Supremja e anulon dënimin e përjetshëm për Pjetër Ndrecajn që vrau gruan dhe vajzën

Aktuale

Supremja e anulon dënimin e përjetshëm për Pjetër Ndrecajn që vrau gruan dhe vajzën

Më: 24 qershor 2019 Në ora: 10:43
Supremja e anulon dënimin e përjetshëm për gjakovarin që vrau gruan dhe vajzën

Gjykata Supreme ka “shpëtuar” nga dënimi i përjetshëm me burg, gjakovarin që u dënua nga dy shkallët për vrasjen e gruas dhe të bijës.

Supremja ka vendosur që rasti të kthehet në rigjykim pasi, sic thonë ata, ka pasur shkelje nmë aktgjykim.

“Kolegji i Gjykatës Supreme, në çështjen penale kundër të akuzuarit  P.N., nga  Gjakova, për shkak të veprës penale vrasje e rëndë dhe veprës penale mbajtja në pronësi, kontroll, posedim të paautorizuar të armëve, duke vendosur përkitazi me ankesën e mbrojtësit të akuzuarit, paraqitur kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Gjakovë, të datës 19 nëntor 2018 dhe aktgjykimit të Gjykatës së Apelit, të datës 31 janar 2019, në seancën e kolegjit, të mbajtur më 16 maj 2019, ka aprovuar ankesën e mbrojtësit të të akuzuarit P.N., dhe ka anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Gjakovë dhe aktgjykimin e Gjykatës së Apelit dhe çështjen ia ka kthyer gjykatës së shkallës së parë, në rivendosje”, thotë Supremja.

Sipas arsyetimit të Gjykatës Supreme, ata ka gjetur se pranimi i fajësisë nga ana e të akuzuarit është në kundërshtim të plotë me dispozitivin e aktgjykimit të gjykatës së shkallës së parë, pasi që akuzohet se ka kryer veprën penale të vrasjes së rëndë, e cila kryhet në rastet kur me dashje kryhen dy apo më shumë vrasje, kurse deklarimi i tij është vetëm përkitazi me vrasjen e ish-bashkëshortes së tij, ashtu që i akuzuari pas leximit të aktakuzës dhe pas konsultimit me mbrojtësin e tij, kishte deklaruar se: “E pranoj fajësinë për vrasjen e ish gruas time, mirëpo vajzën e kam vra aksidentalisht”.

“Në rrethana të këtilla, Kolegji i Gjykatës Supreme, gjeti se aktgjykimi i shkallës së parë është i përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe se gjykata e shkallës së dytë, në pranimin e këtyre defekteve, në procedurën e pranimit të fajësisë, ka qenë e detyruar që aktgjykimin ta shqyrtojë dhe ta anulojë atë, e jo të kalojë mbi këtë shkelje, e cila është e pranishme dhe që kushtëzon cilësimin juridik, ngase mund të bëhet fjalë për vrasje të rëndë nga neni 179 par.1 nënp.1.11.të KPK-ës, vetëm nëse dy e më shumë vrasje janë kryer me dashje”, thuhet tutje në komunikatën e Supremes.

Ndërkaq, Supremja ka shtuar se me kthimin e çështjes në rivendosje, sipas Gjykatës Supreme, gjykata e shkallës së parë, në aspektin formal, duhet të nisë nga shqyrtimi fillestar, mirëpo të mos e pranoi fajësinë në rrethana të një deklarimi të ngjashëm nga ana e të akuzuarit në raport me vrasjen e vajzës së tij, por çështja të kalojë në shqyrtim gjyqësor, për të sqaruar rrethanat e vrasjes në aspektin subjektiv-forma e fajit, e pastaj të marr një vendim të drejtë dhe të ligjshëm në këtë çështje penalo-juridike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat