Haradinaj: Kemi prova për inskenimin e krizës humanitare në veri të Mitrovicës

Aktuale

Haradinaj: Kemi prova për inskenimin e krizës humanitare në veri të Mitrovicës

Më: 25 qershor 2019 Në ora: 15:09
Pamje nga mbledhja

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, ka thënë se janë në dijeni për planin për krizë humanitare në veri të Kosovës.

"Jemi në dijeni tani për këtë plan, improvizimin e krizës humanitare, kemi edhe prova të këtij skenari të tillë. Nuk do të lejojmë që të mungojë asnjë produkt sepse janë qytetar të Kosovës. Projekte të tilla nuk i takojnë më këtij shteti. Ekziston një tendencë si Kosovë me na mbyll sytë para propagandës. Nuk guxojmë ta lejojmë kontrabandën. Nuk do të kthehemi prapa por të forcohet rendi dhe ligji në veri", tha Haradinaj.

Ai tha se Institucionet e rendit dhe ligjit i kanë detyrat e veta dhe ata dinë si të veprojnë.

Ndërsa për procesin e dialogut me Serbinë, kryeministri tha se drejt marrëveshjes finale nuk duhet shkuar me hapa te gabuar.

"Mirë është me u arrit marrëveshja me Serbinë këtë vit por nuk duhet bërë hapa të gabuar. Nuk ka rëndësi çfarë shpejtësie por çfarë drejtimi", tha Haradinaj.

Ai edhe njëherë përsëriti se takimi në Berlin nuk ishte i fshehtë por me ftesë të zyrës së kancelarës Merkel.

 "Një takim i ftuar nga zyra e kancelares Merkel, nuk është i fshehtë. Është në mandatin e Qeverisë, i kam informuar partnerët qeverisës me kohë", tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat