Tahiri: Hetimi parlamentar ndihmon pastrimin e listave të veteranëve

Aktuale

Tahiri: Hetimi parlamentar ndihmon pastrimin e listave të veteranëve

Më: 24 qershor 2019 Në ora: 10:25
Abelard Tahiri

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri ka thënë se është detyrim moral të pastrohet emri dhe t’i kthehet dinjiteti Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Hetimin parlamentar të iniciuar nga kryetari Kadri Veseli për verifikimim e listës së veteranëve e mbështet edhe ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri.

Në një përgjigje, Tahiri ka thënë se është detyrim moral të pastrohet emri dhe t’i kthehet dinjiteti Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por edhe të ndalet abuzimi me paratë e taksapaguesve.

Tahiri ka shpjeguar se sa do të ndikojë hetimi parlamentar në pastrimin e listave të veteranëve të UÇK-së.

“Mendoj se çështja e përfitimit të personave nga statusi i “rrejshëm” i veteranëve të luftës paraqet një ndër abuzimet më të mëdha që janë bërë në Kosovë dhe nëse një gjë e tillë vazhdon të ngarkojë buxhetin e taksapaguesve, atëherë kjo do të ishte një ndër abuzimet më të mëdha sistematike që kanë ndodhur dhe po ndodhin në vendin tonë. E kam thënë edhe më herët se pastrimi i listës së veteranëve nga ata që në mënyrë të padrejtë dhe antiligjore e kanë përfituar një status të tillë, duhet të jetë prioritet i yni si shoqëri dhe si institucione”, tha Ministri Tahiri. “Një gjë është e qartë, abuzime ka pasur dhe institucionet tona e kanë detyrim jo vetëm institucional për të vendosur drejtësinë në këtë rast, por edhe detyrim moral ndaj atyre që vërtetë kanë kontribuar në luftë, për ta bërë një herë e përgjithmonë të qartë se kush ishte veteran sipas përcaktimit që i ka dhënë ligji. Në këtë drejtim, organet e pavarura të zbatimit të ligjit kanë filluar punën e tyre për të hetuar dhe tashmë kemi edhe një procedurë gjyqësore që është duke u zhvilluar e cila do të vendosë para përgjegjësisë përgjegjësit, nëse shkeljet e tilla vërtetohen”, shtoi ai.

Tahiri ka paralajmëruar se pastrimi i listave është proces mjaft kompleks.

“Por pa paragjykuar rrjedhën e rastit në fjalë, në anën tjetër, mendoj se pastrimi i listave është proces më kompleks sesa thjeshtë hetimi penal ndaj abuzimeve të mundshme. Prandaj një ri-lverifikim duhet të ndodhë, dhe duhet të ndodhë sa më parë që është e mundur. Për këtë shkak, Kryetari i Kuvendit, z. Kadri Veseli e ka marrë iniciativën për të themeluar një Komision Hetimor Parlamentar e cila do ta rikthejë edhe një herë debatin e shëndoshë për verifikimin e numrit të veteranëve, duke ballafaquar secilën palë me hierarkinë e luftës së UÇK-së, komandantët e zonave dhe eprorët e tjerë, të cilët medoemos se duhet të kenë një përgjigje mbi numrin e saktë të personave që ishin nën komandën e UÇK-së”, tha ai.

Tahiri po ashtu ka theksuar se është e nevojshme të bëhet verifikimi i veteranëve të UÇK-së nga ana e Kuvendit.

“Kësisoj, mendoj se verifikimi i numrit të veteranëve të UÇK-së nga ana e Kuvendit duhet të ndodhë dhe jam i bindur se një gjë e tillë do ta sqarojë përfundimisht këtë dilemë. Epilogu që unë pres se do të dalë nga ky proces parlamentar, do jetë asgjë më pak sesa identifikimi i qartë i numrit të veteranëve, shkarkimi i buxhetit të taksapaguesve tanë nga barra e kompensimit të atyre që jashtëligjshëm kanë përfituar deri më tani, dhe një restaurim dinjitoz të vlerave të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, u shpreh Ministri Tahiri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat