Konjufca-Damkës: Këtu nuk je në Parlament të Turqisë, por të Kosovës - Bota Sot
Konjufca-Damkës: Këtu nuk je në Parlament të Turqisë, por të Kosovës

Aktuale

Konjufca-Damkës: Këtu nuk je në Parlament të Turqisë, por të Kosovës

Më: 24 qershor 2019 Në ora: 14:03
Glauk Konjufca

Deputeti i grupit 6+ Fikrim Damka ka kërkuar përgjigje se pse është kërkuar kjo seancë e jashtëzakonshme për diskutimin e raportit të Komisionit Hetimor për dëbimin e gjashtë shtetasve turq.

Ai tha se kjo seancë ka prapavijë dhe qëllime jo të mira, pasi sipas tij tentohet dëmtimi i raporteve mes Kosovës dhe Turqisë.

Deputeti Damka tha se raporti i përpiluar nga komisioni është fatal dhe dështim juridik.

Damka: Unë po mendoj që tërë kjo ka një prapavijë apo qëllime jo të mira

“Unë po mendoj që tërë kjo ka një prapavijë apo qëllime jo të mira. Një, me e ul reputacionin shtetit tonë, dëmtimi i raporteve të shkëlqyeshme midis Kosovës dhe Turqisë, të sulmohet pa nevojë presidenti i Kosovës i cili iu përgjigj thirrjes së komisionit, të tregohet mosrespektimi dhe ulje e kredibilitetit ndaj institucioneve tona...Raporti i përpiluar nga ana e komisionit është një raport fatal dhe dështim juridik të cilin vet komisioni e ka bërë gabim me angazhimin e ekspertit ndërkombëtar, pikërisht kur e ka caktuar një ekspert nga Amerika dhe këtu kemi konflikt sepse Amerika është shteti i cili strehon kryesorin e kësaj organizate terroriste. Unë po pyes juve a ka logjikë që dikush strehon kryesorin e organizatës terroriste e pastaj të bëjë një ekspertizë të besueshme”, tha ai.

Ai tha se deportimi i gjashtë pjesëtarëve të Fetos nga shteti i Kosovës ka të bëjë me luftimin e terrorizmit dhe nuk është diçka shqetësuese.

Për të është e çuditshme se si raporti në lidhje me dëbimin e shtetasve turq, nuk ka përmendur se si organizata FETO ka bombarduat Parlamentin e Turqisë, e as vrasjet dhe shkeljet e të drejtave të njeriut që sipas Damkës kjo organizatë ka bërë.

Deputeti Damka tha se grupi i deputetëve të 6+ janë kundër miratimit të raportit të komisionit, raport të cilin e ka quajtur të njëanshëm dhe selektiv.

Ndaj këtyre deklaratave ka reaguar deputeti i Vetëvendosjes Glauk Konjufca, i cili i ka bërë thirrje deputetit Damka që të mos përdor foltoren e Kuvendit për të sulmuar raportet mes Kosovës dhe ShBA-ve.

Po ashtu, ai i ka bërë thirrje që të bëjë dallimin se është duke folur në Kuvendin e Kosovës dhe jo atë të Turqisë.

Konjufca: Këtu nuk je në Parlament të Turqisë, por je në Parlamentin e Kosovës

“E para, z.Damka këtu nuk je në Parlament të Turqisë, por je në Parlamentin e Kosovës, ky dallim është elementar për ta bërë kur të dalsh aty në foltore. E dyta, ne të ftojmë të gjithë si deputet të Kosovës mos me e keqpërdorë foltoren për të sulmuar një raport shumë të rëndësishëm mes Republikës së Kosovës dhe ShBA-ve. E treta, unë e thash në hyrje të fjalimit tim, raportet me Turqinë i shohim nga prizmi i barazisë, i reciprocitetit dhe interesave të dyanshme. Kurse kjo që ka ndodhur me deportimin e shtetasve turq është raport i vasalitetit dhe i nënshtrimit, kur ti i nënshtrohesh plotësisht urdhrave të një shteti tjetër. Kështu nuk duhet të ndërtohen raportet mes Kosovës dhe Turqisë, ky është raport i pabarazisë dhe i nënshtrimit dhe është turp nëse ti i kontribuon atij raporti të nënshtrimit dhe të vasalitetit. Ne jemi për marrëdhënie të shkëlqyeshme me Turqinà «, gjithmonë do të jemi dhe gjithmonë ne do ta dallojmë Turqinë nga pushteti në Turqi. Pse z.Damka, se sot mund të jetë Erdogani, por nesër nuk është, a Turqia vazhdon me qenë. Kosova gjithmonë ka me pas interes për marrëdhënie të shkëlqyera me Turqinë, po jo asi marrëdhënie të shekullit 15, e 16, por të shekullit 21, raporte të barazisë”, tha ai.

Një reagim e ka pasur edhe shefi i deputetëve të LDK-së Avdullah Hoti, i cili ka thënë se mandati komisionit hetimor nuk ka përfshirë shqyrtimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Turqisë apo shteteve të tjera, por shqyrtimi i procedurave se si është bërë deportimi.

Hoti: Mandati i komisionit ka qenë që me e shqyrtua procedurat ligjore se si është bërë deportimi

“Mandati i komisionit hetimor nuk ka përfshirë shqyrtimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Turqisë, as Kosovës me ShBA-të, as një çështje të tillë. Mandati i komisionit ka qenë që me e shqyrtua procedurat ligjore se si është bërë deportimi i gjashtë shtetasve turq nga institucionet e Kosovës në Turqi, vetëm kaq. Unë besoj që nuk ka vend në këtë Kuvend as në këtë seancë që të devijojë debati tash në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Turqisë”, tha ai.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...