Fjalimi i ashpër i Anton Qunit për dëbimin e shtetasve turq, thotë se AKI nuk ka bërë punën si duhet

Aktuale

Fjalimi i ashpër i Anton Qunit për dëbimin e shtetasve turq, thotë se AKI nuk ka bërë punën si duhet

Nga: v.r Më: 24 qershor 2019 Në ora: 22:14
Anton Quni

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Quni, në fjalim e tij të mbajtur në Parlamentin e Kosovës, ka ngritur dilemat e tij rreth punës së AKI-së, shkruan Bota sot.

 Në rastin e gylenistëve turq të dëbuar dy vite më parë, Quni, u shpreh se kemi thyer edhe traditën tonë shekullore siç është mikpritja dhe besa.

Kjo situatë, sipas Qunit, dëshmon se jemi larg plotësimit të parakushteve që të ndërtojmë shtet demokratik.

 

Fjalimi i plotë i Anton Qunit:


Përkundër kësaj, për shkak të natyrës së punës së AKI-së dhe kufizimeve për të ushtruar kontroll dhe mbikëqyrje të plotë demokratike, ne nuk arritëm të siguronim fakte të drejtpërdrejta se:
- A ishte operacioni për dëbimin e gjashtë shtetasve turq si parandalim i rrezikimit të sigurisë nacionale?
- A ishte operacion i kërkuar nga ndonjë autoritet më i lartë shtetëror i Kosovës apo i autoritetit të ndonjë shteti tjetër?
Prandaj, duke u bazuar në rrethanat e cekura më lartë, unë do të provoj që t’i qartësojë dilemat e ngritura, duke sjellur para jush shpjegimin se cilat janë metodat, autorizimet, procedurat dhe protokollet e agjencive inteligjente për operacione të natyrës së tillë.
Një agjenci e inteligjencës e ka për detyrë që me autorizimet ligjore të siguroj informata për shtetas të huaj, si individ apo si grupe, si dhe organizata të natyrave të ndryshme që me punën dhe aktivitetet e tyre a i respektojnë kushtetutën, ligjet dhe traditat e vendit ku ata qëndrojnë për arsye të ndryshme.
Bazuar në indikacionet e para se një shtetas i huaj apo disa të tillë, ushtrojnë veprimtari kriminale, terroriste apo armiqësore, hapi i parë që duhet të ndërmerrë agjencioni përkatës është: me burime të vogla njerëzore, financiare dhe teknike të përpiqet të vërtetoj saktësinë e informatave.
Nëse arrin të vërtetoj se informata është e saktë dhe individi apo grupi paraqet rrezikshmëri të lartë, atëherë agjencioni e ngrit një grup të veçantë, të cilit duhet t’i vihen në dispozicion të gjitha kapacitetet që posedon agjencioni dhe fillon menjëherë bashkëpunimin intensiv me Prokurorinë dhe policinë e shtetit.
Operacion kodohet me ndonjë emër, klasifikohet sipas shkallës së sekretit dhe qasje duhet të kenë vetëm të autorizuarit për pjesën e vet të përgjegjësisë.
Agjencioni, për shkak të kufizimeve në personel angazhon edhe ekspert të fushave të ndryshme siç janë: njohësit e gjuhës dhe dialekteve, ideologjive dhe besimeve, gjurmuesit e rrjedhjes së parasë apo transaksioneve, ekspertët e IT-së etj.
Nëse grupi nën hetim është i madh, atëherë, task forca e Agjencionit duhet të ketë gjithëpërfshirje apo përfshirje sa më të madhe, në mënyrë që të realizohet një bashkërenditje e mirë e personelit, mjeteve dhe teknikave të lidhura me kohën dhe vendet për zhvillimin e operacionit.
Me fillimin e operacionit, të autorizuarit, çdonjëri në fushën e vet, duhet të sigurojnë filmime, fotografi, përgjime, përkthime, infiltrime, biseda me dëshmitarë, të analizojnë raportet e bankave dhe organizatave financiare, të zbërthejnë gjithë rrjetin, të zbulojnë bashkëpunëtorët vendas, si dhe të shtrijnë bashkëpunimin me shërbimet tjera mike fqinjësore e në rajon.
Ndërkohë, ekspertët ligjor në çdo kohë bëjnë vlerësime ligjore në lidhje me respektimin e të drejtave të njeriut, privatësisë dhe identifikimin e shkeljeve ligjore.
Në momentin e vlerësuar, në bazë të të gjeturave të Agjencionit, me autorizimin e prokurorit, rolin ekzekutiv e merr policia të cilët bëjnë izolime të lokacioneve, ndalime, arrestime, shoqërime, bastisje të vendeve të banimit, punës dhe automjeteve. Konfiskojnë dokumente, kompjuterë, telefona, fotoaparate, kamera, etj.
Të dyshuarit duhet të njoftohen me të drejtat e tyre si dhe të procedohen në stacione për identifikime të mëtejshme. Gjatë zhvillimit të operacionit, individëve nuk guxon t’ ju mohohet e drejta për mbrojtje ligjore dhe shërbime mjekësore.
Varësisht nga vlerësimi i rrezikshmërisë së të dyshuarve bëhet edhe angazhimi i njësiteve të policisë, filluar nga ato të rëndomtat deri tek njësitë më elitare. Në raste të tilla, në gatishmëri të plotë duhet të jenë edhe ekipet mjekësore dhe të zjarrfikësve.
Operacioni do të duhej të synonte që të gjithë të implikuarit në veprimet antikushtetuese dhe ligjore, të silleshin para organeve të drejtësisë, bazuar në forcën e fakteve dhe argumenteve.
Në momentin që operacioni përfundon dhe rasti fillon të trajtohet nga organet e drejtësisë, zyrtarët e institucioneve të implikuara, veç e veç , apo së bashku, bëjnë publike rrjedhën e tij duke argumentuar dhe shpalosur faktet për qytetarët, për ta bërë transparent operacionin, i cili ta zëmë se ka parandaluar rrezikimin e sigurisë nacionale.
Për një operacion të tillë, policët, agjentët, zyrtarët e drejtësisë do të vlerësoheshin lart, me mirënjohje dhe duartrokitje të qytetarëve.
Ata sigurisht që do të ndjeheshin të sigurtë për veten, familjet dhe shtetin e tyre.
Kështu veprohet në shtetet normale, ku institucionet janë bashkëpunuese, bashkëvepruese, profesionale, llogaridhënëse dhe të kontrollueshme.
A ishte kështu në rastin e dëbimit të gjashtë shtetasve turq? JO!
Asnjë nga hapat e cekur më lartë nuk ka ndodhur.
Të nderuar kolegë, të dashur qytetar, në arkivin e AKI-së nuk do të gjeni asnjë gjurmë nga filmimet, përgjimet, përkthimet, analizat, konsultimet dhe vlerësimet për aktivitetin e gjashtë shtetasve turq.
Ata u cilësuan si terrorist, për momentin paqësor, por ideologjikisht të rrezikshëm për të ardhmen. U arrestuan nga policët e rëndomtë, për më tepër që disa prej të arrestuarve ishin edhe me probleme shëndetësore.
Dhe, pas disa gjirove andej e këndej, ia dalin t’i dorëzojnë në aeroport, tek sektori i VIP-ve ku priste një aeroplan për të cilin askush nga autoritetet tona nuk e kishte idenë pse dhe si ai aeroplan gjendej aty.
Shtetasit turq ishin ligjërues dhe mjek me dokumente të rregullta të qëndrimit dhe punës, familjar të moshës së mesme.
Nuk i rezistuan arrestimeve, askush nuk ju komunikoi arsyen e arrestimit, ata ishin të hutuar, por të qetë dhe nuk rezistuan as nuk tentuan të iknin. Me pamjen, sjelljen, kulturën e komunikimit, punën që ushtronin nuk lenin përshtypjen se ata mund të ishin terrorist.
Zonja dhe zotërinj, gjashtë shtetasit turq u dëbuan në mënyrën më primitive. Këto akte ndodhin vetëm nëpër vendet ku sundojnë huntat ushtarake apo diktatorët.
Një dramë e tillë e frikshme mund të realizohet vetëm në shtetet ku shërbimet inteligjente janë instrument dhe krejtësisht në duart e ndonjë pushtetari.
Kam frikë se e njëjta gjë ndodhi edhe tek ne.
Vetëm falë mediave dhe reagimit të opinionit ky operacion u ndërpre, përndryshe, sipas ish drejtorit të AKI-së, operacioni parashihte të dëboheshin rreth 200 shtetas turq.
Gjatë intervistimit, ish drejtori insistonte se vlerësimi i AKI-së ishte se këta persona paraqisnin rrezik për sigurinë nacionale, e jo që ndonjë autoritet tjetër e ka hartuar listën për ti dëbuar në Turqi.
Por, veprimet e tregojnë të kundërtën. E them me përgjegjësi të plotë se AKI-ja fare nuk zhvilloi operacion të vlerësimit, por thjesht zbatoi urdhrat nga lart.
Shtrohet pyetja, si është e mundur që 194 shtetas turq që i shpëtuan dëbimit, nuk qenkan tanimë të rrezikshëm?!
Është çështje e prokurorit ta zbulojë të vërtetën. Të vërtetoj implikimin e çdo zyrtari shtetëror, filluar nga Presidenti e deri tek zyrtari i fundit i policisë kufitare.
Atë që nuk arriti të faktoj komisioni hetimor mundet ta bëjë vetëm prokurori, kuptohet, nëse ka të tillë që nuk kanë frikë që edhe atyre nesër dikush mund t’ju trokas në derë me etiketimin se është armik i popullit.
Krejt në fund, me rastin e dëbimit të gjashtë shtetasve turq, ne botës demokratike i treguam se demokracia tek ne është e brishtë, dhe se jemi larg plotësimit të parakushteve që të ndërtojmë shtet demokratik.
Me këtë rast, ne shkelëm madje edhe disa prej parakushteve që janë vlerat tona, që i bartim si komb e me të cilat ndiheshim krenar, siç janë mikpritja dhe fjala e dhënë-besa.
Këto vlera, fatkeqësisht, janë lëkundur në themel.

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat