Mes përplasjesh miratohet raporti i Komisionit hetimor për dëbimin e shtetasve turq

Aktuale

Mes përplasjesh miratohet raporti i Komisionit hetimor për dëbimin e shtetasve turq

Më: 24 qershor 2019 Në ora: 11:55

(E plotësuar) - Kuvendi i Kosovës ka miratuar raportin përfundimtar të Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me dëbimin e gjashtë shtetasve turq me datën 29 mars të vitit 2018. Në sallë kanë qenë 65, ku 59 kanë votuar për, 5 kundër dhe 4 abstenime.

Gjashtë shtetasit turq ishin deportuar për në Turqi pasi që akuzohen nga shteti turk si bashkëpunëtorë të organizatës Feto të Fetullah Gulenit që për Ankaranë zyrtare është organizator i tentim grusht shtetit  në Turqi në korrik të vitit 2016.

Quni: Shtetasit turq u arrestuan si në vendet diktatoriale

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Anton Quni në seancën e jashtëzakonshme për deportimin e 6 shtetasve turq theksoi se në arkivin e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës nuk gjendet asnjë dëshmi për depërtimin e tyre.

“Në arkivin e AKI-së nuk do të gjeni asnjë gjurmë nga përgjimet, incizimet, konsultimet... e gjashtë shtetasve turq.  Ata u cilësuan si terroristë.  U arrestuan nga policët e rëndomtë e disa prej tyre ishin edhe me probleme shëndetësore. Në aeroport i quan në zonën  e VIP-ve dhe u futën në një aeroplan që askush nuk e dinte se pse ndodhej aty”, tha Quni para deputetëve.

Tutje deputeti i LDK-së deklaroi se të njëjtit as nuk i rezistuan arrestimit, duke cilësuar se një gjë e tillë mund të bëhet vetëm në vendet ku vepron diktatura.

“Shtetasit turq nuk i rezistuan arrestimeve, askush nuk ua kumtoi arsyen e arrestimit dhe as nuk tentuan të iknin. Me punën që bënin nuk e lenin përshtypjen që mund të ishin terroristë. Ata u arrestuan si në vendet ku veprojnë diktatorët dhe mund të kryhen vetëm në vendet ku shërbimet e inteligjencës janë në duart në pushtetit”, tha ai duke shtuar që ky urdhër për AKI-në erdhi nga lartë.

Hoti u tërheq vërejtjen deputetëve: Nuk kemi ardhur të flasim për marrëdhëniet me Turqinë

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike te Kosovës (LDK), Avdukllah Hoti u ka tërhequr vërejtjen siç thotë ai për devijimin e debatit, jashtë atij për të cilin është ftuar seanca.

Ai u tha deputetëve që nuk kanë ardhur të flasin për raportet e Kosovës as me Turqinë e as me asnjë shtet tjetër por për të debatuar mbi të gjeturat e Komisionit për Deportimin e shtetasve turq.

“Mandati I Komisionit Hetimor nuk ka përfshirë shqyrtimin e marrëdhënieve me Turqinë, as me ShBA e as me një shtet tjetër. Mandati ka qenë me e pa se si ka ndodhur deportimi I shtetasve turq në Turqi. Ju lus që të koncentroheni në të gjeturat e këtij komisioni”, u tha Hoti deputetëve.

Nitaj: AAK e voton raportin për shtetasit turq

Deputeti i AAK’së, Muharrem Nitaj në seancën e jashtëzakonshme që po mbahet për raportin e hartuar nga komisioni hetimor parlamentar për rastin e shtetasve turq ka thënë se ky është një nga raportet më korrekt të shkruar në Kuvend.

Nitaj duke folur në emër të grupit parlamentar të AAK’së tha se do ta votojnë këtë raport.

“raporti që po e trajtojmë sot është shumë korretk është I saktë. Do të thosha se është një pistë shumë e përshtatshme për të adresuar përgjegjësitë e njerëzve që kanë qenë të pëfshirë. Është raporti më korrekt që është shkruar ndonjë herë në kuvend të Kosovës dhe si të tillë Aleanca do ta votojë pa asnjë dyshiim’, shtoi ai.

Tutje, deputeti i AAK’së, ta se megjithëse janë evidentuar 31 shkelje nuk dihet nëse pas kësaj qëndron presidenti Hashim Thaçi.

“31 shkelje që janë evidentuar janë argumentuar një për një. Kush ka qenë i informuar se kush e ka ditë e kush ka qenë urdhërdhënësi, nëse pak gjithë kësaj ka qëndruar presidenti Hashim Thaci ne nuk e dijmë”, shtoi ai.

Krasniqi: Me 28 mars u suspendua prokuroria, policia dhe punët në dorë i mori AKI

Deputeti i PSD-së Frashër Krasniqi, ka thënë se me deportimin e shtetasve turq është krijuar një precedent i rrezikshëm ku AKI merr rolin ekzekutiv duke shkelur të drejtat e njeriut.

Po ashtu, ai tha se me deportimin e shtetasve turq është suspenduar Kushtetuta, Prokuroria, Gjykata, Policia, Qeveria dhe punët i mori në dorë AKI, e sipas tij dihet se çka ndodh në një shtet kur shërbimi informativ i merr punët në dorë. 

Krasniqi: Ne e dimë mirë çka ndodh në një shtet ku Shërbimi informativ i merr punët në dorë

“Me 28 mars të vitit 2018 në emër të ruajtjes së sigurisë kombëtare në Kosovë u krijua një precedent shumë i rrezikshëm i pasigurisë juridike e njerëzore, u krijua një precedent shumë i rrezikshëm ku Agjencioni i Inteligjencës që ka mandat vetëm vrojtues merr rolin ekzekutiv dhe udhëheqës duke shkelur ligjin dhe të drejtat e njeriut pa dokumente, në shpërputhje me procedurat dhe i depërton gjashtë shtetas të huaj që po qëndronin në Kosovë në përputhje me ligjin. Me 28 mars të vitit 2019 në Kosovë u suspendua Kushtetuta, u susp endua prokuroria, gjykatat, policia e madje edhe vet Qeveria dhe punët i mori në dorë Agjencioni kosovar i Inteligjencës. E ne e dimë mirë çka ndodh në një shtet ku Shërbimi informativ i merr punët në dorë”, tha Krasniqi.

Ai tha se me vendimin e 28 marsit institucionet e sigurisë dhanë precedent shumë të rrezikshëm duke e rreshtuar Kosovën me vendet ku politikanët mund të shpikin situata të jashtëzakonshme për të marrë vendime arbitrare dhe jo demokratike. 

Krasniqi tha se duhet ta votojnë këtë raport të përgatitur në mënyrë të shkëlqyeshme dhe të dëshmojnë që praktikat e suspendimit të drejtave të njeriut për interesa personale e favore jo parimore të politikanëve nuk mund të kalojnë dhe nuk mund të bëhen diçka normale dhe e zakonshme.

Selmanaj: Të gjithë kishin informata për deportimin e shtetasve turq

Në emër të grupit parlamentar të LDK-së, Driton Selmanaj ka thënë se është mirë që raporti për dëbimin e shtetasve turq është sjellë për votim në Kuvend.

Selmanaj ka thënë se para vetes kemi një dokument që paraqet në detaje se çfarë ka ndodhur me deportimin e shtetasve turq.

“Kemi pasur dëshmitarë që kanë ditë shumë e nuk kanë ardhur, e kemi pasur dëshmitarë që kanë ardhë siç ka qenë kryeministri e ka thënë se nuk ka ditë asgjë, të gjithë bartësit e institucioneve në Kosovë i kanë pasur informatat se një gjë e tillë do të ndodhë”, ka thënë Selmanaj.

Selmanaj ka shtuar se ky është rasti më eklatant për ta kuptuar se si autoritetet shtetërore janë në gjendje të shkelin çdo normë çdo dispozitë ligjore e kushtetuese.

Ai ka shtuar se AKI-ja ka kaluar kompetencat e saj.

“Në zyre e policisë kanë hyrë agjent të AKI-së dhe kanë menaxhuar operacionin policor. Policia në teren nuk ka komunikuar me shefat e tyre por me dy agjentët e AKI-së, atyre ju kanë dhënë llogari”, ka thënë Selmanaj.

Akuzat e Konjufcës: Presidenca, Policia dhe AKI janë të përfshira në shkelje në rastin e turqve

Deputeti i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, tha se deportimi i gjashtë shtetasve turq e ka prekur drejtpërdrejt funksionimin ligjor të shtetit, nivelin e demokracisë, dhe relacionin që kanë ndërmjet vete institucionet e Kosovës.

Për Konjufcën, ky rast tregon se Presidenca, Policia, AKI-ja dhe gjyqësori përmes segmenteve të kontrolluara brenda, janë të përfshira në këtë shkelje.

Konjufca: Ky raport një test për drejtësinë

Image

“Sa i përket përgjegjësisë, e vetmja që ka mbetur të vërtetohet prej institucioneve tona të gjyqësisë është kjo, a e ka thirr Hashim Thaçi Driton Gashin edhe ia ka dhënë urdhrin apo Driton Gashi e ka bërë këtë ngjarje krye me vete. Ky raport që do të votohet sot në Kuvendin e Republikës së Kosovës  është edhe një test për drejtësinë aty ka material shumë relevant për ndonjë prokuror të guximshëm, i cili ende nuk e di a ekziston në Kosovë”, tha ai.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës janë duke diskutuar për raportin e komisionit hetimor për depërtimin e gjashtë shtetase turq në mars të vitit të kaluar./M.Duraku/

Sveçla fton deputetët që të votojnë raportin e rastit “Gylenistët”, përballet me kundërshtime

Kuvendi i Kosovës po mban seancën e jashtëzakonshme për të shqyrtuar raportin e Komisionit hetimor parlamentar lidhur me rastin e dëbimit të 6 shtetasve turq me datën 26 mars 2018.

Kryetari i Komisionit Hetimor, Xhelal Sveçla, ka treguar për punën e komisionit, ku ka përmendur edhe intervistimin e Presidentit Thaçi.

Sipas tij në raport janë evidentuar 31 shkelje të cilat janë në kundërshtim me ligjin.

“Puna e komisionit ka kaluar në katër faza, konsolidimi i komisionit, mbledhja e dëshmive, intervistimi i dëshmitarëve dhe vlerësimi si dhe përpilimi i raportit. Qëllimi i komisionit ka qenë se çka ka ndodhë me dëbimin e shtetasve turq dhe procedimin e shkeljeve. Komisioni ka kërkuar një sërë dokumentesh.  Duhet ta theksoj dështimin e AKI-së, policisë dhe Presidencës edhe pse komisioni ka qenë në dijeni të dëshmive si CD-të. Pas analizimi të provave komisioni ka intervistuar dëshmitarë”, ka thënë ai.

“27 dëshmitarë janë ftuar dhe dy prej tyre në riintervistim për shkak të diskrepancave në deklarim. Këtu vlen të theksohet Presidenti. I gjithë opinioni është dëshmitar se si ai u mundua të devalvojë punën e komisionit. Për shkak se disa prej shkeljeve kanë rezultuar prej mangësive të ligjeve bë fuqi, pjesa e 5 ofron disa rekomandime për Kuvendin. Në raportin që e kemi dorëzuar kemi identifikuar 31 shkelje. Në kuadër të këtyre shkeljeve lejimet për largim me forcë janë nxjerrë në kundërshtim me ligjin”, ka thënë tutje  Sveçla.

Në anën tjetër, deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa, akuzoi komisionin se ka bërë shkelje me punën e tij.

Beqa tha se raporti përmban detaje të shumta mbi burimin e provave dhe sipas tij, kjo përbën edhe shkelje tjetër.

“Së paku në tri raste janë marrë dëshmitarë pa kuorum, që nuk mund të përdoren në raportin përfundimtar sipas ligjit. Komisioni në disa raste ka vepruar në kundërshtim me ligjin për hetim parlamentar. Publikimi i informatave nga kryesuesi dhe anëtarët e tjerë është në kundërshtim me ligjin për hetim parlamentar. Raporti përmban detaje të shumta mbi burimin e provave dhe kjo përbën edhe shkelje tjetër. Raporti është lëshuar shumë në detaje dhe nuk është etike të ketë aq shumë detaje. Prokuroria të zbardhë sa më shpejtë rastin, por të mos bazohet në raportin tonë”, tha Beqa. 

***

Kuvendi i Kosovës po mban seancën e jashtëzakonshme ku do të shqyrtohet raporti i Komisionit hetimor parlamentar lidhur me rastin e dëbimit të gjashtë shtetasve turq më 26 mars 2018.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat