Sot nis “katastrofë humanitare” në komunat veriore

Aktuale

Sot nis “katastrofë humanitare” në komunat veriore

Më: 24 qershor 2019 Në ora: 08:43
Mitrovicë

Kryetarët e sapozgjedhur të katër komunave veriore të Kosovës, të cilët para dy ditëve kanë dhënë betimin dhe kanë rifilluar detyrën, janë mbase kreatorët kryesorë të një plani të përgatitur nga Qeveria e Serbisë për të krijuar krizë artificiale humanitare në veri të Kosovës, duke boshatisur dyqanet, marketet dhe barnatoret nga artikujt elementarë ushqimorë dhe nga të gjitha llojet e barnave. Planin, që besohet se është konstruktuar nga Beogradi, janë duke e përgatitur njerëz në veri të Mitrovicës.

“Zëri” ka mësuar se plani parasheh zbrazjen e të gjitha dyqaneve për të dëshmuar se për shkak të taksës 100 për qind ndaj importit të produkteve serbe furnizimi është pamundësuar. Gjithçka ka filluar me barnatoret në të gjitha komunat veriore, Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.

Ato janë mbyllur, ndërsa janë vendosur njoftimet se ato nuk punojnë për shkak se nuk po mund të furnizohen me barna nga Serbia. I gjithë ky plan i Beogradit ka për qëllim destabilizimin e pjesës veriore të Kosovës.

Njerëzit që janë të caktuar për ta zbatuar planin në komunat veriore (Radosh Petroviq, Goran Vllashkoviq, Bojan Jakshiq, Sllavisha Staniq, Radulle Steviq e të tjerë) janë mbledhur në një restorant në veri të Mitrovicës e aty janë parë edhe kryetarët e posazgjedhur, Goran Rakiq (Mitrovicë e Veriut), Zoran Todiq (Leposaviq), Serxhan Vulloviq (Zubin Potok) dhe Vuçina Jankoviq (Zveçan), ndërsa kanë marrë pjesë edhe disa biznesmenë të veriut, përfaqësues të institucioneve paralele e zyrtarë të lartë nga Serbia.

Me plan parashikohet që të boshatisen të gjitha dyqanet, marketet dhe barnatoret nga artikujt elementarë ushqimorë dhe nga të gjitha llojet e barnave. Mësohet gjithashtu se për të hënën është planifikuar të organizohet konferencë me medie në veri të Mitrovicës, ndërsa janë ftuar edhe ato të Beogradi, ku njerëz të caktuar do ta pasqyrojnë “gjendjen e rëndë, katastrofën humanitare në pjesën veriore të Kosovës”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat