vijë një lider politik që në radhë të parë din dhe pas dijes guxon dhe i jep kompetencë prokurorit që të ketë guxim të arrestojë edhe Milaim Zekën, edhe Hashim Thaçin edhe Kadri Veselin e Fatmir Limën dhe këdo që e shkel ligjin”, ka shtuar ai.

E i pyetur nëse beson se do të merr përkrahjen e votueseve, Zeka është shprehur i bindur se do t’ja dal.

“Besimi shumë i madh për të ardhmen e fëmijëve të mi dhe të fëmijëve të Kosovë më ka bërë që të futem në politikë dhe besoj te Zoti që do t’ja dal së bashku me njerëzit ma eminent të këtij vendi. Nga 10 qytetarë të Kosovës, 9 e gjysmë janë të zhgënjyer dhe të pakënaqur dhe kam bindje absolute do t’ja dalim”, ka shtuar ai.

Teksa ka deklaruar se LDK dhe PDK duhet të shkojë në opozitë për 10 vjet, Zeka ka thënë se pas zgjedhjeve nuk do të ketë vija të kuqe për partitë.

“Për partinë tonë ka vija të kuqe para zgjedhjeve, nuk mund ta gënjejmë elektoratin që pesë minuta para orës 12:00 të bëjmë koalicion sepse nuk e kalojmë pragun, ne e garantojmë elektoratin se në zgjedhje do të hymë vetëm, dhe pas zgjedhjeve do të ulemi dhe bisedojmë me çdo parti politike që ka program të përafërt me ne. Unë kam bindje absolute që pa shku në opozitë LDK dhe PDK minimum 10 vite, Kosova kurrë nuk do të bëhet shtet, sepse ja kanë bë të gjitha të zezat këtij vendi”, ka thënë Zeka.

Zeka ka folur per arbresh edhe për taksën.

“Edhe taksën që e kemi bë ka qenë për përfitime të ndryshme partiake, politike, e për vota pas dy muajve. Se kamionët e Serbisë po u hekën tabela dhe malli po hynë në Kosovë përmes Malit të Zi, një parti politike bën tregti në veri, një tjetër në Beograd”, ka shtuar ai.

Ai ka përfunduar se do të ketë ndryshme të jashtëzakonshme në politikë teksa u ka bërë ftesë publike disa deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

“Është ndërtuar klimë e rëndë në Kosovë, e shamjeve dhe atakimeve. Shumë njerëz kanë biseduar me mu, por kërkojnë të mos u publikohen bisedat, por unë shpresoj se ka me pas lëvizje të jashtëzakonshme në politikë. I kam bë ftesë Bajram Hasanit, i kam bërë ftesë dhe po i bëj edhe publikisht Arban Abrashit, Kujtim Shalës. Do të ishte nderë për mua që në ekipin tim të ishin Korab Sejdiu dhe Zafir Berisha, gjithashtu i bëj ftesë edhe deputetëve të tjerë të pavarur, dhe ka deputetë nga të gjitha partitë politike me të cilët do të kisha dëshirë të bashkëpunoja”, ka përfunduar ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat