KMDLNj: Pasi na mërdhiu të gjithëve, Jasharaj ‘meriton’ të shkojë edhe në Madagaskar

Aktuale

KMDLNj: Pasi na mërdhiu të gjithëve, Jasharaj ‘meriton’ të shkojë edhe në Madagaskar

Më: 25 qershor 2019 Në ora: 15:56
Pamje nga takimi

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka reaguar ndaj lajmit se 400 sindikalistë të SBASHK-ut do të shkojnë në bregdet.

KMDLNj kanë adresuar kritika të ashpra ndaj SBAShK-ut dhe kryesindikalistit Rrahman Jasharaj, duke thënë se ata duhet të ndiqen penalisht.

“Nëse SBASHK-u ka mjete të dërgojë 400 sindikalistë në deti për të pushuar nga pushimi i grevës, kjo nënkupton se SBASHK-u ka fonde edhe për t’i paguar grevistët arsimorë për grevën e kundërligjshme që, në emër të realizimit të përfitimeve ekskluzivisht personale, rëndë ka dëmtuar interesat e qindra mijëra nxënësve e që është në kundërshtim të plotë me parimin e të drejtave të njeriut. Pasi na mërdhiu të gjithëve, zotëri Rrahman Jasharaj me plotë të drejtë meriton të theket në bregdetin Adriatik apo Jon. Madje meriton të shkojë edhe në Madagaskar. KMDLNj vlerëson se SBASHK-u, me zotëri Rrahman Jasharaj në krye duhet të ndiqet penalisht nëse vendimi përfundimtar i Gjykatës kompetente e përcakton përgjegjësinë konkrete”, thuhet në reagimin e KMDLNj-së.

Sipas KMDLNj-së, SBASHK-u doli të jetë mbi MASHT-in, mbi Kuvendin e Kosovës dhe mbi vendimet e Gjykatës të cilat zotëri Jasharaj, kryesindikalisti me një rrogë që nuk përputhet me moralin sindikalist e sfidoi “urdhërin” e ministrit të MASHT-it që orët të kompensohen duke vazhduar procesi mësimor deri më 28.06.2019 kurse zotëri Jasharaj e mbylli këtë proces më 21.06.2019.

KMDNj thotë se në  Shqipëri dhe në Kosovë  dy ‘figurat më emblematike shqiptare’ janë Ilir Meta dhe Rrahman Jashaaraj.

“Realisht sot në Kosovë janë në fuqi dy dekrete apo vendime të dy figurave me të fuqishme dhe emblematike në hapësirat shqiptare ; në Shqipëri del të jetë presidenti Ilir Meta që anuloi mbajtjen e zgjedhjeve lokale me 30.06.2019 dhe në Kosovë “presidenti” i arsimit , zotëri Rrahman Jasharaj që, me një dekret apo urëdhër papnor  “urbi  et orbi” anuloi kompensimin e orëve të humbura me fajin e vet SBASHK-ut me qëndrim oportunist të qeverisë dhe “kapitullim” të MASHT-it”, thuhet ndër tjerash në reagimin e KMDLNj-së.

KMDLNj ka theksuar se asnjë vend apo shtet në botë nuk kompenson grevistët që e dëmtojnë vendin dhe interesin e përgjithshëm por vet organizatat sindikaliste kanë fonde dhe kompenzojnë grevistët për aq kohë sa bëjnë grevë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat